Një masakër mbi masakrat në Kosovë-Ibrahim Kadriu

Ibrahim KADRIU

Një masakër mbi masakrat në Kosovë

Si ishte e mundur që, në qershorin e vitit 2013, deputetët e Kuvendit të Kosovës  e amnistuan Serbinë për gjitha ato vrasje, djegie, dhunime e shkatërrime të të mirave jetësore të shqiptarëve në Kosovë, duke aprovuar ligjin i cili kishte të bënte me faljen e krimeve që i kishin bërë serbët. Sot pyesim, si ishte e mundur, nesër  brezat e komunitetit tonë (natyrisht do të duhej edhe historia) të rrëfejnë me indinjatë të thellë mbi deputetët të cilët, sikur të ishin në agoni, pranuan ligjin e sajuar për t’ia falur Serbisë të gjitha krimet e bëra mbi shqiptarët e Kosovës gjatë luftës së fundit, më 1999. Kjo sa është e pabesueshme, po aq e tmerrshme; është një veprim armiqësor ndaj  të gjitha familjeve të të vrarëve e të masakruarëve.

Ndodhi në qershor të 2013-tes,  në Sallën e Kuvendit të Kosovës, me ngritje gishtash (përveç refuzimit të deputetëve të Vetëvendosjes) qe miratuar Ligji për amnisti (falje) të krimeve serbe në Kosovë.  Një ligj aq i pakuptimtë, aq ofendues, por ja se deputetët e zgjedhur, siç thuhet, nga populli, sikur të ishin të përgjumur, sikur kishin harrur se  çfarë kishte ndodhur në Kosovë, janë bërë vasalë të kryetarëve të tyre partiakë dhe, ashtu siç kanë urdhëruar për ngritje të gishtave,  kanë vepruar duke u bërë, njëherësh, bashkëveprues në krime.

Aprovimi i këtij ligji (famëkeq) na bën të kuptojmë se  shumë nga deputetët janë të përgjumur, as që i analizojnë situatat e rrumbullakuara me ligje të posaçme, por ia shikojnë sytë eprorëve të tyre, domethënë kryetarëve partiakë dhe pranojnë propozimet e tyre edhe kur ato janë aq idiotike e me pasoja për Kosovën tonë.

Pas aprovimit të një ligji të tillë, ne bashkëkohësit, mund t’ua falim shpirtvogëlsinë, naivitetin apo thënë troç – budallakinë e tyre,  por historia nuk do t’ua falë. Kjo është e sigurt, por të tillët nuk qajnë kokën për histori, mendjen e kanë vetëm te tavolina ku duhet të nënshkruhen për mëditje …

Si ndodhi amnistia për aq shumë të vrarë nga urrejtja serbe, Si e kanë ndjerë vetën nënat, baballarët, miqtë dhe të njohurit e të vrarëve, kur kanë marrë vesh për vrasje masive dhe për masakrat në mënyrën më bizare të ndodhura në Kosovë.

U bënë shumë masakra të njerëzve vetëm pse ishin shqiptarë; vrasje me gjakftohtësi të bëra nga kriminelët serë, nga ushtarakët e tyre, nga paraushtarakët (kriminelë të udhëhequr nga ish të burgosur) të cilët kanë arritur në Kosovë të prirë nga mllefi shekullor kundër shqiptarëve që asgjë tjetër nuk kanë kërkuar pos të jetojnë të lirë me fëmijët e tyre në tokat e tyre stërgjyshore… Asgjë më tepër nuk kanë kërkuar. Ata erdhën, vranë dhe shkatërruan e djegën shtëpitë e shqiptarëve dhe, para djegieve, i vodhën të gjitha të mirat jetësore që i kishin shqiptarët, dhe i bartën në Serbi… (në ekranin TV shihej serbi duke dalë nga shtëpia e shqiptarit  duke bartur televizorin e vjedhur).

Janë dëshmitë e shumta të krimeve, jo vetëm ato individuale të kufomave të humbur, të djegur ose të lëshuara në varre masive, por sidomos vrasjet kolektive, siç ishin në Likoshan dhe Qirez , Prekaz (afër 60 vetë), Reçak (45 të vrarë), Krushë të madhe, (90-100 të vrarë)  Bellacërk (62 të vrarë), Suharekë (48), Izbicë (93), Podujevë (14), Pustasellë (106), Razallë (80), nga bombardimi i Gjakovës (73 të vrarë) në Sllavi (35-44 të vrarë), në Poklek (47 të vrarë), Qikatovë (24), në Meje (300 civilë), në Vushtrri (120 të vrarë), në Korishë (87), në Qyshk (42), në Dubravë (79-82) në Tusus ( 27 të vrarë) etj. Mandej, duhet të bëhet e ditur se shumë janë vrarë edhe pas përfundimit të luiftës.. Për shembull, në shkurt të vitit 2000 në Mitrovicë u vranë 10 shqiptarë dhe u plagosën qindra të tjerë. Të ashtuquajturit “Roja të urës” ishin vrasës të shqiptarëve me qëllim të largimit të tyre nga pjesa e Veriut e qytetit. Në Poklek, bie fjala, dy serb të armatosur deri në dhëmbë, i vrasin 47 veta në një dhomë duke ua hedhur fillimisht një bombë e pastaj me automatik. Me atë rast e vranë edhe poetin Ymer Ellshani me katër djemë, nënën dhe gruan… Të na kujtohet edhe vrasja e avokatit, Bajram Kelmendi me dy djemtë, ose vrasjet e shkrimtarit Latif Berisha dhe profesorit Fehmi Agani e shumë të tjetër.

