Boris Miska

Nuk ishte hera e parë që publikonte, por për çudi atë ditë do donte ta kishte në sallë, mes të ftuarve, pikërisht atë, personazhin real në libër.
Pas disa ngurimesh kishte guxuar ta shkruante, ose më saktë ta hidhte në kompjuter, pasi prej dekadash ai subjekt flinte në qenien e tij si diçka tepër e vyer dhe e shtrenjtë.
Prej kësaj procesi i shkrimit pati rrjedhur shpejt, a thua se po kopjonte historinë e tjetër kujt, por harronte se ajo ishte e kaluara e tij, një fragment, një çast, e jetuar aq bukur, aq magjishëm sa nuk mjaftonte një roman, sado në faqe e tirazh ta botonte.
Promovimi nuk kishte zgjatur shumë, dhe në fund Bujari ishte ulur në cep të salles, pas një tavoline, dhe po hidhte autografin mbi çdo libër, që të ftuarit ia afronin njëri pas tjetrit.
Kjo ngutje s’i kishte pëlqyer asnjëherë, sepse nuk donte të shkruante aq pak, dhe në faqen e parë të mbetej ajo firmë e tij si shkarravinë, të cilën e kishte të zorshme ta hidhte të njëjtë.
Tek shkruante dhe shkëmbente buzëqeshje e takime duarsh me miq e shokë, dalloi shoqen e tij të fakultetit që po priste fare pranë.
Pa ia ndarë vëmendjen afrimit të Lorit, nguti pak firmosjet dhe në momentin kur ajo ndali para tavolinës, mori një kopjo dhe në pjesën ballore shkroi me qetësi:
“Aurorës, personazhit kryesorë të novelës. Me shumë dashuri, Bujari”.
Dhe më poshtë shtoi:
“Mbetem në padurim derisa të marr vlerësimin tënd për librin”.
Hodhi me kujdes firmën në faqen e hapur që i afroi Lori, dhe u ngrit për ta përqafuar.
I la në dorë kopjon me dedikimin për miken e përbashkët, dhe duke buzëqeshur i tha me zë të ulët:
-Postoje, adresën e ke të shkruar.
Nuk e hamendësoi që novela :”Koha e dashurisë” të pritej aq mirë nga të ftuarit. Ato ditë kritika e kishte vlerësuar duke e cilësur si një nga librat më të arrirë prej tij.
Më të spikatura ishin urimet e sinqerta prej bashkëkohësve të vet, miq e shokë, sepse ai libër i kthente pas, në ato faqe gjithëkush gjente diçka të tijën, përjetime nga dashuritë, kohën e shkuar, andrallat, jeta studentore rinore, aventurat e moshës.
Ajo ditë me shumë tendosje dhe emocione të pritshme, i ishte dukur e gjatë dhe nga lodhja përtoi të bënte ritualin e përnatshëm, ecjes me hap të shpejtë.
Që nga momenti i mbërritjes në shtëpi, celulari s’kishte rreshtur së sjelli mesazhe, herë në rrjeshta të kursyera, e në shumicën e rasteve me dedikime të zgjatura dhe të mërzitshme.
Përvoja e mjaftueshme e marrjes me botime, i kishte treguar se ata që tjerrin shumë ishin përgjithësisht njerëz të përciptë, që flisnin gjatë pa e kuptuar shkrimin, librin, skicat, apo tregimet që ai publikonte, ndaj i hidhte pas shpine pa i fyer, më tepër kushtohej ndaj heshtjes së disave, apo fjalive të kursyera që vinin prej lexuesve të vëmendshëm.
Po rrinte i ç’tendosuar në divan, me shikim të përhumbur mbi një serial televiziv, të cilin e shoqja e ndiqte plot kureshti, ashtu si shumë gra të moshës së saj, kur ndjeu zilen e telefonit.
Në celular po e thërrise Lori, mikja e tij.
-Mirëmbrëma Bojko!
