Prolog me poezitë, vargjet frymëzuese të poetes Mimoza Halili-Olimbi Dafa

Prolog me poezitë, vargjet frymëzuese të poetes Mimoza Halili

E njoha në Facebook poeten Mimoza Halili. Më tërhoqi fotoja e saj e bukur, por kur u futa më thellë në poezinë e saj, më la mbresa arti që i ka mbirë në shpirt dhe të cilin e zotëron mjeshtërisht, në mënyrë të kulluar.

U njoha me poezinë e saj brilante, ku derdhte gjithë botën e saj magjike, me thellësi mendimi dhe bukuri artistike. Pra, të vetmen pasuri që kishte – botën e brendshme shpirtërore – e derdhte tek lexuesit në vargje magjike, në të cilat unë pashë shpirtin artistik të Mimozës, që ishte prezent dhe lëshonte dritë e mirësi.

U njoha me gjuhën e bukur të muzikës, të përzier me fjalët e dala nga zjarri i zemrës së vargjeve brilante të Mozës, me videot që ishin bërë enkas për këtë poete inteligjente, të zgjuar e të mençur, si dhe me muzikën e Silvana Dhimolea, Anila Kodrës etj., që me këtë kombinim krijonin një simfoni të bukur muzikore.

E ndjeva peshën e ndjenjës, thjeshtësinë e shprehjes.

U njoha me sinqeritetin, çiltërsinë dhe pastërtinë e vargjeve, të cilat më krijuan emocione, më buzëqeshën dhe u derdhën tek unë me shumë mesazhe dhe aromë dashurie. Kjo derdhje poetike që më erdhi nga larg më kënaqi dhe më mbushi shpirtin. Ato ishin vargje të shkruara me gjuhën e zjarrit të zemrës.

Këto u bënë shkak për këtë lidhje të çmuar, që më pas të njihesha më gjerësisht me jetën e saj dhe se si i lindi gjithë ky talent.

Mimoza ka mbaruar 8-vjeçaren në shkollën “Kongresi i Lushnjës”.

Mësuesja e saj, Liri Kazazi, që në hapat e parë të fillores, zbuloi talentin e Mozës teksa ajo shkruante vjersha të moshës fëminore. Me shumë kënaqësi, mësuese Liria filloi ta ndihmonte për t’ia kultivuar këtë pasion që i kishte lindur. I referonte tema dhe pika të shumllojshme, ku ajo frymëzohej nga jeta e përditshme aktuale.

I rekomandonte libra të ndryshëm; vjershat e saj lexoheshin me kënaqësi nga shokët dhe shoqet e klasës. Emri i saj qëndronte në tabelën e nxënësve më të talentuar të shkollës. Më pas frekuentoi bibliotekën e rrethit të Lushnjës dhe shpeshherë e zinte gjumi me libër në dorë. Mimoza i ishte mirënjohëse kësaj mësueseje dhe u gëzua kur mësoi se, pas demokracisë, shkolla mori emrin e zyshës Liri Kazazi.

Në vitin e dytë në gjimnaz, ka recituar poezinë e saj dhe ka folur për krijimtarinë në radio, nga grupi i shkrimtarëve të rrethit të Lushnjës. Edhe pas mbarimit të gjimnazit “18 Tetori”, poezitë e saj kanë qëndruar në tabelën e shkollës, si krijuesja më e mirë.

Te kjo vajzë, ëndrrat rinore rriteshin si parqe me lule, edhe pse jeta bëhej e rëndomtë. Në “kilometrin” e kohës tregonte maturi, duke folur pak dhe duke u shprehur për çdo gjë pa konflikt, e tolerante në zgjidhjen e problemeve, sepse gjuha më e bukur e komunikimit për Mozen ishte kodi i fjalës.

