Poezitë e Dervish Mikelit janë një derë e hapur si vet Teqeja e Turanit ku ai shërben-Nga Çano Nora

Nga ÇANO NORA

 

 
Dervish Mikeli  është një nga ato figura të rralla ku ndërthuren natyrshëm përkushtimi shpirtëror  me ndjeshmërinë artistike .I lindur në fshatin Fushëbardhë të Gjirokastrës ,u rrit në një mjedis  ku tradita ,besimi  dhe dashuria për vëndlindjen ushqejnë shpirtin që në fëmijëri.Që në moshën 17 vjeçare ,një thirrje e brendëshme e afroi me teqenë e Zallit ,një nga qendrat e rëndëdësishme  të besimit bektashian  në jug të Shqipërisë .Aty nisi rrugëtimin e tij shpirtëror ,që do të bëhej themel i jetës së tij.Pas tre vitesh përkushtimi dhe formimi ,ai u thirr të shërbente te Kryegjyshata Botërore Bektashiane në Tiranë,ku për nëntë vite me radhë u formësua si një  shërbestar i devotshëm ,duke përthithur më tej filozofinë e thellë të  bektashizmit ,një besim që përçon dashuri ,tolerancë  dhe humanizëm.Kjo periudhë është vendimtare  për pjekurinë e tij shpirtërore dhe intekektuale.
Prej më shumë se një dekadë ,Dervish Mikeli  shërben në Teqenë e Turanit,ku është bërë  një figurë e dashur  dhe e respektuar  për besimtarët dhe miqtë e shumtë.Ai i pret njerëzit me një qetësi të rrallë ,me fjalë të ngrohta  dhe me një urtësi që buron  nga përvoja dhe besimi i tij i thellë .Prania e tij në këtë teqe është jo vetëm fetare ,por edhe njerëzore ,një derë e hapur për këdo që kërkon paqe ,këshillë apo ngushëllim.Por Dervish Mikeli nuk është vetëm  një udhëheqës shpirtëror .Brenda tij jeton  edhe poeti.Pena e tij  nuk është shkëputur  nga rruga  që ka zgjedhur ,përkundrazi ,ajo udhëhiqet prej saj.Poezia e tij  buron nga përjetimet shpirtërore ,nga dashuria për njeriun ,nga meditimi mbi  jetën ,besimin dhe kohën filozofike  bektashiane:Dervish Mikeli shkruan me ndjenjë  dhe sinqeritet ,duke  i dhënë fjalës  një ngrohtësi  të veçantë ,si një vazhdim i misionit  të tij shpirtëror.Tek ai,dervishi  dhe poeti  nuk janë dy anë të ndara ,por një e vetme : fjala dhe besimi ecin së bashku ,duke krijuar një profil  të plotë  njerëzor dhe artistik.
Në librin e ri me publicistikë”Frymëzimet e një dervishi”,tek poezia “Naim Frashërit” shkruan:
O bilbil i bektashisë,
Penë e ndritur,bojë artë,
Burrë i shenjtë i Shqiptarisë,
Poeti që nuk lind prapë.
 
Dhe poeti më poshtë vazhdon:
 
Ç’gji të ka dhënë ajo nënë,
Ajo princeshë shqipëtare,
Të ka ushqyer me dritë,
Ajkë e shqipes dykrenare.
 
