
– Vëllimi poetik “Unë humbësi yt” i poetit Ndue Dedaj –
Nikollë Loka
Në vëllimin poetik “Unë humbësi yt” të poetit Ndue Dedaj kemi një qasje interesante, ku mendimi filozofik, ekzistencial dhe ritmi narrativ bashkohen në një gjuhë të pasur figurative dhe konceptuale, ku përjetimi individual dhe ai kolektiv ndërthuren me një forcë vizuale dhe ndjesore të jashtëzakonshme. Ndue Dedaj është një poet epik, lirik dhe eksperimentues, i cili sfidon konvencionalitetin duke përbashkuar fantazinë, historinë dhe përvojën personale në një triptik të kohës, hapësirës dhe emocioneve. Poezia e tij shfaqet si një botë me shumë dimensione: nga kujtimet e fëmijërisë, te dashuria dhe përjetimet intime, deri te reflektimi mbi historinë kombëtare dhe trashëgiminë njerëzore. Me mjeshtëri, poeti ndërthur trashendencën metafizike me konkretësinë jetësore, duke ndërtuar një dialog të gjallë midis lexuesit dhe botës, ku çdo varg funksionon si një kompozim i kujdesshëm që pasqyron realitetin në të gjitha nuancat e tij, nga emocionet delikate deri te dimensionet më të thella filozofike.
Poezia bartëse e kuptimit metafizik dhe historik
Poezia e autorit Ndue Dedaj përfaqëson një univers të pasur krijues, ku përvoja personale, kujtesa kolektive dhe mitologjia ndërthuren në mënyrë jo të zakonshme. Mjeshtria e tij artistike shprehet përmes figurave letrare të përdorura, intertekstualitetit dhe ndjeshmërisë së hollë që ai ka për ritmin dhe muzikalitetin e vargut, duke krijuar një gjuhë poetike të dallueshme dhe shumëdimensionale. Ai zotëron një aftësi të rrallë në ndërtimin e imazhit poetik, ku çdo objekt, qenie apo fenomen bëhet mbartës i kuptimit metafizik dhe historik. Në vargun e tij, përditshmëria ngrihet në nivelin e ritualit epik, ndërsa përjetimi personal arrin në universalizim. Kështu, në poezinë “Zajet e lumit”, lexuesi ndeshet me një dukuri që nis si transformim i thjeshtë dhe përfundon në magji poetike: “Kam mbetur prapë ai djaloshi entuziast / që mblidhte zaje bregut të lumit / e bënte me to shtëpi të lundrueshme / për pinguinët pendëbardhë, / për ty e për vete.” Këtu, akti i thjeshtë i mbledhjes së zajeve shndërrohet në një krijim tërësisht metaforik, që bashkon fantazinë, nostalgjinë dhe dashurinë personale me reflektimin mbi jetën dhe përjetimet kolektive.
Një dimension tjetër i rëndësishëm i poezisë së Dedajt është ndërthurja e historisë dhe traditës me përjetimin individual; shfrytëzimi i referencave mitologjike, historike dhe folklorike për të krijuar universalen, si në poezinë “E pakufishme”: “Gjith’ lulet e bardha u bënë të verdha / gjithë yjet u kurorëzuan mbretër / të gjitha bletët u shpallën mbretëresha”. Ky transformim i elementeve natyrorë dhe historikë në simbole të pasura emocionale siguron kombinimin e figurës me ndjenjën. Përmes imazheve shumëdimensionale, perceptimi vizual, ndijor dhe historik i autorit ndërthuren me reflektimin filozofik, duke krijuar poezi që komunikojnë drejtpërdrejt me lexuesin.