Kodi i bukur i fjalës nuk ishte vetëm fantazia e saj për një botë të bukur pa andralla dhe përgënjeshtrime, por muza e saj shëtiste në tërë universin, edhe pse jetonte në një qytet të vogël me territor të gjerë bujqësor, me fusha si kuadrate magjike, parcela të mbjella me çdo lloj asortimenti, ku vetë dielli luante me të dhe lumturohej që kishte lindur nga dy prindër intelektualë, arkitektë, të cilët ndikuan në edukimin dhe formimin e fëmijëve të tyre, duke dashur t’i bënin kryevepra e më pas t’i shndërronin në realitet.Mimoza ka qenë edhe anëtare e talenteve të reja, ku shquheshin poezitë e një maturanteje që përshkruante jetën dhe mirëqenien e asaj kohe, duke ëndërruar të botonte librin e saj poetik “Vendlindja ime”. Për shkak të rrethanave të ndryshme ekonomike, libri i mbeti i paralizuar dhe, më vonë, pas tre dekadash, Moza e rikujton, e përpunon vargun rinor dhe arrin të botojë librin në një variant tjetër, me një optikë të re. Duke qenë larg atdheut të saj, i dedikohet me nostalgji dhe risjell përsëri librin me titull “Rrugëtim në perlat e vendlindjes”.

Sa shumë nostalgji ndjen ende për ato vite studentore që nuk harrohen. Në kohën e vështirë të tranzicionit, largohet bashkë me familjen e saj të re, me djalin 6-muajsh, në viset e mërgimit, në Greqi.

Ëndrra e poetes për të studiuar u përball me kushte të rënda, me punë dhe probleme që dilnin herë pas here. Fillimi i integrimit në vendin e huaj nuk i linte shteg të vazhdonte rrugën e dijes. Megjithatë, artistja arriti, pas shumë vitesh, edhe pse nënë me dy fëmijë, të mbarojë shkollën si parukiere, dhe më pas ndoqi studimet për menaxhere biznesi, të cilin tashmë e ushtron në biznesin familjar, pa ndërprerë njëkohësisht edhe punën.

Njohja e saj me kuadro të lartë i dha mundësinë të ndjekë studimet në degën e Filologjisë, të cilat i ndërpret në vitin e fundit me ardhjen në jetë të djalit të vogël. Vërtet Moza nuk ka diplomë, por ka përvojën e jetës, e cila vlen shumë në formimin e identitetit të saj si njeri me karakter të fortë dhe të pathyer ndaj vështirësive.

Tri gjuhët që ka përvetësuar – greqishten, rusishten dhe italishten – e kanë ndihmuar të punojë përkrah kuadrove në vendin e huaj, ku kontribuon edhe sot në një firmë ndërkombëtare të farmaceutikës, ku dallohet për punën korrekte.

Poezia ishte jeta e Mimozës, dhe një poemë e bukur janë ëndrrat e saj të pashtershme.Sa bukur rimojnë vargjet e krijuara me shpirt në “Këngën e Mërgimtarit”. Vargje lirike që befasojnë me muzën aurorë, si një skiator që nuk e shemb orteku i dëborës. Sa kontraste të larmishme ilustron frymëzimi, sikur të jetë një motor mes dallgëve të mëdha në furtunë, e ajo ngrihet sërish në sipërfaqe të valës, duke treguar diellin e shpresës.

Edhe jeta e saj ka qenë poezi, pavarësisht se emigracioni kishte tundjet e veta, kushtet dhe sfidat. Si nënë e tre fëmijëve, ajo iu përkushtua edukimit dhe rritjes së tyre në momentet kur kishin më shumë nevojë, derisa ata formuan personalitetin e tyre. Sot ka ardhur koha t’i kushtohet vetes, për të realizuar ëndrrën e saj: të shkruajë vazhdimisht.

Ja edhe librat e saj të shumtë:

  • “Ritëm jete” – botuar në vitin 2020
  • “Zarfi i pahapur” – botuar në vitin 2021
  • “Kodi i dashurisë” – botuar në vitin 2021
  • “Rrugëtim në perlat e vendlindjes” – botuar në vitin 2021, Çamëri
  • “Djepi i shqiponjës” – botuar në vitin 2022
  • “Gjuha e nënës, bajrak i shkronjës” – botuar në vitin 2023

Ka marrë pjesë në antologjinë e Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, mes 83 poetëve në Borås të Suedisë:

  • “Fontanë fjalësh” – 2021

Në antologjinë “Ora e Lidhjes” (2021), Qendra Kulturore “Fidani”, Prizren.

