Ëndërra të vrara-Fatmir R Gjata

Fatmir R Gjata

Ëndërra të vrara
Në ëndrrat e mia të gjora,
kur hëna del shkrirë me flori
Të putha, të ndjeva, të mora,
në diell, në borë e në shi
Dhe ëndrrat nuk rreshtin, të mjera,
nuk di si s’mbaruan njëherë
Shkojnë vite e vijnë të tjera,
siç fryn në shtrëngatë edhe erë
Por erë veç më çon nëpër botë,
ku s’njoh e nuk ndiej askënd
Shoh ëndërr e mbushem me lot,
më shfaqesh e shkon nëpër mënd
Tek vrap edhe qesh e lodruar,
sikur s’kisha qenë në këtë jetë
Ca lule të thahen ndër duar,
e bëhen ca vargje në fletë
Dhe larg, dhe më pas, dhe më tej,
një tjetër fillon nga e para
Kur gjithë njerëzia të flejë,
do të mbledh ëndërrat e vrara.