Kohëzgjatja në poezinë e këtij poeti nuk është lineare; e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja ndërthuren pa hierarki, duke krijuar një ndjesi ciklike dhe meditimi mbi përjetësinë: një “kalendar i pashkruar ciklik”. Në ciklin “E gjithmotshme”, koha nuk shfaqet thjesht si vijë kronologjike, por si dimension i ndjeshmërisë njerëzore dhe reflektim mbi historinë, humbjet dhe përjetësinë. Në poezinë “Jehonë”, për shembull, trajtohet përjetimi i kohës dhe përkohshmëria e ekzistencës: “Sot asht herët, nesër asht vonë / Mes sodit e nesrës – nji piskamë. / A je gjallë, i lumi njeri? / A po vjen, a shkon…”. Këtu, kohëzgjatja individuale dhe kolektive bashkohen në një paradoks ekzistencial, duke e bërë lexuesin të perceptojë kohën si një entitet dinamik dhe të ndërveprojë me të. Poezi si “Metamorfozë” dhe “Historia” e shfaqin historinë si një cikël të përsëritur gabimesh dhe talljesh me heroizmat e së shkuarës, duke krijuar tension midis përjetësisë dhe absurditetit bashkëkohor, ku autori ndërton një dialog me lexuesin mbi jetën, pushtetin dhe moralin, ku historia dhe mitologjia shërbejnë si reflektim mbi natyrën njerëzore.
Ndue Dedaj zotëron një gamë të gjerë figurash letrare: metafora, simbole, paralelizëm dhe fragmentarizëm narrative, që përdoren për të ilustruar kombinimin e historisë e historisë dhe përvojës personale. Në poezinë “Kosovë” lexuesi ndeshet me një simbolikë të kohës së zgjatur dhe barrës historike: “Më duhet me ecë dy mijë vjet / Kah e shkuara, kah e ardhmja / Me mujt me ardhë në Vjetin e Zotit / 1999.” Këtu përvoja individuale bashkohet me përjetimin kolektiv, duke krijuar një sintezë poetike të identitetit dhe historisë.
Simfoni e ndërlikimeve shpirtërore dhe përjetimeve kolektive
Ekzistenca individuale në poezinë e Dedajt gjen kuptim përmes përjetësisë së artit dhe përvojës, duke e lidhur njeriun me një përmasë më të gjerë universaliteti. Në poezinë “Me Harrue”, fokusi zhvendoset te flijimi dhe memoria: “Nuk mundesh me harrue / se je flijuar përditë në vetmi, / duke dhënë e marrë me vdekjen / në mos si njeri, si perëndi!” Këtu autori krijon një dialektikë të fortë midis jetës dhe vdekjes, ku flijimi individual nuk është vetëm akt personal, por pjesë e përjetësisë dhe dialogut me të parët. Gjuha është e ngrohtë, intime, por e dokumentuar, duke i dhënë lexuesit ndjesinë e pranisë së përhershme të kohës së kaluar brenda vetëdijes së tashme. Autori vendos figura historike dhe kulturore në dialog me përjetësinë, siç shihet në poezitë “Lasgushi”, “Kadare me kryqin e tij” dhe “Vaçe Zela”, ku ikonat kombëtare dhe artistike bashkohen me refleksionin mbi kohën, duke krijuar një vizion që tejkalon përditshmërinë dhe ngre përjetimin estetik në nivel metafizik. Përdorimi i figurave historike dhe artistike, ritmet me ngjyrim ritualik dhe metaforat e dendura simbolike e vendosin krijimtarinë e tij në një hapësirë estetike që komunikon njëkohësisht me traditën moderniste dhe sensibilitetin postmodern. Në këtë kontekst, vëllimi poetik “Unë humbësi yt” i Dedajt shfaqet si një nga shembujt më domethënës të poezisë reflektive dhe simbolike në letërsinë bashkëkohore shqipe. Ndue Dedaj e shndërron lexuesin në dëshmitar të një rrëfimi poetik që kapërcen kufijtë e kohës dhe hapësirës, ku jeta dhe vdekja, arti dhe historia, fëmijëria dhe përjetimi politik ndërthuren në një simfoni të ndërlikuar shpirtërore. Horizonti i tij poetik është i gjerë dhe përfshirës: ai lëviz nga intimiteti i kujtimeve të fëmijërisë dhe përjetimeve të dashurisë, drejt reflektimit mbi historinë kombëtare dhe kulturën universale. Në poezinë e autorit Ndue Dedaj transhendenca metafizike bashkëjeton me mbrujtjen historike, duke krijuar një tekst poetik shumëdimensional, në të cilin përvoja individuale dhe memoria kolektive dialogojnë vazhdimisht.