Kështu e thërrisnin dikur shkurt, shokët e gjimnazit, apo të kursit në fakultet.
-Ç’po bën, mos iu bezdisa kaq vonë, se duke u marrë me disa punë shtëpie nuk e vura re si ora fluturoi aq shpejt.
-Jo jo Lori, po rrimë me Anën duke parë një film, më shumë ajo, se unë pata pak nevojë të relaksohem.
-Si t’u duk promovimi sot, se ti e di unë asnjëherë nuk dal i kënaqur, do nxjerr ndonjë yçkël!
-Perfekt, zgjati aq sa duhet, për mua u prit me kureshti, tani shijo përshtypjet e pasleximit, e di që kjo fazë të ndihmon më shumë Bojko.
Ato pak fjalë të shprehura nga një mike të cilën ai e vlerësonte vazhdimisht, e ngrohën shumë. Të dy asnjëherë nuk i patën shkëputur komunikimet, kishin njohje familjare, dhe pas çdo bisede a takimi merrte me vete një ndjesi të butë, e cila buronte nga vitet e sinqerta të shkollimit.
-Bojko!
-Porosinë ta çova atje ku më the.
-Si reagoi!
-Nuk foli, vetëm vura re se kur e mori librin duart po i emocionoheshin, reagim që mesa e njoh tek ajo dallohet rrallë. Ndaj për një moment pata përshtypjen se do ma refuzonte, por lavdi Zotit nuk ndodhi, se nuk e di si do veproja.
-Mos i shkruaj këto ditë, se e di unë që ti e pret si ujët e pakët opinionin e saj.
-Lere ta lexojë me qetësi.
-Kur u ndamë i thashe vetëm kaq:
-Eshtë për ty, ai me këtë libër të ka thurur një himn dashurie.
-Faleminderit Lori, u shpreh zëqetë Bujari, je një mike e mirë.
E shoqja duket ngaqë tingulli i të folurit doli disi ndryshe, la serialin dhe po e vështronte, ajo dallonte tek ai edhe nuancën më të vogël emocionale. Ana nuk ishte xheloze, edhe pse e dinte mirë se vajza e novelës ishte personazh jetësor të cilën Bujari e kishte dashur në kohën e fakultetit. Rrjedha e mëvonshme, emërimet larg njëri-tjetrit, dhe disa rrethana të kohës i kishin ndarë.
Në pak çaste shkëmbyen vështrime të qeta dhe kjo për shkrimtarin dhe bashkëshortin donte të thoshte shumë.
-Lori edhe një herë të jam mirënjohës për gjithçka, ke shumë të fala nga Ana.
-Natën e mirë, do dëgjohemi këto ditë, përshëndete Çimin nga ne.
-Mbrëmje të qetë!
Që prej asaj nate kish rrjedhur shumë kohë, dhe Bujari ditë pas dite krahas ankthit e padurimit, ndjeu se shumëpritja për një reagim prej Aurorës po venitej.
Në një nga këto momente po qëndronte i vetmuar në heshtje, në një lokal pranë shtëpisë, me një filxhan të sosur kafeje, ashtu si dhe shpresa e tij.
Qe tunduar disa herë t’i shkruante Aurorës, të nxiste një sebep, të hidhte një hap, por nga hezitimi ishte tërhequr.
Këto dështime e patën stresuar më shumë, e futën në një gjendje pasigurie dhe kohë pas kohe endej në analiza e supozime. Disa herë gjatë periudhës së shtypshkrimit, kur gishtat e tij luanin mbi tastjerin e kompjuterit, ndalej pa vetëdije, jo per t’u çlodhur, por për të hamendësuar se si do të pritej prej Aurorës ky, apo ai episod.
Nuk i kishte ndodhur më parë, kjo duket ngaqë libri i radhës nuk ishte triller, as ndodhi e tjetër kujt, por një histori reale e jetës së tyre. Ky makth i rishfaqur disa herë e kishte shoqëruar si fill mbi faqet e novelës, duke e ngërthyer me merakun e mbërritjes së reagimit prej personazhit qendrorë në libër.
