Fryma dhe imagjinata e begatë në poezinë e Ruzhdi Goles-Nga Prof. Dr Bardhosh Gaçe

Nga Prof. Dr Bardhosh Gaçe

Poezinë e Ruzhdi Goles, disa kritikë letrarë e kanë cilësuar “poezi gjendjesh” dhe metaforike si poezi që i jep rëndësi gjuhës. Në të vërtetë, poezia ka në natyrën e saj gjendjen shpirtërore, shpërthimin e saj dhe marrjen rrjedhë të kësaj gjendjeje përmes vargut. E veçanta e poezisë së Ruzhdi Goles është se kjo gjendje nuk ngrihet mbi bazën e një motivi konkret, por të një fryme trancedentale dhe të një imagjinate të pasur. Kjo imagjinatë e begatë i jep krahë një mendimi që duhet kuptuar përmes konvencave dhe alegorive të shumta, gjë që e bën poezinë e tij, moderne, Prandaj edhe poezia e tij lexohet përmes perceptimit intelektual dhe njohjes së mirë të regjistrit leksikor që ndërmerr vetiu kjo lloj poezie. Edhe titujt e poezive na lajmërojnë, para se të fillojmë ta lexojmë vargun e tij, për natyrën e kësaj poezie.

Poeti, në tërë frymëzimin e vet ndalet dhe përqëndrohet më tepër tek imazhi. Për poezinë ka mendime të ndryshme. “Poeti duhet të jetë i errët” thotë Didëroi, enciklopedisti francez, ndërsa Gëte, në vlerësimet e tij për artin, shprehet se “arti duhet të jetë i thjeshtë”. Sentencat e ndryshme nuk na japin një mendim të përcaktuar saktë sesi duhet të jetë poezia, prandaj ajo mbetet e bukur, mbetet gjithnjë një lojë e pakapshme e fjalës, një imazh që ndërron pamje. Por një gjë mbetet e saktë në sensin kuptues të saj, kur ajo shkruhet mirë, çdo tipologji dhe model krijimi harrohet dhe cilësia e shkrimit dhe arritja e nivelit është përcaktuese.

Poeti Ruzhdi Gole hyn ndër poetët e mirë modernë të letërsisë bashkëkohore shqipe me një pretendim për t’u pasur zili, ndaj estetikës së fjalës. Për të, fjala dhe gjuha poetike janë të dorës së parë dhe këtë nuk e vë si qëllim, por kjo mbetet natyrë krijuese e talentit të tij poetik, siç edhe e shohim dhe e perceptojmë në dy vëllimet e tij marrë në shqyrtim: “Ajër plot kallëza” dhe “Pylli me zemrekë në gisht”.

Duke qenë se poeti është nazeli i fjalës së zgjedhur, ai ka krijuar edhe leksikun e tij poetik, një leksik i pasur-rezultat kërkimi në gjuhë, por edhe përvojë shkrimore, që ka mundësuar një natyrë të veçantë të poezisë së tij. Kërkimi i fjalës çon gjithashtu në nuancat kuptimore më të imta-edhe pse poeti shkruan poezi jo fort të gjata dhe me ngjeshje fjalësie-rezultat i pasurisë së leksikut të tij, si dhe përjetimeve të thella nga koha dhe njerëzit.

Kodet e fjalëve të poezisë së Ruzhdi Goles janë të pasura. Përmes një fjalësie të thjeshtë ai arrin t’i vërë ato në pozicione të vështira kuptimore, ku fjala të mos ndihet ngushtë, madje e lirshme për të kaluar në kombinime të tjera dhe për të vijuar kështu në përhapjen e mundësive të saj që të ndërtojë asosacione e shprehi që fantazojnë e fantazohen. Prandaj, poezia e këtij poeti lexohet me kujdes dhe lexuesi ka mundësinë t’i vërë shenjat e kësaj poezie sipas gjendjeve që ajo bën të mundur të sjellë si ndikim dhe sipas gjendjeve dhe kulturës leximore të tij.

