Libri përcjell misionin e fjalës së artë të popullit
(Rreth librit me poezi “Udhëkryq” të Harallamb Qirko)

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Vëzhgues i realitetit të vrazhdë
Poeti Harallamb Qirko vjen me vëllimin me poezi “Udhëkryq”, për herë të parë në 75 vjetorin e lindjes. Kjo vonesë kaq e gjatë për të parë dritën e botimit, e ka një domethënie. Poeti, midis viteve dhe vështirësive në jetë, shkroi parreshtu ndër vite. Poezia e tij është interesante, e pjekur, e matur dhe e heshtur me shpërthim force. Ai kurrë se është nxituar dhe me ambicje që në zanafillë, thekson se vjen nga Lunxheria, dhe në lëmin e madh të poezisë shqiptare do që të këndojë me zërin e tij e të konkuronte dhe ai pa cak.
Krahasimisht me nivelin artistik të poezive të vëllimit të parë, duke parë motivet e them me plot gojën që autori është larguar nga provinca, pavarësisht se lundron në të njëjtin shtrat. Lumi i penës së tij ka shpërthyer me farë lisi, me çuçurimë e muzikaliete, na ka dhënë prurje elegante. Ai, si minator ari, nëpërmjet shpirtit të tij bujar e fisnik, si një mjeshtër në ngritjen e pritave, është shndërruar në gjahtar të temave bashkëkohore. Harta e shpirtit të tij poetik na vjen shumëdimensionale, tablot e jetës dramatike në poezitë e tij janë të larmishme.
Në faqet e këtij libri autori nuk është më thjesht vëzhgues i realitetit të vrazhdë të këtij udhëkryqi pambarim, por me art ka parashtruar përjetimin poetik si “mjerimi ka shok mjerimin…dhe pjellin mjerim”, se “qajnë kalatë me bedena, ku humbi nderi i shqiptarisë”, “për Gjirokastrën dhe Lunxherinë, lot ngazëllimi, mall dhe trishtim”, plagë të zhbërjes, fenomene të braktisjes, dhe të udhëkryqit shqiptar, poeti i pjekur dhe mendimtar nuk i zbulon vetëm si “relike” në mjedisin absurd, por, me mjeshtëri, që nga pusi i thellësive të pasionit, na përcjell mesazhin qortues: pse të mos i përzëmë një herë e mirë këto fantazma nga vendi i lulerisë së shqiponjave, me rrezen që solli nga dielli lunxhiot.
Poeti vjen i rreptë në motivet, të cilat i ka bërë pronë të tij në kudhrën krijuese. Motivet i qëmton që në embrion. Te shumica e tyre, edhe pse janë të ilustruara, poeti me dhunti e bujari përçon atmosferën e realitetit shqiptar, lëkundjet sfilitëse dhe shqetësimet për këngën luxhiote të kënduar mbrëmë, e nis nga vendlindja prindërore, merr Lunxherinë, shkon në Gjirokastër, mbrin në Greqi, i tretet shikimi në Kosovën martire e në Dardaninë ilire.
Tema orgjinale dhe të kohës
Poeti është një mjeshtër me përvojë të gjatë, e ka përpunuar mjaft mirë dhe thellë motivin e poezisë. Motivin e ka ngjitur në nivelet e artit, pasi sonda e kërkimit të tij ka rënë në ar. Harallamb Qirko ka ditur të ngrihet dhe të gjejë tema orgjinale dhe të kohës. Kështu, mund të përmendim poezitë: “Ëndrra, zhgënjime, dhimbje dhe shpresë”, “S’bën mëkat”, “Listë-pagesat, fytyra mëkatare e shtetit”, “Bojkot i supozuar”, “Hasmëritë”, “Bajlozët” e shumë të tjera poezi të spikatura, ku nëpërmjet fjalëve artistike gurgullojnë elegjitë e shpirtit, poezitë klithin, parandiejnë, përcjellin mesazhe, përcjellin fatin e egër të njeriut. Ndonjëherë krijimet, edhe kur janë në një kornizë të ngushtë, shpalosin tablo të mëdha jetësore.
