Emi Krosi

Tema: Diskursi lirik në poezinë e Fatbardha Xhani Myslimaj.
Poezia femërore çdo ditë forcon pozitën e saj në arealin shqipshkrues të letrave shqipe. Një poezi që e vë autoren femër, mes diskursit poetik gjinor dhe “kohës reale” të shkrimit. Përmes fjalës poetike dhe një gjuhe estetike metaforike vjen libri poetik “Andej kanë rrugën yjet” nga Fatbardha Xhani Myslimaj.
Një poezi me fjalë zemre, ku dominnojnë fjalët kyçe, si: jeta/dashuria/çast/mbrëmja/mëngjezet/pranvera/vjeshta/drita/dita/errësira/hëna/dielli/loti/grua/poezi/kohë/qiell/re/shi/zogjtë/vetë/lule/e shtunë/e dielë/fjala/historia /zjarr/lumë/det/verë/pëllumba etj., duke përrokur vetëveten/kohën/poezinë. Vargjet: jam në kohë,/sa rreh akoma ëmbël pulsi im!…(2025 :196), nga poezia “Jam ende në kohë” na rrëfen se nuk është vonë për poezinë. Por, një nënë, grua, femër, doktoreshë (autorja është dr. psikiatre në QSUT), ndoshta dhe “gjykon” veten pse vonë ka botuar, se shkruar shumë vite më parë…

Mënyra e qasjes së realitetit, nuk është vetëm ajo e mjekes, por e një gruaje që ndërthur realen ne surrealen sepse koha në poezi nuk është absolute, por e tashmja që universializohet përmes fjalës dhe shpirtit poetik, duke ndërtuar një raport subjektiv me veten dhe të tjerët përmes vargut: unë në breg/shkel këmbëzbathur mbi një emër…(2025: 191).
Poezia sendërtohet përmes simbolikave, krahasimeve, enumeracioneve: qielli, dielli,retë, horizonti/flokët, hunda, buzët etj., një lirikë me forma të thjeshta, por në marrëdhënie:
a) me veten dhe kohën,
b)në marrëdhënie me rotrespektivën dhe të tashmen,
c) në marrëdhënie me Unin femëror/dashurinë/shpirtin dhe ekzistencën,
d) në marrëdhënie me kujtesën dhe emocionet. Në funksionin erotik përtej objektit “provokues” të erosit/erotikës dashuria e një gruaje është përvojë dhe gjuha e trupit, është dhe gjuha e shpirtit në vargjet: po kur ndodh të zhytem thellë/ në pafundësinë e burimit të kthjellët/ të fjalëve që fsheh zemra e burrit…( 2025: 186), nga poezia ” Kur prek lehtas në ty”.
Tek poema “Fatet e çmenduara” është kundërvënia me dritës dhe errësirës, por tek vargu: “borë dhe zjarr”, kemi një antonimi të fuqishme të shpirtit poetik. Simetria e dritës dhe errësirës ( si dukuri natyrore) qaset si kundërshti por dhe simbolikë mes dritës së jetës dhe vazhdimësisë shpresës, ëndërrës dhe dashurisë.
Qasja në rrafshin krahasimtar me një poezi të Jamambër Markos, “e shtuna” na rrëfen se gjuha e poezisë është universale dhe në rrafshet diakronike është thjeshtë një hapsirë kohore fizike e fundjavës ( zakonisht pushim) por autorja-mjeke e ka të mbushur ditën dhe jetën plot dashuri në shërbim të komunitetit. Por simbolika rrit dhe “tensionin” vargor mes:
-hapsirës kohore fiziko-gjeografike dhe socio-kolektive,
-tensioni i mbijetësës së vetë/ekzistencës dhe dëshmia e fjalës si “strehë” nga tjetërsimi i realitetit,
-estetika e vetëdijes dhe ekspresiviteti i femrores.
Krysema e fjalës:[gjethe/gjethja/gjethet, del 24 ( njëzetekatër) herë] është kryemetafora e poezisë së Fatbardhës.
Gjethet janë gjeneza e pemëve/pyjeve/degëve që simbolizojnë rigjenerimin e bimësisë dhe mbajnë gjallë gjithë zinxhirin e ekzistencën së gjelbër të natyrës, përmes diellit dhe klorofilit ( ku kryhet procesi i fotozintezës) dhe natyra rilind në ciklet e saj natyrale, siç njeriu që ka nevojë për “ushqyes” diell/ajër/dritë /ujë por dhe vitamina ( ilaçe) kur sëmuret.
Vargjet: ndodhi që më preke…/Zot, si më ngjethe!/Isha thjeshtë gjethe…(2025:40), poezia “Gjethe”, ku dhe vetë gjethja si emër i gjinisë femërore, femorizon pemët, pra dhe një krahasimi i gruas me vjeshtën ( e pjekur dhe plot bollëk). Por gjethet ndërrohen dhe bien, femrat sendërtojnë jetën përmes trashëgimisë. Kurse vjeshta -grua ( jo si stina e moshës) por si stina e pjekurisë së saj jetësore.
Poezia, ka prurje të vargjeve me një kumt të fortë metaforik: në një pranverë të praruar me një purpur sysh…./mbrëmjet kanë kulluar all/kur dëshirat shpërthejnë mbi lëkurë etj., ose tofjalëshat: lumenjtë e gjelbër/lot të gjelbër/pikëpyetje gri etj., i japin gjuhës së saj një stilistikë të pasur, të qetë dhe të qartë, ku dallohen fjalëformimet:
fatlum/përndritjes/pulëbardhë/pikëtakimi/përthithim/sydritë/zëultë/falenderim/pangjyrtë/përkujdesje/flokëbardhë/përmbushjen/papandehur/passhiut/mendjelehtë/pangjyruara/udhëkryqe/pikëpyetje/përgjysmë/mbiepjes/tejhumbjes/mesditës/krahëthyer/buzëkuqin/tetëmbëdhjetë/buzëbashkuar/gjetherënë/përfytyroj/zëdridhur/krahëshkruar/gjithkujt/përgjithmonë/zëbutë/pusharata/kërcellholla/patreguar/përshembull/mijëravjeçare/përhumbje/bashkëshorti/mëdyshjen/buzëkripë/përlotje/njëçikë/fundnëntori/krahëjeshil/mijëvjeçare/këmbëzbathur.
Sëfundmi: poezia e Fatbardhës futet në radhët e poeteve femra lirike moderne. Ajo, pas shumë vitesh doli me librin e saj të parë, që normalisht nuk është “perfekt” por përmes lirikës na tregon një forcë shprehëse që përpiqet të depëtojë tek lexuesi, me shpirtin e saj të butë. Ajo ka hapur një dritare për të mbetur në altarin e poezisë lirike moderne shqipe dhe sidomos asaj femërore.
©Copyright EMI KROSI.