Kështu, në përgjithësi, kjo poezi të mbush me frymën e saj dhe të nxit të meditosh me të, gjatë leximit, dhe, pas leximit të gjatë, nga kjo poezi të mbetet një shije estetike e veçantë, duke menduar për kulturimin e shprehjes së vargut dhe vetitë rrezatuese të fjalës, larg asaj që është konkrete dhe e thjeshtë, por duke bërë një rrugë të gjatë me shenjat, në horizonte për të shkuar te konkretja.

Poezia e Ruzhdi Goles te vëllimi “Ajër plot kallëza” frymon një botë të natyrës përmes një perceptimi shqisor, ku autori i aktivizon njëherësh të pesë shqisat, duke transmetuar një botë, e cila vjen ashtu e gjitha, gati si përnjëherësh. Këtë përshtypje të lë poezia e tij, e cila e konfiguron këtë botë me një sistem figuracioni vetjak, krejt të veçantë. “Majëmalet vezullojnë kryet, mund të ngjitemi të gjithë/jeta buzët fërfëllon/mirëkeq ngjizen brumërat”.

Vetiu të shkon ndërmend se poeti i talentuar flet për një botë ëndërrtare, e cila majëmalet e humbura në vezullimin që të jep ëndrra i tenton si lartësi. “Brumrat”– si metonimi që shpreh poeti, nuk janë tjetër veçse lënda si qenie e ngjizur me këto ëndrra. Dhe kështu kjo botë ëndërrtare që jepet përmes materies dhe frymës, do të ndihet e do të shënohet duke u materializuar në të gjithë vëllimin “Ajër plot kallëza”, ku lënda dhe fryma shihen si të pashkëputura në poezitë e këtij vëllimi. Këtë lëndë poeti e gjen në natyrë, siç e thamë, por edhe në atë që kërkon ta objektivizojë si të tillë përmes mendimit. “Ajër/o miku im i xathun/mos t’u shterrofshin kurrë vrapimet e mushkëritë/kurrëkurrës s’kam pasur pëllëmbë/të duartrokas veten/që hera kam trokitur/gjithë mbarësitë dhe maratonomakët”.

Vëmë re se si poeti e transmeton aq bukur dhe thjesht një raport të qenies me mendimin që kërkon ajër, se si e “asgjëson” poetikisht një tipar fizik të lëndës për të treguar modestinë dhe barazpeshën. Kjo lëndë që ngjizet prej fryme dhe kjo frymë që jetëson lëndën dhe i jep lëvizje-bëhet një obsesion artistik në vëllimin poetik të Ruzhdi Goles, por jo mani deri në skaj, sepse poezia e tij është e lirshme përmes sintaksës së vargut të saj të ngjeshur në mendim dhe të frymuar nga një ritëm i brendshëm.

Pas ciklit të parë “Ëndja kallëz zani” vjen cikli tjetër “Humbak hidhërimi”, një titull eliptik dhe me një inversion që pranohet si pozicion sintaksor vetëm në poezi. Poeti i kushtohet tërësisht frymës. Poezia me këtë motiv mbështetet kryesisht mbi një shprehje që shkon deri në përcaktime sintetizuese se çfarë është hidhërimi. Hidhërimi që shpesh vjen nga mungesa e lëndës, por edhe nga lënda-hidhërimi si gjendje, duket se mezi i kapërcen shtigjet e fjalës poetike të Ruzhdi Goles dhe mbetet aty. Duket se kësaj bote memece poeti kërkon t’ia çkyçë kodet dhe ta sjellë deri afër kuptimeve dhe të folurit, andaj, pamundësia e çkyçjes e çon atë në hidhërim: “Hidhërimi, përbisht, fajtor për brambullimat, shpesh të liga/për barnat e mykura e fjalorët e pastrehë, pagojë në theskeq e më keq gatuhet me prita e kukudhët shërbesë”.