Vargjet që cituam janë një homazh  i ndjerë dhe i fuqishëm  për figurën e Naim Frashërit ,duke e vendosur atë në një dimension pothuajse të shenjtë ,si poet  dhe si simbol kombëtar.
Në strofën e parë :” Bilbil i bektashisë” e lidh drejtëpërdrejtë me frymën shpirtërore  dhe frymën e besimit  bektashian,ku Naimi ishte i përkushtuar  dhe ku gjeti  një burim të madh frymëzimi.
“Pena e ndritur,bojë artë” është metaforë për vlerën e jashtëzakonshme  të krijimtarisë së tij,një penë që nuk shkruan thjesht ,por ndriçon mëndjet  dhe zemrat.” Burri i shenjtë i Shqiptarisë” e ngre figurën e tij  në nivel kombëtar  e moral  si një udhërrëfyes.
Dhe tek vargu “Poeti që s’lind më prapë” shpreh idenë e papërsritshmërisë  së tij  në historinë e letërsisë shqiptare.
Në strofën e dytë:
Pyetja retorike”Ç’gji të ka dhënë ajo nënë ?” i referohet  origjinës  dhe edukimit të tij ,duke nënvizuar se madhështia e tij  ka rrënjë të thella.
Tek vargu “Ajo princesh shqiptare” ,është një figurë poetike  për mëmëdheun ,Shqipërinë ,që e ka rritur  me dashuri e dinjitet.
“Të ka ushqyer me dritë” sugjeron edukimin  me dije ,kulturë  dhe ndjenja të larta kombëtare.Në tërësi ,këto vargje përçojnë:
Një admirim të thellë shpirtëror,një idealizim të figurës së poetit,dhe një ndërthurje  të besimit ,atdhedashurisë  dhe artit poetik.
Te poezia “Eja pini  ujë nga mali” ,sjellim vargjet:
Eja pini ujë nga mali,
Bekim nga Baba Aliu,
Nga Baba Ahmet Turani,
Që u shkri porsi qiriu.
 
Dhe vargjet e strofës së dytë që plotësojnë më shumë vargjet e strofës së parë kemi:
 
Sa të etur që kanë shkuar,
Të dhanë uratë e bekime,
Buzën këtu kanë freskuar,
Ikën me mijra kujtime.
 
Këto vargje të poezisë”Eja pini ujë nga mali”mbartin një frymë  të thellë shpirtërore ,tradicionale dhe simbolike,të lidhur ngushtë  me besimin bektashian  dhe kultin e vëndeve  të shenjta.
Në strofën e parë:
“Eja pini ujë nga mali” ,autori përdor thirrjen “Eja pini ujë nga mali”  si një ftesë  jo vetëm fizike ,por mbi të gjitha  shpirtërore.Uji këtu nuk është thjesht element  natyror ,por simbol  i pastrimit ,bekimit  dhe jetës.Përmendja e figurës  si Baba Aliu dhe Baba Ahmet Turani,i jep poezisë dimension të shenjtë  dhe historik,duke i lidhur këto burime me njerëz të përkushtuar që” u shkrinë  porsi qiriu”,metaforë  e sakrificës  dhe devocionit  të tyre  për besimin  dhe njerëzit.
Në strofën mbyllëse :
“Sa të etur që kanë shkuar…” ,kjo pjesë përmbledh përvojën njerëzore :njerëzit vijnë  të etur jo vetëm për ujë ,por edhe për qetësi shpirtërore  dhe shpresë.Ata marrin”” uratë e bekime”,çka tregon se vëndi  ka funksion shënjtëror.Freskimi i buzës simbolizon çlirimin ,ndërsa  largimi ” me një mijë kujtime” tregon se përjetimi aty është më i thellë dhe i paharrueshëm.
Në tërësi poezia  ngre lart kultin e burimit  të shenjtë ,nderon figura  të besimit bektashian  dhe shpreh lidhjen e fortë  midis natyrës ,besimit  dhe kujtesës kolektive.
Te poezia tjetër  e librit”Frymëzimet e një dervishi” ,”Fryj moj erë e malit”,poeti nënvizon:
Fryj moj erë e malit,
Mbi këtë kodrinë,
Dhe drurët e përrallit,
Në zjarr flakërijnë.
 
Dhe më tej pasojnë vargjet:
Shqiponja po ngrohet,
Në ballë të qoshesë,
Në gjoks ka testimin,
Simbol të teqesë.
 
