Modeli semio-antropologjik në poezinë e Petraq Ristos-Arben Iliazi

Arben Iliazi

Modeli semio-antropologjik në poezinë e Petraq Ristos

“Jam i vjetër: në dallgët e rrudhave të mia ka lundruar Magelani
Det nuk kam. Më harruan në një breg pa kum e pa pulëbardha
Veç ca vela shfaqen larg: ofshama malli.
Tani kam një çati, një pus dhe dy miq: kovën dhe litarin
Me timonin e anijes e bëra çikrikun
Nga çikriku i velave e mora litarin
Dhe gjithë detin e mblodha në një pus: kujdes lundërtari.
Velën e vjetër përdor si çarçaf: zakon marinari.

Me dhogat e varkës kam bërë arkivolin
Kur të mbyll sytë me velën më mbuloni
me litarin e velave si shenjë përjetësie
më zbrisni në pus me çikrik-timonin...
dhe pas njëmijë vjetësh të thoni:
Ishte detar, u varros si anije...
Natyrisht, në një pus të çuditshëm shtëpie...”

(Elegjia e detarit plak- Petraq Risto)

Petraq Risto është një nga kolegët e mi të hershëm, (dikur punonim si libretistë teatri). Risto është poet, shkrimtar e dramaturg, me angazhim të fortë letrar i cili, me figuracionin e pasur dhe përfytyrimet metaforike, të fut në një hipnozë të këndshme. Poezia “Elegjia e detarit plak”, botuar para 15 vitesh dhe e ripublikuar sot nga autori, është një klithmë madhështie , një akt i pastër krijimi i njeriut ekzistencial, që kërkon plotësinë e tij si person, si liri, po që ka edhe plotësinë hyjnore, fundin e përndritur. Detari është një shpirt që sigurohet për veteveten, për ekzistencën e tij dhe, nëpërmjet kësaj përpjekjeje, ai shfaqet para nesh i ndryshëm nga gjithë realiteti material, si një substancë që dallohet nga materia. Ai i përket një natyre tjetër realiteti; shpirti i tij është veçse njëlloj materie më fluide, një realitet i të njëjtës natyrë me të vërtetën. Shpirti dhe e vërteta, në njëfarë kuptimi janë nga e njëjta substancë. Vdekja e shpirtit do të ishte ndarja midis tij dhe së vërtetës. Përjetësia për një detar, për një njeri më të lirë se vetë liria, është tërësia e kohës së rrokur prej tij, si me thënë, me një shikim, me një paradije hyjnore. Poeti mediton mbi raportin e kohës me përjetësinë, pa qenë aspak nevoja ta përfytyrojë kohën, pasi detari është brenda përjetësisë, në kohën pa kohë, ku e tashmja nuk është veçse një limit abstrakt. Po qe se nuk është përjetësia, nuk mund të jetë as koha. Këtu qëndron misteri i jetës njerëzore. Poeti Petraq Risto, duke i dhënë poezisë tipare moderne në modulimin dhe konfigurimin shqisor, është treguar këmbëngulës për një mendim të qartë në këtë kërkim ekzistencial të rrjedhjes kohore, ashtu siç e jetojnë njerëzit e lirë, në misterin e kushtit njerëzor, ndërmjet kohës dhe përjetësisë. Është vetë jeta e detarit që lind në përjetësi këtë paracaktueshmëri. Poezia nuk niset nga thelbi, por nga ekzistenca e mishëruar. Universi poetik i Petraq Ristos është njëlloj uni i lëvizshëm, që plazmohet dhe përcaktohet në marrëdhënie me tjetrin, duke shkruar për jetën e brendshme dhe për brendësinë, me një besim naiv tek e vetvetishmja dhe tek fantazia e brendshme, pa u përpjekur të duket ndryshe. Në ekzaltimin krijues me një denduri figurash stilistike letrare, plot metafora e struktura anaforizmi, me variante leksikore që ndryshojnë ndjeshëm kuptimin e vargut, ai parapëlqen të përdorë edhe mjete të tërthorta: paradoksin, mitin, simbolin. Në fshehtësinë e ngrohtë të këtyre përvojave, sipas modelit semio-antropologjik, Risto na jep gjendje estetike që duket sikur flladitet nga thellësitë e një shpirti me përmasa mitike, që nuk gjen prehje. Në sensin antropologjik, ai është imagjinari njerëzor, ashtu siç shfaqet nga enoletërsia dhe mitet.
BIOGRAFIA:
Petraq Risto ka lindur në qytetin e Durrësit më 1952. Ka kryer studimet në Fakultetin e Shkencave Politike – Juridike, dega e Gazetarisë (1971-1975) si dhe një vit pasuniveristar për kritik teatri. Ka punuar gazetar, libretist, dhe pas viteve nëntëdhjetë, për gati njëzet vjet, ka qenë botues privat. Krijimtaria e tij është shumë e gjerë: poezi, tregime, romane, drama dhe përralla për fëmijë, publicistikë etj. dhe është përkthyer në disa vende të botës. Siç ka vërejtur dhe kritika letrare, veçanërisht pas viteve nëntëdhjetë dhe në dy dekadat e fundit, poezia e tij ka një hop të ri cilësor dhe kjo lidhet me kontekstualizmin e fortë estetik. Jeton ne Brooklyn, New York..
Disa nga librat me poezi:
Zjarre që rriten
Dallgë e detit tim
I them shekullit mirëmëngjes
Sytë e ditës vizatoj
Zgjohu princesha ime
Mollë zhvirgjëruar nga rrufetë
Lojë shahu në shekullin XXI
Engjëlli me virus H5N1
Hallelulja
Apo-ka-lypsi
Lexuesi i buzëve: ar+sy+eja
Mënd+afsh (poezi të zgjedhura)
Miq të dyshimit
Udhëtar me pluhur ferri
Unë quhem Dje
Para-j-sa?!
Jetoj në një karusel të ndryshkur(poema të zgjedhura)
Ankimi i Luciferrit
I-magji-nata LotUS
I hidhur mjalti i varreve (Francë)
Kujdestar i dallëndysheve (Meksikë)
Gjuetia e kuajve të detit (Rumani)
Oboe e dashurisë (Spanjisht, në ShBA)
Lojë shahu në shekullin XXI (anglisht, në ShBA)
Njeriu me dritare në krah (Francë)
Gostia moderne e Shekspirit (rumanisht, ShBA)