Dhe kështu poeti vijon të përvijojë me vëzhgimin e tij metaforizues gjendjen e hidhësisë prej kësaj bote që lëkundet midis mundësisë dhe pamundësisë. Poezi të tilla, si: “Fletorja fidanishte”, “Matrikulla”, “Kacavjerrje dorashka”, “Grurë hidhërimi” etj, realizohen me tjerrjen e mendimit mbi këtë gjendje-poezi, të cilat supozojnë e konkretizojnë, shkojnë deri në caqet e njohura e të panjohura të vetëdijes e të pavetëdijes, sjellin kaosin e ndërdijes dhe rregullojnë njëfarë rendi të perceptimit.

Cikli tjetër “Zemrekë shiu e ftohmë” të krijon përfytyrimin e një bote të ujtë dhe të qullët. Zemreku i shiut, një metaforë me marrëdhënie të largët me kuptimin, që duket se e arrin atë me vështirësi, nuk është gjë tjetër veçse zemreku i kohës që ngec në ecjen e saj ose e shënon atë që duhej shënuar, me vonesë. Të shprehurit metaforik dhe shenjëzimi konceptual në kontekste, që duket sikur shtyjnë njëra-tjetrën për t’u çliruar sa më parë nga pesha e kuptimit, është një veçori interesante e stilit të këtij poeti dhe e mënyrës se si ai e ndërton strukturën e poezisë. poeti hyn me imagjinatën e tij në misterin e kësaj bote të ujtë: “Shiu për t’u lumturuar nga vetja/njeriun me thupër të butë/u bie ca çudive/sikur të jenë tastiera/fantazish të fshehta”. Dhe asnjëherë poeti nuk e harron peizazhin, natyrën, të cilën e sjell atë përmes visores, me detaje që ai i zgjedh në funksionalitet të shprehjes së gjendjeve..

“Gremina të hareshme” është një cikël tjetër në vijim, ku poeti thellësinë e quan një hare zbulimi-poeti nuk e do kurrë sipërfaqen e sendeve, të fjalëve, ai sondon e di të sondojë përmes imagjinatës së tij të pasur dhe leksikut po kështu të pasur, për të abstraguar mbi këtë botë në pamje të lodhur, por me dinamizmin e thellësisë së saj. Të tërheqin për këtë këndvështrim poezi të tilla, si: “Brof me cifla”, “Zbathje vreri” “Florë e kor”, “Nji fije argjend”, “Shtiza ajri” etj: “Te të gjitha punishtet hyj, picërrimë zvogëlue sytë/te të gjitha kudhrat më janë zvogëlue shkronjat”, (poezia “Zbathje vreri” f. 60).

Metafora shumë e gjetur e helikës së mallit, që emërton titullin tjetër, të krijon ndjesinë sikur kjo helikë e ngre poetin në fluturim për ta çuar atë hapësirave të mallit. Titujt e metaforizuar dhe herë të çuditshëm e krejt të pangjashëm të këtij cikli, si dhe malli i palëndët të yshtin gjithnjë të rendësh shkarkesave të buta emotive të një shpirti të butë, që shkrihet edhe më, në ozonin e një malli, të cilit nuk i mbaron kurrë ajri, edhe pse ai ndonjëherë helmatiset nga largësia apo zhgënjimi i ndarjes. Poezi të tilla si: “Syri curril”, “E pakryer”, “Parrokshëm”, dhe shumë të tjera krijime të realizuara me një shprehje të mençur vargu, mbushur me gjendje e situata paradoksesh, të bëjnë t’i lexosh me kujdes jo vetëm një herë për t’u kapur pulsin dhe dinamikën e brendshme të kuptimit dhe për t’i vendosur jo në një raport kuptimor me botën, por me shumë raporte, sepse, poezia e Goles nëpërmjet prosedeut krijues të tij, ta dikton këtë lloj perceptimi dhe ndijimi të një bote të thellë artistike e estetike.