Në dallim nga botimet e mëparshme, kur lexonte me qetësi kritikën, tek ky i fundit Bujari ishte treguar moskokëçarës, çdo gjë e kishte nervozuar, i ishte shmangur, i pati pritur ftohtë, me shikimin e fokusuar tek sipari i një skene, pas ngritjes të së cilës rrekej t’i shfaqej aktorja kryesore e dramës. Jo pak herë ai i këmbente rolet, kthehej në regjizor, hipte veten në skenë dhe kërkonte poshtë në plate, me sy të ngulur mbi duartrokitjet, për të shquar siluetën e personazhit së tij, portretin e saj, në ishte e qeshur, entuziaste e duke rrahur shuplakat, apo me buzët e saj të shtrënguara si dikur kur hatërmbetej!
Të nesërmen Bujari u ngrit vonë, ishte ditë e shtunë
Shtëpia iu duk e ftohtë, dhe nga heshtja e zgjatur u ndërmend se Ana dhe vajzat nuk ndodheshin aty, por udhës për në Korçë. Me miket e koleget e punës ato do kalonin një fundjavë në qytetin e bukur jugor.
Për atë paradite nuk kishte asgjë të planifikuar, ndodhej krejt bosh, i qetë dhe në dëshirë për të bëra ca hapa.
Zgjodhi veshje sportive, xhinset, një bluzë të hollë, xhupin e lehtë dhe atletet e bardha.
Hodhi një vështrim tek pasqyra e korridorit mbi silueten e vet, nga këmbët tek koka, shpupurisi pak flokët dhe në dalje fiku dritën.
Jashtë koha ishte e kthjellët, dielli i ndali në fytyrë duke i dhënë një përqafim të ngrohtë, të cilën e priti plot ëndje, ishte një ndjesi e ëmbel që rrallë ditë e përjeton si kjo.
Klima e Tiranës në motet e kthjellta të dimrit i afronte banorëve të vet një diell tepër miqësorë, të cilin mund ta shikoje në sy, pa lotuar, siç vështron një vajzë të bukur kur zgjohet në mëngjes.
Bujari pëlqente hapsirat e bollshme në trotuaret e bulevardit, sepse aty çapitej i lirë, i pabezdisur nga baritjet e rrëmujshme të kalimtarëve. Në trotuaret e gjëra këmbehej me kalimtarë të pakët, të cilët ia shquanin më shumë përmasat, se sa kur ndodhej pa njerëz në luspat e gurta.
Rrugës vozisnin në ritme të qeta plot makina, ato shquheshin më shumë nga dritat e kuqe të ndaluar para semforëve.
I ngacmuar nga hijet e ndërprera të pishave në bulevard, hoqi syzet e diellit dhe i futi në xhep.
Po kalonte skej ish-hotel Dajtit, duke sjellë në përfytyrim kohën kur ajo ndërtesë ishte një nga hotelet më të preferuara të kryeqytetit, kur në një moment ndjeu celularin, më saktë një tingull pas të cilit vinte një mesazh, a njoftim.
E nxorri nga xhepi i brendshem i xhupit e ndërkohë teksa e preku ekranin mendoi se ndoshta po i shkruante Ana, apo njëra nga vajzat, duhet të kishin arritur, a ishin ndalur kund rrugës për ndonjë kafe.
Mbi simbolin e Messengerit pulsonte pika e kuqe me një njësh mbi të.
Numëri ndoshta nga drita e fortë pas, shfaqej i padurueshëm dhe herë-herë dukej sikur do bërtiste:
-Hape dreqin, a s’e sheh që mezi po rri!
Ataku gishtin mbi padurimin e shenjës, dhe priti të hapej faqja.
Ishte një mesazh nga Aurora!
-Mirëdita Bujar!
