Erëra të frikshme…Rubjana Nika

Rubjana Nika

Erëra të frikshme…

Po fryn një erë e keqe

përzier me erë baroti,

boshatisen djepe ëndrrash,

s’po thahet faqesh loti.

Po fryjnë erëra të frikshme,

në këtë Mars pranvere,

po thajnë zemra nënash,

vdekja po pret pas dere.

Po zymtohet qielli kaltër,

tymnaja don ta fshehë Diellin,

retë të nxira shpejtojnë

lajme të kobshme po sjellin.

E lulet e sapoçelura,

po thahen pa lulëzuar,

në vend të frutave të ëmbël,

plumba do mbajmë ndër duar.

Gëzimi i pranverës,

fashitur pa çelur në buzë,

zhuritur zemra njerëzore,

zemërimi ndezur shpuzë.

Hije e zezë rreth globit mbarë,

po vesh qiellin në ngjyrë gri,

po i vesh tokës tjetër rrobë,

zemra nënash veshur zi