Të gjitha këto vrasje, me atë ligj famëkeq të aprovuar me ngritje gishtash në Kuvendin e Kosovës, ia falen Serbisë.

Të themi se, edhe andartët grekë, bënë aq shumë vrasje  të shqiptarëve në pjesën jugore të Shqipërisë, ndërkaq dëshmitarja e atyre masakrave të atjeshme, humanistja zëmadhe, Edi Durham, kur shpreh dëshminë për gjitha ato vrasje e masakra të grekëve ndaj shqiptarëve shkruante: “…  nuk mund të besoj atë që kam parë. Më duket sikur jam në një ëndërr të keqe, dhe grekët, sikur edhe një shekull të tërë të  bënin pendesë, nuk mund t’i shlyejnë krimet dhe urrejtjet që kanë bërë ndaj shqiptarëve…”

Kuvendi i Kosovës, jo pas njëqind vjetëve, veç pas trembëdhjetë vjetësh ka bërë ratifikimin e Ligjit për falje të krimeve.

E pse ka ndodhur kjo? Sigurisht ka qenë marrë një garancion prej Serbisë se do ta njihte Kosovën, sepse kjo ndodhi pas bisedimeve  mes krerëve të qeverisë së Kosovës dhe Serbisë. Ende nuk jemi të bindur se Serbia gjithmonë gënjen, se ajo (sipas dëshmisë së Sonja Biserkos dhe Vuk Drashkoviqit, ka vrarë serbët e vet për t’ua lënë shqiptarëve, se ka vrarë edhe shqiptarë bashkëpunëtorë të   policisë serbe (domethënë spiunë shqiptarë) për t’ua lënë fajin UÇK-së  etj.

Shumë njerëz mendojnë se vrasjet masive janë të pafalshme, sepse dëmtojnë në mënyrë të pakthyeshme jetë të pafajshme dhe shoqërinë në tërësi. Edhe nëse dikush shpreh pendesë, pesha morale e asaj që ka bërë mbetet e madhe.

Sipas logjikës që del nga juridiku, edhe nëse një person “falet” nga individë apo familje viktimash, drejtësia penale nuk e falë krimin. Shoqëria ka detyrim të mbrojë jetën dhe të vendosë përgjegjësi nëse ajo mbrojtje anashkalon  ose bëhet e shurdhë, njësoj si deputetët e Kuvendit të Kosovës. Kjo çështje e vrasjeve individuale apo masive definohet edhe në traditat fetare. Në disa tradita fetare falja është e mundur vetëm nga Zoti, jo nga njerëzit dhe zakonisht kërkon pendesë të thellë dhe  të sinqertë.

A kërkuan falje ndonjëherë serbët? A shprehen pendesë edhe nëse ndonjë nga vrasjet ose masakrat është bërë nga  individë (serbë) të pandërgjegjshëm. Derisa ndodh kështu, domethënë nuk ka falje nga Serbia për vrasjet, atëherë kuptohet se gjithë ajo tragjedi që u ndodhi shqiptarëve  ishte e programuar shtetërisht nga ana e Serbisë, të cilës, për ironi,  shqiptarët ia falën edhe me Ligj që u ratifikua nga deputetët në mesin  e të cilëve ka edhe aq shumë emra të cilëve u besohej se kanë ndjenja ndaj kombëtares.

Për disa viktima ose familjarë, falja (jo harresa) mund të jetë një mënyrë për të çliruar veten nga urrejtja, jo për të justifikuar krimin. Të tjerët nuk munden dhe kjo është po aq e vlefshme për të mos i dhënë të drejtë amnistisë përmes Ligjit të posaçëm për falje. Mund të flitet për falje personale ose shpirtërore, por nuk ka justifikim moral apo shoqëror për vrasje masive dhe, duhet të kuptohet, përgjegjësia nuk zhduket kurrë. Me fenomenin e faljes (amnistisë) janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen shumë debate edhe teorike, por në asnjë debat nuk pohohet se falja (shoqërore) duhet të ndodhë.

Nëse shëtisim në mendimet e filozofëve, fjala vjen, shihet se ata në vlerësimet e tyre nuk anojnë nga falja.  Për Kantin, për shembull, vrasjet masive janë shkelje absolute e dinjitetit njerëzor. Ato vendosen përtej faljes morale, sepse falja do të nënkuptonte relativizim të së keqes. Ndërkaq  Hannah Arendt, kur flet për “të keqen radikale”: disa akte e shkatërrojnë vetë hapësirën morale ku falja ka kuptim, kurse mos-falja është akt moral, jo hakmarrje. Nga ana tjetër, Derrida, thotë se nëse falja kushtëzohet nga pendesa, dënimi apo shpjegimi, ajo bëhet kontratë morale, jo falje. Kurse shoqëria, thotë ai (në rastin konkret Kuvendi I Kosovës) nuk mund të falë: vetëm viktima, nëse do – mundet. Në këtë drejtim mund të vihet si përfundim se  disa krime janë aq ekstreme sa falja do të ishte imorale, sepse do të fshinte kujtesën dhe do të tradhtonte viktimat.

Ligji i miratuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës është imoral dhe me keqardhje nga viktimat dhe familjarët e tyre. Sipas përfundimeve të këtij gjykimi që u tha më sipër: nuk mund të ketë falje  universale  për vrasje masive:  falja mund të jetë akt ngushtë vetjak, jo normë shoqërore. Si përfundim mund të thuhet se  vrasjet masive janë në kufirin ku filozofia heziton të flasë për falje, sepse rrezikon të flasë kundër njerëzores.