-Nuk e di si e ke programin, a mund ta pijmë atë kafen sot!!
Mbeti në hapin e ndalur dhe stepi për një moment, nuk e fshehu se ajo frazë i erdhi fare papritur, pavarësisht se para pak ditësh Lori i pati çuar lajm.
-Bojko, ajo do të shkruaj, pata përshtypjen se ndoshta do ta bëj shumë shpejt.
Dhe ja, tani e kishte në dorë njoftimin e saj e po mendonte përgjigjen që do i kthente.
Ato çaste iu dukën aq të gjata, sa do mjaftonin të shkruante një tregim.
Preku me ngut gërmat e tastierit dhe pas pak u shfaq në hapsirën tjetër:
-Mirëdita Aurora!
-Pa tjetër që do ta pijmë!
-Unë për momentin jam i lirë, ndodhem pranë Galerisë së Arteve.
-Me thuaj ku ke dëshirë të takohemi!
Përgjigjia nga përtej celularit, i cili tashmë rëndonte më shumë, mënoi pak, apo atë ndjesi pati ngaqë padurimi po bënte efektin e vet.
-Më fal se jam në trafik e të shkruaj me vonesë.
-Atëhere po parkoj poshtë tek Toptani dhe takohemi diku aty.
-Ok, iu përgjigj Bujari, të them për pak se ku do jem.
Rrugës nga pedonalja deri sa u afrua tek qendra tregëtare, e zgjodhi pa zor vendin se ku do qëndronin.
Ngjiti shkallët elektrike dhe ndali aty ku lexonte; ‘kati i 3’, përballë ishte një barë-kafe me emrin:”Mon Amour”.
Gjeti një tavolinë të lirë pranë vetratës së xhamtë, përtej së cilës shfaqej një pamje e bukur, xhamia e Namasgjasë, parku përballë parlamentit, akademia e shkencave me bustet e disa personaliteteve të dijes e kulturës, më këndej, fare afër kalonte rruga e gurtë e pedonales.
Po rrekej ta saktësonte se ku do i binte të ishte tani stoli i tyre, aty ku shumë vite më parë uleshin në mbrëmje pas oreve të leksionit.
Humbja e atij vendi po e trishtonte, ishte si një shenjë në hartë që ia kishin prishur, dhe ai tashmë e ndjente veten si një anije mes detit, pa busull, pa asnjë pikë orientimi.
Që në gërmimet e para e pati urryer godinën e madhe, gropa e hapur ishte aq e thellë dhe ngjante si nje krater i frikshëm. Ajo gojë e pangopur pati përpirë brenda disa javësh, pothuaj gjithë parkun, rrugën, trotuarin, bordurat, pemët e stolat, netët me kujtime.
Megjithatë edhe pse në mëri të papajtueshme e frekuentonte shpesh qendrën tregëtare, sepse ishte i vetmi vend ku nuk e shikonte atë përbindesh, në barkun e të cilit lëviznin si milingonat me mijra njerëz në ditë.
Kërkoi numërin e celularit të Aurorës dhe i nisi një thirrje.
-Alo!
-Po Bujar, sapo parkova, ku ndodhesh!
-Tek stoli ynë, ishte përgjigjia e tij e ardhur krejt natyrshëm.
Përtej u dëgjua një qeshje e dlirë, ishte po ajo, e saj dhe e pa ndryshuar si dekada më parë.
-Aurora, ngjit shkallët elektrike, në katin e tretë, aty ku shkruan “Mon Amour”, jam pranë dritareve.
-Ok, erdha.
Ndërkohë pas pak kamarjeri i solli shishen e ujit që kishte porositur.
E deshte për t’u freskuar, më pas ndoshta do kërkonte një kafe, ajo mund ta qetësonte disi, ashtu si edhe t’ia shtonte tensionin, të cilin për momentin e kishte në puls të rritur.