Një tjetër tipar i veçantë i poezisë së autorit është angazhimi social dhe historik. Ai nuk është vetëm kronist i ngjarjeve, por interpretues i përjetimeve kolektive, siç shihet në poezinë “Historia”: “Kalorës të paktë, soditës të shumtë të kaosit, / Të parët heshtin, të dytët ngarendin… / si erdhi o njerëz kështu kjo punë? / Ku janë vajtojcat, gjamëtarët e Herodotit?” Kombinimi i kritikës shoqërore me reflektimin historik krijon një zë poetik të fuqishëm, që dialogon me të kaluarën dhe të tashmen.
Stili në poezinë e Dedajt është eklektik dhe ekspresiv, i ndërtuar mbi disa shtylla kryesore. Së pari, imazheria mitologjike dhe historike, që përdoret për të dhënë dimensione epike për përjetimin personal dhe kolektiv, siç shihet në poezinë “Diellshi”: “Dal flokëpërbaltur nga shtjella e mitologjisë / si një qenie me shumë sy, lëbyrur nga mirazhet / dëgjoj bubullimat e tokës, fyejt baritorë të yjeve.” Së dyti, Dedaj nuk nguron të eksperimentojë me strukturën, ritmin dhe ndarjen e vargjeve. Poezia e tij shpesh përshtat një trajtë futuriste, ku ritmi përcaktohet nga ndjenja dhe imazhi, jo nga norma metrike tradicionale. Në “P(o)ema e njohjes” ai pohon: “unë shkruaja poezi futuriste pa rimë / të gjitha kambanat binin për dashurinë”.
Një nga tiparet më të spikatura të mjeshtrisë së autorit është kujdesi për muzikalitetin e vargut. Vargjet e tij janë shpesh të lirë, pa rimë, dhe ritmi reflekton rrjedhën natyrale të mendimit dhe ndjesisë së pafund të poetit. Në këtë mënyrë, ai rrëzon kufijtë e metrikës tradicionale shqipe dhe krijon një gjuhë poetike të gjallë, moderne dhe universale, ku lexuesi ftohet të eksplorojë thellësitë e mendimit dhe të emocioneve. Vargjet e këtij libri poetik funksionojnë shpesh si simfoni ose orkestër e fjalëve, ku ritmi, aliteracioni dhe përsëritja krijojnë jo vetëm harmoni, por edhe tension artistik. Në poezinë “Vaçe Zela” lexuesi ndeshet me këtë ndërtim orkestral: “Shtatë notat muzikore zukasin në pentagram / Si bletë mbretëresha kërcejnë mbi kitarë, / E gjithë shqiptaria luan melodinë e saj” /, apo në poezinë “Dirigjenti”: “Hovte muzika sipas ritmit të krahëve të tij, / flok’shprishur nga era vrulluese e tingujve, / në qiellin e shtatë: flauti, kitara, saksofoni…/ ashtu ai krijonte harmoni!”