Kështu poeti u rrit në “Sokakun e të Marrëve”, shfaqi mjaft dhunti: shkruante poezi, bënte vargje humoristike, studioi për matematikë, i binte kitarës, punonte mësues tek “Ura e Kardhiqit”, recitonte të plotë poemën “Princesha Argjiro”, ndërkohë kishte shansin të diskutonte për artin nëpër Sokakun e të Marrëve me krijuesit e Gjirokastrës, të cilëve me ndrojtje u lexonte poezitë e tij të para, që ishin të brishta. Kështu poeti i ardhsëm, muskuloz, i mprehtë dhe me ambicioz u zhyt – si të qe ndonjë mitolog – në misteret e këtij qyteti të çuditshëm: i vinte rreth e qark shtëpisë ku kishte lindur Ismalil Kadareja; studioi në gjimnazin “Asim Zeneli”, ku pati studiuar Dritëro Agolli e shumë personalitete të tjera të artit e të kulturës.
Poeti është modest “me rrezet që solli nga dielli lunxhiot” dhe nuk kërkon sipmatinë e kurrkujt. Nuk kam dëgjuar poetë të tjerë që të parathonë me muzën e tyre shortin e fatit të shtrenjtë: të dy prindërit ndahen nga jeta”ngaky pikëllim, ky, më i vërteti, xhevair i bukur që ndrin nga Xheneti”. Sa me fat është ky poet, sa bir i dashur: nënën dhe babanë i ka vendosur në “shkëmb nga Marotaja, ujë Lepusheti”, ngritur në Nderimin Prindëror. Për t’u patur zili!
Individualiteti krijues i poetit Harallamb Qirko, në këtë vëllim me poezi, qëndron pikërisht tek fakti që, me maturi e shpesh me qetësi, ai të vë në duar një buqetë të artit me të pathëna. Poezitë e tij, i lexon e nuk mërzitesh. Këto nuk i ke dëgjuar nga ndonjë poet tjetër, bile nuk i ke dëgjuar as në ndonjë degëzim emisionesh televizive, në biseda mes miqsh e të njohurish, në udhëtimet e largëta me njerëz të panjohur, nëpër karvane mes kurbetllinjsh, as në kontinente të tjera, kur shkon për punë e tek njerëzit e tu të afërt: vëllezër, motra, të cilët janë shpërndarë në të gjithë globin.
Mozaik me krijme të freskëta
Talenti i poetit Harallamb Qirko na vjen me këtë mozaik krijmesh të freskëta. Ky talent qëndron tek guximi për të rrokur, pa mashtrime dredharake, realitetin tonë, shpesh të hidhur, të cilin autori nëpërmjet vargut e stigmatizon, e çmitizon, i kundërqëndron, e jep në trajtë tablosh, por me racionalitet interpretativ. Ai është përpjekur të këpusë nyjet e së keqes, lufton “ta bëjë zap” dramën, pa i ngjinjur heronjtë e tij në rrafshet e telasheve të përditshme. Me këtë lloj vetënatomie autori ia ka dalë mbanë, sidomos me poezitë: “Lotë krokodilësh”, “Prefekti dhe Profeti”, “Sistem Mostër”, “Fytyra e korrupsionit”, “Larg metamorfozës tregjike”, “Moj Hormova martire” etj.
Harallamb Qirko e ka gjetur vesën e mirësisë dhe kjo zbulohet natyrshëm në nëntokën e shpirtit. Poezitë e tij na bien të gjalla personazheve në balada, fabula, këngë, gojëdhëna, ku njeriu e gjen një grusht lumturi. Kështu, mullinjtë e fatit në poezitë e tij, nuk bluajnë vetëm vdekje, nuk triumfojnë vetëm instiktet e liga… njeriu del nga nga lëmshi i hirtë i mjegullës së fatalitetit!
Vëllimi poetik “Udhëkryq” është shkruar në një interval kohor të gjatë prej 22 vjetësh, por poezitëmë të shumta janë nga periudha 2017 dhe deri më sot. Kjo duket që në shikimin e parë. Edhe në pikpamje të strukturimit, rrëkezat e dramës së sotme i gjen në shumë krijme; ato janë shprehje e vrojtimit të thellë të realitetit të vrazhdë që përjetojmë, ku fenomenet e përthithura në skëterrat e tragjedive përcjellin kulminacione; autori ndeshet ballazi me trishtimin e dhuntë, i bën një paraqitje tipike botës së ferrit, fatit tonë të pashembullt dhe, me mjete shprehëse, përpiqet të shkatërrojë majmunërinë e sotme, dyfytyrësitë.