U kthye në karrige me pamje nga shkalla që s’ndalej, i fokusuar mbi kokat që ngjiteshin në radhë pas njëra-tjetrës. Pati shumë dëshirë ta fiksonte atë moment ardhje, e mendoi, por nuk do ta bënte, ishte shumë i rritur për lojra të tilla, aq më tepër që takimi vinte pas kaq kohësh dhe nuk e dinte si do e priste Aurora.
Shfaqja e saj tek shkallët dhe ngjitja e ngadaltë derisa hodhi hapin e parë, ishte si një sfillim, si hapja e një skene.
-O zot, si ka mundesi, mendoi tek po i afrohej pranë!
Po ai hap, po ai trup i gjatë, po ato lëkundje flokësh, e njejta buzëqeshje, i njejti përjetim!
U ngrit në këmbë dhe doli pak para, u përqafuan, flokët e derdhura ia ledhatuan faqet, preku aromën e saj, ndjeu frymëmarrjen e shpeshtuar, dhe gishtat që dridheshin nga emocionet.
Ai nuk ia lëshoi duart, u tërhoq një hap, deshte ta kundronte më shumë, dhe ato çaste ajo anoi pak kokën në përkëdheli nga e djathta, si në takimin e asaj mbrëmje shtatori.
Ndjeu tik-takun brenda vetes, sepse në ato pak sekonda koha filloi të lëvizte atje ku kishte ndalur mote të shkuara!
U ulën përballë njëri-tjetrit, pa i ndërprerë shikimet për asnjë çast. Duart e saj ishin lëshuar mbi ato të Bujarit dhe nga dimensionet e ndryshme ngjanin si dy zogj të strukur në fole.
Ishin pak të ftohta, si në ato mbrëmjet e dimrit kur dilnin vonë nga leksionet, ndaj Bujari i afroi dhe i mbështolli të dyja me butësi, aty mbi tavolinë.
Edhe pse filluan bisedën, duart e tyre qëndruan ashtu deri në momentin kur kamarjeri u afrua që të merrte porosinë.
-Rora çfarë do marrësh!
-Një lëng portokalli, të freskët, u përgjigj me vështrimin e kthyer mbi aparatin shtrydhës.
-Ndërsa për mua një ekspres.
-Ok, tundi kokën djali në këmbë, dhe u largua me hap të shpejtë për tek banaku.
Folën gjatë, pa vënë re orën që po i afrohej drekës.
Për një moment Bujari u afrua më pranë dhe as vetë s’e kuptoi pse intonacioni i zërit doli disi ndryshe. Ndoshta nga droja se biseda mund të bëhej më serioze, apo nga padija e reagimit të saj për pyetjen që po priste pezull mbi suprinë, mes të dyve.
-Aurora!
-Që prej çastit kur fillova ta shkruaj librin, deri tash në këto momente, kam mbetur në padurim për ta dëgjuar mendimin tënd.
-Të gjitha ç’ka janë thënë deri tash për të i kam lënë mënjanë, nuk më kanë interesuar, s’u kam besuar, e dua fjalën tënde, sido që të jetë.
Lutjes plot sinqeritet të shkrimtarit iu bashkuan shumë shpejt edhe emocionet e personazhit të gjallë, gruas në tavolinë për të cilën ai kishte shkruar.
Bujari hodhi vështrimin tek gishtat e tij të zgjatura si bageta e dirigjentit mbi tensionin e tingullit të parë, dhe pas një lëvizje ndjeu ritmin e shtuar të frymëmarrjes së Aurorës.
U drodh pak, sepse nuk po e lexonte dot.
Herë i shfaqej si një grumbullim mërishë, e herë si një kërkim kohe për ta zgjedhur fjalën, a rregulluar ritmin e frymës.
-E kam lexuar disa herë Bujar.
-E prisja me ankth derisa ma solli Lori.
-Biles atë ditë, para saj, më mori në telefon një shoqe, dhe më foli për librin.
-Ai ka shkruar për ty!
-S’e prisja, nuk dija ç’të thoja, ku do ta gjeja librin.