Poezia e autorit shquhet për eksperimentimin e vazhdueshëm me gjuhën; forma e lirë dhe ritmi i rrjedhshëm shërbejnë për të pasuruar lexuesin me emocione, ide dhe reflektime. Në poezinë “Poet”, ai nënvizon paradoksin e krijimit artistik: “O ju miq që njëni-tjetrin e thërrisni poet / Kodër mkodër në kët’të përrallshëm shekull, / A dini se me qenë poet, duhet me qenë Homer, / E me qenë Homer, duhet me qenë i verbër?…” Poezia e vëllimit e sfidon konvencionalitetin klasik, sjell risi estetike dhe ofron një përvojë leximi që është njëkohësisht ndjesore dhe reflektive, duke e shndërruar fjalën poetike në një hapësirë ku ndjesitë dhe emocionet ndërthuren në mënyrë intime. Këtu poezia ngarkohet me simbole vizuale, të cilat krijojnë një botë të gjallë dhe të prekshme, siç shihet në poezinë “Zajet e lumit”: “Shallin tënd akuarel prej zajesh / lidhur e zgjidhur / prej fjalësh…”. Aftësia për të transformuar aktet e thjeshta në rituale poetike tregon që çdo detaj i përditshëm mund të bëhet metaforë e përjetësisë dhe e memories kolektive.
Triptiku “Kroi i Vashave”, “Guri i Vashës” dhe “Ura e Vashës” përbën një vizion të përqendruar dhe simbolik të feminitetit dhe trashëgimisë. Në “Kroi i Vashave”, kroi dhe tupanët shprehin energjinë jetësore dhe ritin e kalimit nga vajzëria tek nuseria, duke evidentuar lidhjen e gjallë midis natyrës dhe rritjes kulturore. “Guri i Vashës” pasuron këtë vizion me simbolikën e gurit si palimpsest, reflektim i trashëgimisë dhe i roleve shoqërore, ndërsa fustani i bardhë shënon pastërtinë dhe fatin e mundshëm të secilës. Në “Ura e Vashës”, ura dhe lumi bëhen metafora të lidhjes midis botës materiale dhe asaj shpirtërore, ku figura e vajzës transformohet në entitet mitik dhe legjendar, duke theksuar fuqinë, lirinë dhe autonominë e femrës.
Arkitekturë poetike komplekse
Cikli “Tejdet” shfaq një kulm të reflektimit mbi historinë, identitetin kombëtar dhe ekzistencën njerëzore. Dedaj e transformon përvojën individuale dhe kolektive në një arkitekturë poetike komplekse, ku mitologjia biblike bashkëjeton me kritikën historike dhe sociale. Poezi si “Adami” shfrytëzojnë figurën biblike si metaforë për krijimin dhe veprimtarinë njerëzore, ndërsa poezia “Përkrenare” ndërthur evolucionin e mjeteve të luftës me alegorinë e vazhdimësisë së konflikteve njerëzore. Nga ana tjetër, ndërthurja e elementeve të natyrës, historisë dhe hapësirës mitike përmes figurave simbolike: gurë, xhubletë, lumenj dhe qytete e kthen poezinë në mbartëse të memories kulturore dhe identitare shqiptare, kurse te poezitë “Shqipëria”, “Kosovë” dhe “Tokat e Lirueme” shprehet ndërthurja e memories historike me reflektimin patriotik, ku dhimbja dhe krenaria kombëtare shndërrohen në energji krijuese.
Triptiku “At’botë” përfaqëson kulmin e reflektimit metafizik dhe historik, duke krijuar një univers ku koha, memoria dhe identiteti ndërthuren në një strukturë që sfidon përfytyrimin linear të ekzistencës. Titujt dhe temat e vargjeve nga “Mugëtirë” te “Sizifiane”, nga kujtimi i figurave historike, te përjetimet personale dhe kolektive, krijojnë një hapësirë ku njeriu është njëkohësisht subjekt dhe objekt i përjetimit shpirtëror. Ndërsa te triptiku tjetër me poezitë “Mugëtirë”, “Sizifiane” dhe “Me Harrue” krijohet një ritëm meditativ dhe ritual, duke e tërhequr lexuesin mes përjetimeve të vetmisë, flijimit dhe absurditetit ekzistencial. Në poezinë “Mugëtirë”, vëmendja përqëndrohet tek atmosfera e heshtjes, nostalgjisë dhe pezullimit të kohës: “Dëgjohet një muzikë e largët / A thua se i bie buzukut hëna?” Përmes metaforës së muzikës dhe imazhit të dritares pa perde, Dedaj krijon një ndjenjë tjetërsimi dhe pritjeje, ku figura njerëzore shihet e zhveshur nga privilegjet dhe statusi social. Ky fragment pasqyron një përbuzje të butë, por të ndjeshme ndaj banalitetit të përditshmërisë, duke e vendosur lexuesin në qendër të një reflektimi meditativ mbi qenien dhe izolimin ekzistencial. Poezia “Sizifiane” eksploron dimensionin e absurditetit dhe të pafuqisë njerëzore përballë ligjeve universale dhe fatit: “Fjala thyen kockën e gjuhës në asht, / rrokulliset si ortek drejt fundit të dheut / s’ka njeri as Zot ta ngjisë sërish lart / ku luhet simfonia e nëntë e Bethovenit.” Në këtë rast, autori ndërthur referenca kulturore me imazhe fizike dhe materiale, duke sugjeruar se përpjekjet njerëzore, edhe kur janë të pafrytshme, janë pjesë e një simfonie të madhe kozmike.