Vargjet e poezisë “Fryj moj erë e malit…”
ndërtojnë  një tablo të fuqishme  simbolike,ku natyra ,zjarri  dhe figura e shqiponjës  ndërthuren  me elementë shpirtërorë  dhe identitare.
Në strofën e parë:
” Fryj moj erë e malit. ..” është një thirrje drejtuar  erës së malit ,e cila shfaqet  si një forcë gjalllëruese.Era nuk është vetëm fenomen  natyror ,por një nxitëse e energjisë  dhe e ndryshimit.
Pamja e drurëve që” flakërijnë ” krijojnë  një imazh  të fuqishëm ,ku zjarri simbolizon pastrim,ringjallje  dhe dritësim  shpirtëror.Kjo tablo  merr përmasa  rituale ,si një proçes  i brendshëm  transformimi .
Në strofën e dytë:
“Shqiponja po ngrohet…”
,figura e shqiponjës është thellësisht domethënëse :
ajo përfaqëson lirinë,
krenarinë  dhe identitetin kombëtar.Fakti që ajo” ngrohet” pranë  zjarrit lidhet me idenë e forcimit  dhe rigjallërimit .Ndërsa shprehja ” në gjoks ka testimin” ,ndoshta me nuancë simbolike për një shenjë ,vulë apo besim  të provuar dhe lidhja me ” simbol të teqesë” e çojnë poezinë drejt  një hapsire bektashiane,ku shqiponja bëhet bartëse  e një misioni shpirtëror.
“Ikja e poetit bektashi Petrit Ruka”.Kjo është një poezi që fillon me vargjet:
 
Turani ka rënë në heshtje,
Në qetësinë e varrit,
Për humbjen e një poeti,
Petrit Rukës,margaritarit.
 
Dhe kjo poezi përfundon me vargjet:
 
Në heshtje,hidhërim,
Ka rënë dhe Tepelena,
Lot dhe ngushëllime,
Për Petritin kullon  pena.
 
Poezia “ikja e poetit bektashi” kushtuar Petrit Rukës ,është një elegji e ndjerë  që shpreh dhimbjen kolejtive për ndarjen nga jeta  të një zëri të fuqishëm në simfoninë e poetëve të tjerë.Që në vargjet hyrëse :
“Turani ka rënë në heshtje “krijohet   një atmosferë  zie meditimi .”Turani” dhe “qetësia e varrit”  nuk janë thjesht hapësira ,por simbole  të një bote shpirtërore  që ndalon  frymën  për të nderuar poetin.Epiteti ” margaritar” e ngre figurën e tij  në një vlerë  të rrallë   e të çmuar.
Ndërsa në mbyllje:
” Në heshtje hidhërimi…”,poeti e zgjeron dhimbjen ,nga një ndjenjë individuale  në një pikëllim  mbarëkrahinor.Përmëndja  e Tepelenës e konkretizon humbjen duke e lidhur fort  me vëndlindjen e poetit.Metafora “kullon pena”  është shumë domethënëse :ajo tregon se dhimbja  nuk mbetet e heshtur ,por shdërrohet  në krijim letrar,pena qanë,ashtu si njerëzit .Në tërësi ,poezia ndërtohet mbi: ton elegjiak ,simbolik të qetësisë  , heshtjes  dhe ndërlidhjen e poetit  me vëndlindjen .Kjo poezi nuk është vetëm një homazh ,por edhe një tregues se poetët si Petrit Ruka ,vazhdojnë të jetojnë përmes fjalës ,dhe se pena ,edhe në dhimbje ,nuk pushon së shkruari.
Në fund mund të themi se libri” Frymëzimet e një dervishi” ,vjen si një udhëtim i gjatë  poetik ,ku fjala lind nga përditshmëria  e jetës,besimit dhe dashuria  për njeriun e vëndin.Nëpërmjet vargjeve  të mbushura  me ndjeshmëri ,autori  arrin të ndërthur  mistiken  me realen ,duke krijuar  një univers ku dhimbja ,malli  dhe shpresa bashkëjetojnë natyrshëm.
Ky libër  nuk është vetëm një përmbledhje  poezish, por një tregues  i një shpirti  që kërkon  dritë  dhe e shpërndan  atë tek  të tjerët.Ai mbetet  një thirrje  për ⁹mirësi,për reflektim  dhe për rikthim  tek vlerat  më të mëdha  njerëzore ,duke e bërë lexuesin  të ndalet ,të mendojë  dhe të ndiejë.
Në këtë kuptim “Frymëzimet e një dervishi” është një vepër  që nuk mbyllet me faqen e fundit ,por vazhdon të jetojë  në mëndjen dhe në zemrën e çdo lexuesi.