Lufta për Vlorën – 1920- Nga Astrit Aliaj

Lufta për Vlorën – 1920 Kolonel (R) Zeno Jahaj

Nga Astrit Aliaj-Studiues i Historisë Detare

Në këtë ditë me domethënie të veçantë për ne skënderbegasit, kur kremtuam 81-vjetorin e krijimit të shkollës ushtarake “Skënderbej” – asaj fidanishtes që përgatiti me mijëra djem për akademitë ushtarake të Forcave Tokësore, Detare e Ajrore – ndiej një detyrim moral të bëj edhe një vlerësim mirënjohës.

Pikërisht sot, dua të falënderoj ish-skënderbegasin, Kolonel (R) Zeno Jahaj, i cili e kurorëzoi karrierën e tij si diplomat ushtarak, për këtë vepër me vlera të spikatura historike dhe kombëtare. Ky libër nuk është vetëm një kontribut në historiografi, por edhe një dëshmi e formimit, kulturës ushtarake dhe përkushtimit ndaj së vërtetës historike, që kjo shkollë ka ditur të kultivojë ndër breza.

Uroj çdo skënderbegas për shëndet, mbarësi dhe lumturi familjare. Le të ngrihet gjithnjë më lart emri i skënderbegasit dhe të frymëzojë brezat e ardhshëm ushtarakë. 🇦🇱🇦🇱🇦🇱

Kur lexon librin e Kolonel (R) Zeno Jahaj “Lufta për Vlorën – 1920”, ndien se nuk ke përpara thjesht një rrëfim historik, por një interpretim të menduar thellë, që kërkon të ripozicionojë këtë ngjarje në ndërgjegjen tonë kombëtare dhe në vetë gjuhën me të cilën e tregojmë historinë.

Që në titull, autori bën një zgjedhje që nuk është as e rastësishme dhe as formale: ai nuk e quan “Lufta e Vlorës”, por “Lufta për Vlorën”. Në këtë “për” të vogël qëndron, në të vërtetë, një filozofi e tërë. Nuk kemi të bëjmë thjesht me një luftë që ndodhi në një hapësirë gjeografike, por me një përpjekje të ndërgjegjshme, të orientuar drejt një qëllimi të qartë: çlirimin e Vlorës dhe rivendosjen e sovranitetit kombëtar. Ky formulim e nxjerr luftën nga korniza e një ngjarjeje lokale dhe e ngre në nivelin e një akti kombëtar e strategjik.

Libri, në tërësinë e tij, lëviz me siguri në pesë fusha themelore: gjeopolitikë, diplomaci, strategji, politikë dhe art ushtarak. Ai i vendos zhvillimet shqiptare në sfondin e madh të Lufta e Parë Botërore dhe të vendimmarrjeve të Konferenca e Paqes në Paris 1919, ku Shqipëria mungonte si subjekt. Në këtë boshllëk diplomatik, lind nevoja për veprim – dhe ky veprim merr formë në organizimin politik të Kongresit të Lushnjës dhe në krijimin e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, që autori e trajton me të drejtë si një strukturë që zëvendësonte një shtet ende të brishtë.

Por kulmi i këtij interpretimi – dhe aty ku libri merr një forcë të veçantë – është analiza e ultimatumit që Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare i drejton komandës italiane. Për mua, ky nuk është vetëm një dokument paraprak i luftës; është një akt i rrallë ndërgjegjeje politike, juridike dhe morale.

Në një kohë kur Shqipëria sapo po dilte nga mjegulla e një lufte botërore dhe nuk kishte ende peshën e një shteti të konsoliduar, përfaqësuesit e saj i drejtohen me ultimatum një fuqie të madhe si Italia – një shtet fitues i luftës. Ky akt, i parë në dritën e Konventa e Hagës 1907, merr vlerën e një deklarate të mirëfilltë lufte, duke e vendosur palën shqiptare në një terren legjitimiteti ndërkombëtar.

Por mbi të gjitha, ai ultimatum është një shpallje dinjiteti. Ai nuk është thjesht kërcënim; është një thirrje e hapur, e artikuluar me gjuhën e së drejtës dhe të nderit, që i drejtohet jo vetëm kundërshtarit, por edhe historisë. Një popull i vogël, i organizuar në mënyrë vullnetare, i flet një fuqie të madhe në emër të lirisë së tij – dhe e bën këtë jo në fshehtësi, por në dritën e një komunikimi zyrtar e të përgjegjshëm.

Këtu qëndron, sipas meje, një nga risitë më të rëndësishme të qasjes së Kolonel Jahajt: ai e sheh Luftën për Vlorën jo si një shpërthim spontan, por si një veprim të menduar, të strukturuar dhe të legjitimuar në planin politik, diplomatik dhe strategjik.

Dhe në fund, mbetet një e vërtetë që duhet thënë qartë, jo vetëm për ne, por edhe për historiografinë ndërkombëtare: Italia ishte pjesë e Antantës, pra e koalicionit fitues në Lufta e Parë Botërore, në anën e atyre që pretendonin të vendosnin rendin dhe të drejtën në Europë. Por, njëkohësisht, ishte edhe shteti që mbajti të pushtuar një pjesë të territorit shqiptar për dy vite me radhë.

Ky dualizëm nuk është thjesht paradoks historik; është një fakt që kërkon të theksohet. Sepse në Vlorë, në vitin 1920, ndodhi diçka që tejkalon përmasat kombëtare: një popull i vogël arriti të përballet dhe të detyrojë të tërhiqet një fuqi e madhe fituese e luftës botërore.

Prandaj, me të drejtë, duhet të theksojmë se Lufta për Vlorën përfundon më 3 shtator 1920, kur Italia kapitullon në Vlorë. Ky nuk është vetëm një përfundim ushtarak; është një akt rikthimi sovraniteti, një moment që meriton të zërë vendin e tij të merituar në historinë botërore.

Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, formulimi “Lufta për Vlorën” tingëllon më i drejtë, më i plotë dhe më i vërtetë: sepse ajo ishte, në thelb, një luftë për dinjitet, për shtet dhe për të drejtën për të qenë i lirë.