Një tipar tjetër dallues i këtij cikli është përdorimi i gjuhës figurative dhe strukturave ritmike për të ndërtuar një univers të brendshëm që pasqyron atë objektiv. Në “Gjallë a Dek”, për shembull: “Atje tej karvani i të parëve të mi / mbi shpinë orteqesh lind e vdis / nga Viti Një”./ Vargjet shfrytëzojnë hiperbolën dhe paralelizmin për të artikuluar përjetimin e së kaluarës që ndërthuret me të tashmen, duke krijuar një ndjesi të përjetësisë së jetës dhe vdekjes. Kjo strategji poetike demonstron aftësinë e poetit për të bashkuar reflektimin filozofik me fuqinë imagjinative, duke i dhënë lexuesit një përvojë estetike të thellë dhe meditativisht të angazhuar.
Nga pikëpamja teknike, poeti demonstron një mjeshtri të dukshme në përdorimin e metaforës, të simboleve kulturore dhe të ritmeve muzikore, si dhe në ndërtimin e strukturave ritmike që intensifikojnë përjetimin emocional dhe aktivizojnë lexuesin në procesin interpretues. Intertekstualiteti me mitin, historinë dhe figurat e kulturës kombëtare ndërthuret me një trajtim modern të kohës dhe të përvojës së përditshme, duke i dhënë veprës një dimension të hapur interpretimi dhe një vend të merituar në poezinë bashkëkohore shqiptare. Ndue Dedaj është një poet që e bën çdo varg një mini-univers. Përmes poezisë së tij, ai afirmon fuqinë e fjalës për të krijuar dialog midis së kaluarës dhe së tashmes, individit dhe kolektivit dhe e fton lexuesin ta perceptojë botën në mënyrë të re, duke e kthyer përjetimin estetik në një udhëtim shpirtëror dhe intelektual.
Si përfundim, mendoj se Ndue Dedaj është një poet i realizuar, i aftë të bashkojë dimensionet intime, historike dhe metafizike të ekzistencës njerëzore në një gjuhë të pasur, të gjallë dhe të fuqishme. Në këtë kuptim, poezia e tij mund të shihet si një hapësirë reflektimi. Vepra e fton lexuesin të përjetojë një udhëtim shpirtëror, të mendojë për kontrastet e jetës dhe të ndjejë bukurinë e ekzistencës në çdo imazh dhe varg, ku shfaqet një kompozim i menduar me kujdes, një mikro-univers poetik që përpiqet të pasqyrojë botën në të gjitha nuancat e saj, nga më intimja dhe njerëzorja, deri te dimensionet më të gjera historike dhe metafizike të ekzistencës. Vëllimi poetik “Unë humbësi yt” është i rekomandueshëm për të gjithë ata që kërkojnë poezi të thellë, vizuale dhe reflektive, ku muzat e shpirtit krijojnë një përvojë artistike dhe shpirtërore të paharrueshme.