-Nuk e di se si do e kaloja atë natë sikur mos vinte Lori!
Teksa Aurora fliste pas pak sytë filluan t’i njomen, dhe ato emocione fluturuan si krahë dhe e tërhoqën pranë saj Bujarin.
Pa kuptuar ishte ngritur prej karriges dhe e gjeti veten mbas shpatullave të Aurorës, të cilat u drodhën sapo ai u afrua dhe e përqafoi.
Ajo ngriti pak kokën drejtë tij dhe priti me qetësi duart që qarkuan faqet e lagura.
Ndjeu buzët tek flokët, puthjen e lehtë pranë ballit dhe duart e saj që u bashkuan me të tijat.
-Bujar, iu drejtua Aurora, sapo ai zuri vend sërish përballë saj!
-Desha të ma thuash, pse duhej ta bëje publike dashurinë tonë, ç’të nxiti ta botosh librin!
-Rora!
-Ai libër je ti, jam unë, jemi ne, dhe prej vitesh priste brenda meje. Në dorëshkrim nisa ta hedh shumë kohë më parë. Erdhi gjithçka natyrshëm diktuar edhe nga disa rrethana që jeta m’i përplasi fillë pas hyrjes së dekadës së re.
Ka qenë për mua si një lloj rrëfimi, reflektimi ndaj atyre rrjedhave të shpejta, jo vetëm për marrëdhënien tonë, por më gjërë, sepse prej distancimit në hapësirë munda t’i shoh ndryshe, më të kompletuara, preka shumë faktorë dhe personazhe, edhe pse në dukje larg nesh, që patën jo pak ndikim, aq sa do të thoja se ishin përcaktuese, pse jo edhe fatale.
Ne nuk ishim viktimë e intrigave të vogla, që rëndom kanë gjalluar në çdo kohë, por të disa faktorëve të tjerë madhorë, pranë e larg nesh, të cilave nuk mund t’u rezistoje.
-Më ke habitur Bujar kur i lexova, nuk i kuptoja kështu kaq thellë!
-Ke qenë dhe je vëzhgues i hollë, ndryshe nuk mund t’i mbaje mend e t’i analizoje disa skena që mua më tronditën.
-Sidomos ai momenti tek koncerti që e ke përshkruar me detaje, më ka befasuar.
-Ç’kishin me ne Bujar, pse na shikonin ashtu!
-Xhelozia e pushtetit ka dimensione të tjera Rora, nuk është thjeshtë në një raport njerëzor, femër, mashkull, por është zili, frikë, shqetësim, e konsiderojnë rrezik, cënim të një pushtetit të paprekshëm.
-Sepse po rriteshim, po krijonim personalitetin tonë, ngjanim më të bukur se ata, më të vërtetë, të dashuruar dhe të shpenguar.
-Për këto arsye ai libër u formësua në dimensione më të shtrira, erdhi i ndërthurur me ngjarje politike madhore të atyre viteve, përfshiu figura e personazhe reale me emra të tjetërsuar, porse gjithkush në moshën tonë e kupton se për kë bëhet fjalë.
Bujari uli disi ritmin e bisedës, sepse e ndjeu veten të përfshirë nga pasioni për të folur rreth atyre ngjarjeve.
Ndali pak dhe i drejtohet duke e parë në sy:
-Aurora!
-Ky libër është një përpjekje imja për të folur, për të treguar, për ta pastruar shpirtin, për t’u çliruar nga disa pengje.
E them edhe aty në një moment pendimi se: “isha i pafuqishëm”, sepse “nuk munda ta mbroj dashurinë time”.
-Sot mund të quhet dobësi, mungesë formimi, karakter i dobët, a ku di tjetër, por vetëm njohja e atyre rrethanave e kushteve të sjell në gjykime më objektive e të drejta!
