Kulturë e natyrshme-Brixhilda Dede

Brixhilda Dede

KULTURË E NATYRSHME

( KORÇËS)

 
Qyteti im grua e fisme,
Me prejardhje Enkelejte( Ilire).
Kultura franceze i rrjedh ndër deje
nga shpallja e republikës autonome.
Qyteti im grua nikoqire me traditë.
Pispili, lakror në saç, raki e fortë.
Histori të ndjeshme deri mesnatë,
telash kitare, bërë serenatë.


Fytyrë e saj pikturë e qetë.
Sy me shkëlqim, ngjyrë qytetarie.
Flokët me honde hedhur mënjanë,
ledhatim ajri, ardhur lashtësie.


Parfum i preferuar, librat e vjetër.
Buzëqeshje mikpritse, zë i çiltër.
Art i veshjes, mënyrë jetese.
Arkitektura karakteristike, klas i lindur.
Malli nga largësi nuk më zbeh kujtesën.
Se ti nuk je tokë, por ndjenjë, identitet.
Je rahje zemre thellë në gjoks,..
Je dritë me shkëlqim, ku gjej vetveten.