Antologji të tjera:

  • “Na bashkoi poezia” – 15 (2022)
  • “Na bashkoi poezia” – 16 (2023)
  • “Na bashkoi poezia” – 17

Ka marrë pjesë në evente të ndryshme të grupeve poetike, si dhe është botuar në:

“Rrënjët”, “Fjala”

revistën “Shkëndija”

gazetën “Destinacioni”

“Qendra Press”

Poetja zotëron bukur nocionin artistik dhe aureolën e muzës, duke zgjedhur ngjyrat e bukura e të shumllojshme të ylberit dhe, me penelatat e frymëzimit, na qëndis yjet e shquar, ikonat e artistëve të nderuar, duke na paraqitur një tablo njohurie, një referencë informacioni të vlefshme në këndvështrim realist.

Poezia e kësaj poeteje është e vërtetë, e gjallë; i ngjan një luleje të freskët, plot jetë, të rritur në një truall të mirë e të pasur me elemente që i japin gjallëri bimës.

Poezia e Mozës pëlqehet, sepse ajo shkruan me vargje zemre, me përqendrim, arsyetim dhe inteligjencë të thellë logjike. Ajo pasqyron dëshirat që do të ushqejë dhe sjell një rrëfim të gjallë, me fjalë të goditura e me fuqi të madhe shprehëse.

Me inteligjencën e saj, ajo ka arritur të na sjellë të gjitha perlat e shpirtit krijues. Së shpejti, ajo do të na sjellë edhe një roman, pas pesë librave me poezi.

Të jesh thjesht poete është një dhunti e Zotit; ndërsa të jesh poete dhe njeri, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, është mrekulli e Zotit. E pra, poetesha dhe njeriu tek ajo janë vërtet një mrekulli!

Tek ajo ndërthuren kaq bukur cilësitë më të mira njerëzore me dhuntinë e krijimit. Shpirt dielli dhe mirësie, siç e ka cilësuar Mimoza Ruko poeten Mimoza Halili, ku një sinkronizim i përkryer i çdo fjale e vargu me zërin e saj të ëmbël dhe melodioz i japin poezisë “Ah moj vjeshtë” të autores së talentuar një dimension të ri dhe e përjetësojnë në altarin e ndritur të interpretimit, aq mjeshtërisht të sjellë para nesh nga artistja Mimoza Ruko.

Natasha Kanani e komplimenton: “Poezitë e tua kapin Alpet, zemër e dashur!”

Në librin “Kodi i dashurisë”, kjo poete fisnike, që di të zbukurojë mirësinë me poezitë e saj, ka derdhur artin poetik në forma të ndryshme, me tematika të larmishme, të ndërthurura me mesazhe përparimi dhe atdhedashurie. Ajo trajton tema si dhunimi dhe vrasja e gruas, emigracioni, malli që bren, meraku për gjuhën mëmë, si dhe lirikat e dashurisë, të shkruara me mendime të thella, shprehje dhe rima të përsosura, mjeshtëri artistike, stil të gjallë, gjuhë të rrjedhshme dhe ndjenjë të bukur e të veçantë.

Ajo përdor figura të zgjedhura artistike. Tek poezia “Gjuha”, një perlë poetike edhe në interpretim, siç shprehet Gjelina Maçi Koçi, “sa herë e lexon, bëhet edhe më e bukur; përfshin gjithë trojet shqipfolëse, me kreativitet dhe pa të meta”. Urime!

Ky libër ka marrë 536 klikime dhe 304 komente. Ndër to spikat edhe poezia kushtuar popullit të Ukrainës, e cila u botua edhe në gazetën e Gjin Mustës “Një dritare e re”. Është një temë mjaft aktuale, e trajtuar me mprehtësi, mençuri, zgjuarsi dhe origjinalitet, ku poetja denoncon shkaktarët e luftës dhe përshkruan dhimbjen që ajo sjell.

Vargu i poezive të Mimozës është i bukur dhe i punuar me mjeshtëri artistike. Pena e saj e artë gdhend fjalë që duket sikur dalin nga dritarja e mendjes, e shpirtit dhe e zemrës. Fjalët e saj kanë aromë, kanë peshë shpirtërore; ato mendojnë, qajnë, buzëqeshin, këndojnë, godasin dhe luftojnë fenomenet negative, duke mbushur shpirtin me dritën që poetja përcjell përmes mesazheve pozitive dhe dashurisë. Ajo derdh gjithë ngjyrat e shpirtit të saj të bukur, të pastër e të çiltër.