Edhe pse është analitik, i prirur nga idetë e tij filozofike, ka lëruar thellë në një lashtëri magjepsëse, në thesarin e pambarueshëm të gjihë shqipe duke u përqëndruar në Lunxheri e Gjirokastër. Nëpër kavalerinë e figuracionit e të fjalorit poetik gjen fjalë të hershme të muzës së popullit, si: “lepe e peqe” në poezinë “Vraje tradhëtinë shqiptar”, “me kuç e maç” në poezinë “Ëngjëjt janë midis nesh”, “korobori” në poezinë “Hasmëritë”, “halle e derte” në poezinë “Fundi i gjithkujt” e me dhjetëra fjalë të tjera, që jo për manierë (mënyrë, stil), por për pasuri. Poezitë i ka zgjedhur si petale lulesh në perlën gjuhësore të Jugut. Qëllimi i vetëm, që gjuhën e poezive ta bëjë më komplekse, më shprehëse e më funksionale. Ndaj dhe ato tringëllijnë si zile, tërë muzikalitet dhe elegancë, kudo dhe nga kushdo që të lexohen.
Poeti Harallamb Qirko në librin e parë ka një paraqitje tipike, ku lirizmi i tij i njohur është më i thellë. Në një pjesë të poezive, sidomos ato që janë shkruar pa sforco, qysh në leximin e parë këngësojnë një monumentalitet epik. Në poezitë e tij, s’ka rrënjë të thara nëpër poezi, në to vallëzon mirë fjala, veçanërisht fabulat e baladave janë vërtet magjepsëse.
Vëllimi (Libri I) “Udhëkryq” është konvergjent në të gjithë arkitekturën e tij. Ai është shumëdimensionale dhe observon realitetin. Ai ka një strukturë të organizuar mirë, demonstron art, portreton me koherencë emocionet e njeriut. Libri i ka shpëtuar monotonisë, përcjell misionin e fjalës së artë të popullit dhe parandien. Udhëkryqi është me plot gojën një perlë, një dhuratë e çmuar për të gjithë.
Njohje me autorin
Harallamb Naqo Qirko lindi në qytetin e Gjirokastrës më 3 mars 1951. Origjina e familjes së tij është nga krahina e Lunxhërisë. I ati, Naqo, ishte nga Këllezi, ndërsa e ëma, Eftimia Bakuli, nga Saraqinishta. Si fëmija i parë i familjes, ai u rrit me ndjenjën e përgjegjësisë dhe me një dëshirë të hershme për t’u marrë me letërsi, duke ushqyer një pasion të veçantë për figura të mëdha të historisë sonë, si Ismail Qemali.
Arsimin 7-vjeçar e kreu në shkollën “Koto Hoxhi” në Gjirokastër, për të vijuar më pas në shkollën 11-vjeçare me të njëjtin emër dhe për të përfunduar klasat e fundit në gjimnazin “Asim Zeneli”. Në vitet 1969-1973 përfundoi studimet e larta në Universiteti Shtetëror i Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Fizikë. Në të gjitha ciklet e studimit u dallua për rezultate të shkëlqyera.
Karrierën profesionale e nisi në vitin 1973 si mësues fizike në shkollën e mesme bujqësore “Ura e Kardhiqit” (sot “Bilal Golemi”), ku punoi deri në vitin 1982.
Nga nëntori 1982 deri në korrik 1992 shërbeu në sektorë të ndryshëm të ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku arriti gradën ushtarake Kolonel. Gjatë kësaj periudhe përfundoi edhe studimet në shkollën e lartë të filozofi-politikës dhe ndoqi një sërë kursesh kualifikimi profesional. Në korrik 1992, me ligjin nr. 24/1, doli në rezervë. Për 18 vite me radhë (1992-2010) nuk ushtroi detyrë në administratën shtetërore, duke siguruar jetesën e familjes përmes angazhimeve në sektorin privat. Në vitin 2010 u emërua specialist në Inspektoriatin Qendror Teknik (IQT), në Drejtorinë e Naftës dhe më pas në Drejtorinë e Energjisë Elektrike. Në nëntor 2016 doli në pension.
Është martuar në vitin 1978 me Marika Qirko (Joanidhi), mësuese matematike. Janë prindër të dy fëmijëve, Eliana dhe Juliani.
Që në moshë të re ka shkruar poezi, duke ruajtur gjithmonë lidhjen me fjalën artistike. Sot paraqitet para lexuesit me librin e tij të parë me poezi, “Udhëkryq”, një përmbledhje që pasqyron përvojat, ndjesitë dhe reflektimet e një jete të pasur me përkushtim dhe përjetime.