POEZI NGA ANDI MEÇAJ
PËRDITSHMËRIA
Vogëlushja hyn në dhomën
e përditshmërisë, mërzitshëm
var sytë, në gozhdët e pikturave,
mbi tablotë me anije të kuqe,
mbi detin e tërbuar, mbi atë
furtunë ngjyrash dhe ndien frikë,
turbullirë t’i ngjitet në grykë,
pastaj qetësohet, rrotullohet mbi
lodrat e djeshme, fletoret, stilolapsat,
i fut në çantë, e hedh në kurriz dhe del,
duke mos dëgjuar përplasjen e vrullshme
të ujrave, shkëmbinjve, varkave,
peshqve dhe asaj errësire që mbulon
çdo gjë, duke i derdhur dallgët
mbi orenditë, muret,
që i gjallërojnë
dhomën, oborrin,
rrugët dhe qytetin.