Një poete, mikesha e saj Daisy Elbasani, në një koment për Mimoza Rukon, shprehet për Mimoza Halilin: “Është me vlerë komenti juaj, sepse ajo ka një penë të bukur dhe një shpirt të madh… fjalë të ëmbla në komentet e saj, plot bujari shpirtërore; e ndjen që ke një mike që të mbështet.” Respekte për të dyja Mozat dhe përqafime!

Idajete Xhelo shprehet se poetja Mimoza është një “poete shpirt diell”.

Në librin me poezi “Gjuha e nënës, bajrak i shkronjës”, nuk lexova vetëm poezinë, por edhe shpirtin e saj auror, të pranishëm e të ndritshëm, duke derdhur gjithë bukurinë shpirtërore dhe muzën e magjishme në ato vargje që përcjellin muzikalitet fjale, nota të pasura me larmi. Mimoza ka një shpirt të ndjeshëm, të prekshëm, të dhimbshëm, të virtytshëm njerëzor, që përshkohet nga pathosi, dashuria dhe vlerat njerëzore, duke krijuar një spektër pozitiv e harmonik me tingujt e zemrës.

Shpirti poetik i poetes mban emrin e njeriut të thjeshtë, i cili ka gjetur strehë në zemrën e saj të madhe sa kupola e diellit, me bujarinë e pamatë në rininë e blertë të Myzeqesë, duke u bërë njësh me të në dhimbje, gëzime e drithërime, herë-herë në një udhëtim mallëngjyes drejt vendlindjes.

Ajo kërkon, madje dëshiron, që njerëzit të mos qëndrojnë indiferentë ndaj padrejtësive, varfërisë, dhunës konservatore, përçmimit dhe kufizimit të zërit njerëzor, që në terrin e sfidave moderne prekin ëndrrat drejt shtegut të dritës. Të predikosh mirësinë, ta qëndisësh me penelata arti buzëqeshjen e jetimit, të ndihmosh njerëzit pa dallime racore — janë fenomene që duhen përkrahur dhe mbrojtur, ndërsa të kundërtat duhen luftuar, sepse janë të dëmshme për shoqërinë, familjen dhe individin. Këto janë tema që Mimoza i trajton me një veshje të bukur poetike.

Autorja derdh në poezi pentagramin e shpirtit, të jetës dhe të emocioneve; ndaj shkrimet e saj janë të thella, filozofike, të ngritura në art, me një pjekuri që buron nga zjarri i përjetimeve që ngrohin zemrat tona, një pozitivitet hyjnor, binom i lumturisë.

Nga arti i saj nxirren vlera të mirëfillta, pasi ajo është njohëse e mirë e proceseve jetësore reale dhe e fantazisë krijuese artistike. Misioni i saj mbresëlënës është ta bëjë sa më pjellore ekspozitën e germave të arta dhe të dobishme në zhanrin letrar.

Ajo shkruan vargje idilike me ngjyrat e lenteve në “kamerën” e shpirtit, me nostalgji e dashuri, me përqendrim dhe ekuilibër, duke ndërthurur arsyetimin e thellë, logjikën dhe thjeshtësinë — prandaj poezia e saj pëlqehet. Poezia e saj është një vibrim cilësor, i afërt me lexuesin, sepse pasuron shpirtin, e nxit dhe e ndihmon atë të rritet e të formojë personalitetin mes sfidave të kohës.

E vërteta në vargjet e saj mbart zërin e jetës, melodinë e një kënge ritmike; shohim një nerv të gjallë që lëviz në mendime dhe parime, që emancipojnë dhe pasurojnë poezinë me ide të reja.

Fjalët në vargje janë burim kroi, aureolë buzëqeshjeje, një rreze drite, një vals pranvere. Në këto mijëra buzëqeshje gjejmë sinqeritet, çiltërsi, pastërti e kaltërsi, veti të harmonizuara bukur.

Fjalët e saj, në udhën e shkronjës, në bajrakun e atdheut, të vatrës e të nënës, janë vegim plot dlirësi dhe shpirt të virtytshëm. Ato kanë dukuri ylberore, prirje dhe bukuri poetike. Ngrohin vargun me aromë lulesh; janë të fuqishme, të bukura, të ndjera, të forta, të ëmbla dhe origjinale.

