Lumo Kolleshi

Dy poezi si fundmars
Mbaroi më në fund dhe dasma në kopshtin e qershive.
Fustani i nusërisë ku humbi vallë?
Mos thuaj e vodhën bletët për gostinë e perëndive,
Prilli gjelbërimin do ta ngjallë
I shoh nuset e bukura me duart në mjaltë,
Ca fjalë të fshehta këmbejnë me bilbilin.
Të ndezura në të kuqen e Onufrit i pret një parajsë…
Ec e merru vesh pastaj me trëndafilin.
31.03.2014
Dikur në shtëpinë botuese…
Në shenjë kujtese të P.Jorgonit
Hosana më kërkuan t’i bëja mbretit,
S’më bindej asnjë fjalë,asnjë varg.
Me rebelimin e çmendur të poetit
Përplasa derën dhe mbeta në prag.
Nuk di si u gjend pranë meje redaktori
(Në zemër mbeti miku im i vjetër)
Krahun më shkoi dhe me vete mëmori,
Vjeshta mbi supe s’na i ndante fletët.
Qëndruam në këmbë te një vetshërbim
(Një gradaçelë tani atje është ngritur)
Ca lotë hardhie i pimë me nxitim,
Inatshëm i pimë e u bëmë të çelitur.
Mes fshesareve u ndamë pas pak të dy
(Vjeshtën e verdhë ato merrnin osh)
Vrapoja çmendurisht me një lot në sy,
Librin tim të ndaluar ta gjeja në ndonjë kosh.
31.03.2014