“Tentakulat” e gënjeshtrës- Shefqet Meko

Shefqet Meko

-Mos gënje. Ajo lëndon e vret shpirtin –

-Ese “profilaktike” para datës 1 Prill 2026-

Kishte një emër profeti. E quanin Muhamet. Nga fshati im ishte. Isha fëmijë që sapo provoja “jetën në kolektiv”. Ditë e natë shinim grurin me kombajna. Byku i kashtës ishte “oksigjeni” ynë (!!). E frikshme, por e jetuar. Ishte diku viti 1973–74. Prodhim i mbarë ato kohë. Prodhonim grurë me bollëk, por ne hanim bukë misri në shtëpi… (!!)

Kur morëm pushimin e radhës, ai njeri me fytyrë të deformuar dhe “emër profeti”, që masturbonte përballë brigadës, në sytë e mi, ballë për ballë, pa iu dridhur zëri, sajoi një trillim monstruoz: sikur në familjen time ishte bërë një mbledhje, alla mbledhje e asaj kohe (sajim), dhe ishte marrë një vendim i frikshëm… (trillim). Sikur im atë na kishte pyetur: “A jeni dakord ta varim…?” Sipas njeriut me fytyrë të shtrembër, ne “të gjithë ishim dakord…”. Para syve të mi po lëshohej si gjarpër një mashtrim fshataresk. Sa shumë më frikësoi ajo sajesë e ligë, ashiqare e vjellë fshatare. E pavërtetë. E ligë. Poshtëruese. Që nga ai çast, fshati buçiste rrugëve: “Dakord jeni?” — pyeste një idiot. “Dakord… ta varim”, përgjigjej injoranti tjetër.

Ishte një përpjekje e dështuar për të demoralizuar një familje që jam krenar t’i përkas. Ne të gjithë lamë fshatin. Aty është ende shpifësi i pashpirt. Ne u shkolluam, ai mbeti aty si deformim i shpirtit të lig. Ligësia ziliqare e Muhamet “Dhisë” nuk ia arriti qëllimit. Madje prindërit e mi të mirë dekadat e fundit të jetës i kaluan në Tiranë. Muhamet Dhija ende zvarritet në vendlindjen time, por pa fuqi për të “pjellë” shpifje…

Pse m’u kujtua kjo histori pas kaq dekadash? Pse sot pavërtetësia është bërë, në realitet, lavdi dhe pushtet? Edhe pse në ditët tona mashtrimi është bërë “bukë e djathë”, harrohet se te njeriu që sapo nis të ecë në jetë ai lë gjurmë. Gjurmë të thella! Në atë moshë ai “ngul tentakulat” dhe nuk shqitet më, si në rastin e fëmijërisë sime. Kush më mbrojti mua atëherë? Askush.

Sajesa e “Muhametit të Halilit” mbeti tek unë si një fantazmë. Koha e shoi, e shkatërroi, por “ngjiti” në kujtesën time si plagë mashtruese. Në ato kohë e luftoja përditë, duke u thënë bashkëfshatarëve se nuk ishte e vërtetë, se ishte një shpifje e ndyrë, një trillim i Muhamet “Dhisë”. Pak më besuan. Unë përleshesha çdo ditë me atë pavërtetësi, por në ato kohë ajo ishte më e fortë në baltën e fshatit.

Tani të gjithë e kanë harruar, unë jo. E sjell si një “moment të jetuar” vetëm për të treguar se çfarë pasoje lë mashtrimi dhe shpirti i keq te njeriu që “hedh hapat e parë”. Po sot, kush i mbron të rinjtë nga mashtrimi, shpifjet dhe sajesat e hidhura? Si ajo që përjetova unë?… Kush e mbron rininë nga mashtrimi?

“I mbron Big Brother”, më thotë një zë.

“Mos është nga fshati im?…” — pyes me frikë.

Na ka ndodhur të gjithëve të biem në gjynahe me “gënjeshtra të bardha”. Por kur mashtrimi bëhet instrument i djallit, ai lë gjurmë, “kafshon” dhe kthehet në “tumor shoqëror”. Secili nga ne është lënduar nga njeriu që mashtron. Thonë se ai që gënjen e harron shpejt atë që ka thënë. Mbase kështu ndodh, por te viktima ndodh e kundërta. Plaga nuk mbyllet. Rasti im është provë. Ndaj le të mos gënjejmë. T’i kthejmë shpinën mashtrimit. Ta mbrojmë “njeriun e njomë” nga efektet metastazike e vdekatore të tij. Dikur ne urrenim shpifësin. Sot e duartrokasim. Sa e dhimbshme.

Mos gënjeni. Bëhuni “bunker” kundër mashtrimit. Si? Mbase si unë, duke i qëndruar përballë. E di, është beteja më e vështirë e njeriut, sidomos sot kur mashtrimi të sjell në pushtet dhe përmes tij mbetesh në pushtet apo në opozitë. Pushteti apo opozita ka forcë, apo mashtrimi i trimëron? E thashë: beteja ndaj kësaj plage është e pafund. Mbase fitohet një ditë! Sot për sot duket e pamundur. Por nëse nuk luftohet, ajo, shpifja e fytyrështrembërit nga fshati im, fiton gjithmonë.

Le të mos dëshpërohemi! E vërteta ka forcë dhe do të jetojë. Siç mbijetova unë ndaj asaj që ndodhi në fshat. Le të kujtojmë se sot ajo pushton botën përmes një lëvizjeje “mollëze gishti”. E frikshme… Besoj që “premtimi” i 22 Marsit 2026 të mos jetë një mashtrim si ai i “Muhamet Dhisë” të fshatit tim. Të mos jetë as si “Mosbindja Civile” e harruar. Thjesht shpresoj të mos jetë një tjetër pavërtetësi. Unë e urrej mashtrimin. E urrej qysh kur isha fëmijë dhe, si viktimë e tij, haja bukë misri duke mbushur “hambarë plot” me grurë…

Jo rastësisht, qysh më 22 Mars 1992, unë botoja artikullin që sot më bën krenar: “Njerëz, besoni veten tuaj. Partitë gënjejnë”. Si Muhameti Dhija i fshatit tim.

Shefqet Meko

Minneapolis, 8 Mars 2026