Fjala e saj pëlqehet, sepse ajo e bën qiellin të ndriçojë edhe kur është i mbuluar nga një tis i errët; zbret Kashtën e Kumtrit në mesditë, tund fuqishëm edhe malet, përshkund borën në majat e Alpeve dhe, si një fishekzjarr në ditë feste, çliron relievin e mallit për tokën e bekuar — thesaret e qytetit të dashur, si një kartolinë me vulë përtej kufijve të mërgimit.

Poezitë e kësaj poeteje janë një kopsht me lule që e kthen parajsën e urtësisë në një lulishtore të gjallë. Zjarri i shkrimeve të saj nuk të djeg si magmë, sepse ai di të ngrohë si prushi në oxhak ata që dinë të lexojnë mirë kuptimin e gërmave shqipe. Dashuria njerëzore del e qartë, e kthjellët si një shatërvan me jargavanë në poezinë e saj.

Sa bukur shprehet:

“Bjeri, bjeri çiftelisë, rapsod,
Thuaju telave — o të tundet mali,
Të timbojë portë më portë,
Oj, oj, të këndoj një këngë malli!”

Sepse, vërtet, në një diapazon të gjerë vështrimi, ajo nuk njeh shtet, kufi, mur apo ndarje, duke shprehur magjikisht gjithë garniturën e mirësisë. Ajo jep mesazhe universale për dashurinë, e cila hap derën e vlerave njerëzore dhe nuk është vetëm mozaik i kujtesës apo pjesë e jetës, por vetë jeta.

Dashuria në poezinë e saj nuk është thjesht diçka arsyetuese, por një brohorimë në flukse mrekullie, kur ajo prek shpirtin admirues të lexuesit dhe krijon një urë lidhëse të kuptueshme. Ajo e dashuron poezinë me pjalmin e zemrës deri në ekstazë dhe gëzohet kur i thonë se krijimtaria e saj është një vlerë e vërtetë.

Në orbitën e natyrshme, largpamëse dhe magnetizuese të letërsisë, ajo ka një penë magjike. Mozen e ka shtyrë drejt botimit prirja dhe pasioni. Edhe pse luan shumë role, ajo është mbi të gjitha nënë — fëmijët i quan thesarin e zemrës.

A nuk është edhe libri një thesar i çmuar, një testament i gjuhës shqipe, që ajo ua përcjell fëmijëve të saj, duke i udhëzuar dhe edukuar me dashuri për traditat e atdheut? Ajo është bashkëkohore dhe familjare, e përkushtuar me devotshmëri, duke e konsideruar familjen të shenjtë. Punon me orë të gjata, pa u ankuar, nën petkun e mërgimit që ka zgjatur dekada, duke shpresuar ende kthimin në vendlindje.

Një punëtore e palodhur, që nuk është stepur nga asnjë sfidë, e dekoruar për kontributin e saj, gjë që e ka ndihmuar të ecë përpara në shumë drejtime të jetës. Ajo ka arritur ëndrrën e saj si nënë, bashkëshorte, grua dhe poete, dhe është krenare që nuk iu përkul asnjëherë vështirësive të jetës.

Respekte penës së kësaj poeteje të artit, një poete e vlerave të bukura! Në një kohë kur leximi po zbehet nga digjitalizimi, përmes leximit të thellë mund të zbulojmë histori që tejkalojnë pritshmëritë, që mësojnë, frymëzojnë dhe lidhin përvojat njerëzore.

Në fund të fundit, bukuria e historisë së secilit prej nesh u zbulohet atyre që kanë durim dhe kureshtje për të lexuar përtej kopertinës, jo thjesht sipërfaqen, e cila nuk mjafton për të kuptuar kompleksitetin e brendshëm.

Duke ndarë pasionin e saj poetik me brezat e rinj, poetesha Mimoza do të lërë një trashëgimi të vyer dhe frymëzuese për të ardhmen e artit poetik. Nuk ka gjë më të bukur se të kesh shpirt artisti dhe thesarin që ke ta shpërndash tek të tjerët.

Kjo eshte Mimoza e vertete , ate miresi qe shperndan si ato rrezet e diellit qe bien ne sy kur ndesh diellin qe te bie ne sy , kur ndesh driten e agimit te bardhe .