-Eshtë një ndjesë e thënë me zë të lartë ndaj teje, detyrim i ndjerë dhe i sinqertë që po e përsëris edhe tani:
-Më fal Aurora për disa sjellje e gjykime të gabuara, që të kanë rënduar me pa të drejtë.
Sapo ndali pak, Bujari ndjeu afrimin e duarve të Aurorës që i vendosi mbi të tijat.
Ishte një ledhatim që përçoi më shumë se një fjalë, apo një e falur.
Nuk e di se sa mund të qëndronin ashtu sikur mos i ndërpriste kamarieri, i cili kërkoj të shlyhej për porosinë.
-Më falni për bezdinë, por më duhet të mbyll turnin.
Orët dhe minutat patën fluturuar fare pa u ndjerë, akrepat ishin ndalur tek treshi.
-Paska kaluar dreka, tha Bujari dhe bëri pagesën.
-Lëvizim!
-Po, miratoj me kokë Aurora, sot është e shtunë dhe gocat më presin të drekojmë bashkë.
-Edhe ty besoj..!
Bujari qeshi.
-Jo unë sot jam beqar, i tha me shaka.
-Ana dhe çupat shkuan në Korçë për fundjavë.
Ecën të dy drejtë shkallëve elektrike dhe pas pak kokat pranë e pranë zbritën ngadalë, dukeshin nga pas si aktorë që largoheshin nga skena në pritje të një akti tjetër.
Kur doli nga qendra tregëtare, dielli pati kaluar nga ana perëndimore dhe temperaturat ishin ulur, ndaj Bujari ndjeu pak të ftohtë.
Futi duart ne xhepat e xhupit dhe kaloi rrugën për në trotuarin matanë.
Kontrolloi celularin, nuk kishte asnjë mesazh, dhe për momentin e kaploi vetmia, ndaj hapat po i hidhte me shumë përtesë, donte që rrugën për në shtëpi ta zgjaste sa më shumë.
-Tërhoqi dorën bashkë me celularin nga xhepi sapo dëgjoi zilen.
-Lori!
-Po ti na paske ndjekur, e ngacmoi Bujari!
-Pse, me kë ishte!
-Uuu harrova unë, mos takove Aurorën, ngriti zërin mikja e tij!
-Po, sa u ndamë.
-Hë më thuaj, si shkoj takimi?
Pothuaj gjithë kthimin për në shtëpi Bujari e kaloi duke biseduar me Lorin, edhe pse
rrugët zhurmonin nga makinat dhe trotuareve të ngushta njerëzit ecnin në parregullësi acaruese.
Pas atij takimi me personazhin real të novelës pati një lehtësim të brendshëm.
Fjalët e Aurorës ishin si ajo nota maksimale që merr pas një provimi të vështirë. Të tillë emocion nuk kishte kapërcyllë asnjëherë, me asnjë libër, tregim a publikime të tjera.
Ndjehej i çliruar prej një barre që dita-ditë e kishte ngarkuar me makthe e supozime aq sa kishte hyrë në mëri me librin e vet.
Në mbrëmje do ulej sërisht të shkruante, ajo ditë e kishte çliruar prej ngurtësimit dhe padëshirës për të vijuar, aq sa kishte filluar të dyshonte se pas novelës ‘Koha e dashurisë’, nuk do mund të krijonte libër tjetër.
Para se të hapte derën e shtëpisë mbylli bisedën e gjatë me Lorin.
Edhe pse nuk ishte askush në apartamentin komod, shtëpia e ngrohu sapo hyri brenda.
Tek po vishte tutat dhe bluzën, sytë i shkuan tek kompjuteri, i cili iu duk sikur e ftoi me buzëqeshje, ata kuptoheshin mirë me njëri-tjetrin, kishte ardhur momenti që të pajtoheshin.
Shtypi butonin dhe në çast dëgjoi melodinë e çeljes së programit, pas të cilës u ul në karrigen rrotulluese dhe qëndroi aty pa lëvizur, me gishtat mbi tastjer, deri pas mesnate.
Mars 2026.