Një urim për aktorin Karafil Shena-Arben Iliazi

Arben Iliazi

Sot, miku im, aktori Karafil Shena feston 70 vjetorin e lindjes dhe ne i urojmë të festojë sa më shumë vite të tjera!
Shena është një ndër figurat e shkëlqyera të artit skenik, me kontribut të çmuar në artin e interpretimit, duke dëshmuar talent jo të zakonshëm në të gjitha elementet e aktrimit dhe në ndërtimin e karaktereve.
Regjisoret e njohur dhe koleget e mi te dikurshëm në teatrin e Sarandës, Thoma Milaj e Vangjel Agora, më flisnin shpesh për këtë aktor, se si ai e rrëmbente skenën e teatrit me zhurmë, me forcën e thellë të fjalës së matur, gravitetin e figurës që nuk ka nevojë të flasë shumë për të thënë gjithçka, një aktor me temperament impulsiv e vrullime të veprimit fizik, që kalonte lirisht nga gjendjet dramatike në ato komike. Ai mishëroi në rolet e tij të shumta prototipin e shqiptarit të mençur, të përulur, të drejtë, shpesh të vendosur në pozita etike.
Aktori K. Shena e ndërtoi figurën e vet artistike jo mbi rrahjen e egos, por mbi përkushtimin, karakterin dhe besnikërinë ndaj misionit krijues.
Pas përvojës së madhe ne teatër, ishte kinematografia që do t’i jepte Shenës një shtrirje më të gjerë publike, duke i besuar një seri rolesh, që përbëjnë sot një arkivë të çmuar të personazheve dhe identiteteve shqiptare. Në disa filma, që kanë mbetur në fondin e traditës sonë kinematografike, Shena bën një lojë të kombinuar, midis rrafsheve të buta e të përthelluara psikologjike dhe toneve të forta.
K. Shena nuk ndërtoi vetëm personazhe, ai gdhendi profile njerëzore, krijoi identitete të kujtueshme dhe, përmes një gjuhë aktoriale të thjeshtë e të ndershme, krijoi një arketip të shqiptarëve të zakonshëm që mbajnë mbi shpinë jetën me dinjitet.

BIOGRAIA:-

Karafil Shena (1956). Aktor. Lindi në Tiranë, më 19 mars. Mbaroi shkollën e mesme të Kulturës në vitin 1976 dhe më pas një stazhi pune në minierën e kripës Sarandë, hyri në Institutin e Lartë të Arteve (dega e dramës), të cilin e mbaroi në vitin 1981.

Po në këtë vit filloi punën si aktor në Estradën e Sarandës, ku punoi 6 vjet, duke luajtur në tre premiera çdo vit, 4-5 role te secila. Interpretoi në dramën “Monserati” rolin e tregtarit, dhe në komedinë muzikore “Flokë dëbore në prill” të Pëllumb Kullës.

Në vitin 1987 u emërua aktor në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, luajti role të para te: “Gjashtë vjet” e V. Hebës, “Përshpëritje në shtëpinë e Matildës” (kapteri Xhorxh), “Ylli pa emër” e M. Sebastian (shefi i stacionit), “Lebra” e H. Ball.

Në kinematografi ka luajtur në filmat: “Ne çdo stinë” (pseudoshkrimtari), “Dy herë mat” (polici), “Dritat e qytezës” (Sandri), “Kërcënimi” (Jaçe), “Kush është vrasësi” (Danieli). Emigroi në Greqi në vitin 1993. Interpretoi në teatrin “Bota e Re” në dramën dygjuhëshe (greqisht-shqip) “Emigrantët” të polakut Mrozhek, rolin e intelektualit.Në vitin 2011 luan tek filmi “Amnistia” rolin e Shpëtimit të regjisorit Bujar Alimani.

Është aktivizuar në shfaqje të tjera të teatrove greke, si: “Gostia e La Vitalit”, “Dyer të mbyllura” të Zhan Pol Sartrit, si edhe në filmat grek: “Mirupafshim” në rolin e Çelos, “Brazileva” (rol episodik), “Mbreti” ne rolin e shqiptarit, “Pengu” rol episodik