Lutja e heshtur e dritës-Arjana Fetahu Gaba

 
O Zot,

Në këtë agim ku koha fshin kufijtë e rëndomtë,
të falënderoj që na zgjove në këtë hapsirë frymëmarrjeje,
ku shpirti gjen strehë nën strehën Tënde të pamatë,
se çdo rrahje zemre është një varg i pashkruar mirënjohjeje,
dhe çdo rreze që prek tokën, është një letërdashuri prej Teje.
Sot nuk kërkoj asgjë që preket me dorë,
por atë paqe që rrjedh si ujë i padukshëm mes nesh,
atë qetësi që s’ka nevojë për fjalë,
por për prani.


Bëji zemrat tona,
vatra ku nuk ka vend për rrebeshë,
ku asnjë hije nuk guxon të prekë dritën e tjetrit,
dhe ku njeriu të shohë vetëm të drejtën e mos ta ndyjë, e mos t’përbuzë pafuqinë e të mundurit.


Të falënderoj që na mëson sakrificën e egos, për t’u ringritur në lartësitë e shpirtit që fal e dashuron,
në këtë botë që shpesh harron të ndalet e të shohë qiellin.
Na bëj ne,
lajmëtarë të një harmonie që nuk njeh perëndim, me sy e shpirt të hapur,
ngritur gjithmonë gërmadhash.
U bëftë kjo paqe,
një poezi e gjallë mirësie,
një dorë e shtrirë që nuk lodhet kurrë së dhëni,
një dritë që nuk fiket,
por shtohet duke u ndarë.
Arjana Fetahu Gaba