Mbi varrin e nënës

Erdha përsëri tek ty këtë 8 Mars, nënë,
Mblodha lulet e mbira mbi një bar,
Doli bukur kjo buqetë shumëngjyrëshe
Që ta vendosa me dashuri mbi varr.
Mes lotëve që rridhnin
Më dhe një përqafim shpirtëror,
Dhe lotët që rridhnin rrëke
Në folenë e shpirtit tim.
Ishin më të hidhura në atë përqafim,
Ishin lot për ty, nënë,
Që pesha e tyre rëndon
Për shpirtin që e ndjen,
Se është forca e madhe e dashurisë
Që aty, në rrënjën e lotit, e ka folenë.
Erdha, po s’të pashë, nënë,
Buzëqeshja jote m’u shfaq përsëri,
Ndjeva një shtrëngim në zemër
Dhe në atë buzëqeshje lexova:
“Sa më ka marrë malli, moj bijë!”
Më iku ajo rreze dielli e ngrohtë,
Më iku ajo fjalë e ëmbël, gjithë lezet,
Më iku dhe ai shikim i ëmbël
Që çdo çast më ndiqte në jetë.
Plagët e trupit mbyllen dhe harrohen,
Po ato të shpirtit, sa të jetë jeta,
As nuk mbyllen e as nuk harrohen,
Se janë plagë shumë të thella
Që me lot mbulohen e zor që të shërohen.
E pikëlluar ika e vargje të shkrova,
Dhe penën e ngjyeta
Në gjakun e zemrës përzier me lot,
Se dashuria për ty, nënë, gurgullon
E pastër si gjaku në aortë.
Je si një engjëll i parajsës,
Mes luleve me buzëqeshjen tënde
Të bukur, të ëmbël, plot nur,
E gjithmonë në mallin tim do jesh
Dhe s’do të harrohesh kurrë!