Migel Flor

Pse lind dielli
çdo mëngjes mbi të njëjtën tokë
që mbrëmjeve fle mbi plagë?
Pse hapet qielli i larë nga retë
sikur bota të mos kishte mëkate,
sikur nata të mos kishte dëgjuar
ulërimat e të pambrojturve?
Pse qielli e kërkon shiun
si toka të vërtetën
dhe e vërteta kërkon njeriun
dhe njeriu shpesh
fshihet pas gënjeshtrës?
Pse jeta mbart të vërteta
që i dhembin botës
si acid mbi plagë?
Pse sa herë ato thuhen me zë,
tribunat mbushen me dhunë
dhe drejtësia vishet
me vellon e frikës?
Pse dhuna flet me zë të lartë
nga kolltukë derbederësh
dhe skllevërit duartrokasin
plagët e tyre
si të ishin medalje?
Pse mëngjeseve mungojnë buzëqeshjet
dhe qytetet zgjohen
me mushkëri smogu,
me zemra të lodhura
e lot shtogu
nga padrejtësia?
Pse zogjtë ulen mbi tela
duke besuar në qiell
dhe shpesh digjen
nga rryma e padukshme
si ëndrrat e njerëzve
që besuan shumë?
Pse toka rrotullohet rreth diellit
si një shpresë e verbër
që kërkon dritën
ndërsa mbi të
lindin çdo ditë
yje të zinj
që thithin dritën e të tjerëve?
Pse misionarët heshtin
kur fjala duhet të bërtasë?
Pse profetët e kohës sonë
kanë frikë nga turmat
dhe turmat kanë frikë
nga e vërteta?
Pse lind dielli, pra,
nëse njeriu vazhdon
të mbjellë natë në shpirtin e botës?
PSE E VRAU VETEN KJO VAJZË E RE?
Pse ia vodhën ëndrrat në heshtje?
Pse ia thyen krahët
dhe qielli iu bë burg i mbyllur?
Pse dhuna fiku dritën?
Pse turpin ia veshën të tjerët?
Pse një botë që flet për moral
hesht kur një shpirt kërkon duar?
Pse jeta kerkon të vdesë
dhe vdekja duket si e vetmja dritare.
Pse o njerëz i lini bijat vetëm,
dhe i mbytni me turp e frikë?
Asnjjë vajzë nuk vdes në një çast.
Ajo vritet pak nga pak..
Nga ju..
Pse lind dielli?
Ai lind ..,
drita ekziston
edhe kur ne
vdesim shpresën,
zgjedhim errësirën!
Migel Flor
Laura Laura
(Në kujtim të kësaj vajze..
Ishte bijë e jona)