Nga uji marrim freskinë dhe tejpashmërinë, por edhe dëshirën e ecjes dhe të këmbënguljes për të çarë e për të gjetur një shteg tjetër kur ai pengohet, e kjo ide të vjen ndërmend teksa lexon ciklin poetik “Zell i ujërave”. Është një cikël udhëtimi në një tjetër vend, në Itali, dhe mjaft emra vendesh, duket sikur zënë vend rastësisht, sepse i gjithë cikli i kushtohet përtëritjes së natyrës në paralelizëm me përtëritjen e shpirtit. Vëllimi mbyllet me ciklin “Bletari maji”. “Maji në banjë, trup palarë./Ushtar i vrarë maji në fyt/maji me re, mbathur shtarë,/arnat arte e hise të gurtë/sytë e akujve po i groposen thellë/majit askund kush sytë s’ia gjen”.

I gjithë libri poetik me poezi “Ajër plot kallëza” me të shtatë ciklet me poezi të organizuara e të vendosura sipas një prirjeje motivore –mendimore, krijon gjendje dhe afeksione të drejtpeshuara përmes natyrës hermetike të vargut, ky minimum i fjalëve ngjiz e shpërthen kuptime të shumëfishta përmes simbolesh, konvencionesh e mbi të gjitha, përmes një gjuhe të pasur, së cilës autori i kushton kujdesin e natyrshëm në sendërtimin artistik të saj.

Poezia e frymës lexohet e shijohet edhe në vëllimin “Pylli me zemrekë në gisht”, një vëllim po kaq i bukur sa tjetri dhe në vazhdën e natyrës së këngëtimit të këtij poeti. Edhe ky libër është i ndarë në cikle, por ciklet në vëllimet poetike të Ruzhdi Goles nuk kanë ndonjë diferencë të madhe në grupmotivet e tyre, ato duket se janë në vijimësi të njëri-tjetrit, duke zgjeruar vetëm kuptimet dhe ndjesitë dhe duke e përthyer relievin e fjalëve e duke sjellë kontrapunkte interesante.

Edhe në këtë vëllim, poeti dallohet për përndritjen e një fantazie të begatë, për gjuhën e pasur, të figurshme, një nga cilësitë e veçanta të stilit të tij. Uni i tij lirik -meditativ duket sikur përbëhet nga një labirint dhe poeti kërkon të gjejë fillin e arsyes, duke e ndjekur kthesave të pafundme të këtij labirinti për të dalë te drita e kuptimit: “Maji ku më duhet të thërras ca pendesa/krahë shtërgu e shenjti, habi vedrash/me sytë baritje në yll qepallat egjëra/ngjallën zbulimet prej flore e faune” –shkruan poeti në nisje të poezisë “Hoka zane” f. 13.

Në vëllimin poetik të Ruzhdi Goles “Pylli me zemrekë në gisht”, gjejmë ngjyrat e stinëve, objekte e fragmente peizazhesh që përthithen nga ndjesitë e autorit dhe ai është në gjendje t’i rikonfigurojë e t’i përçojë përmes një mendimi të abstraguar. Ai kap sekuenca të shfaqjes së çasteve dhe i mishëron shpejt në imazhe, ndërton plotërinë e imazhit dhe nuk ngurron ta përcjellë në shumëfishim te streha e një imazhi tjetër, krijon gjithmonë mundësinë dhe hapësirën për të menduar më tej e përtej, tipare të modernitetit dhe të mendimit të ftohtë e racional, me një luksozitet të ndjenjës që gjithsesi është ndjenjë që jehon në hapsirat estetike të bukura. Ai ia njeh çdo shenjëzim natyrës dhe është gati ta shndërrojë atë në poezi- e ta transmetojë përmes mundësive që jep forca gjeneruese e fjalës, gjithnjë brenda natyrës së tij poetike ai fjalën e shndërron në vizion dhe vizionin e shtrin brenda kufijve të fuqisë së fjalës së tij poetike, duke përcjellë imazhe e perceptime të gjera.

Poezia e Ruzhdi Goles është poezi e kërkimit të ideve dhe të qasjeve ndaj tyre, duke u thelluar në mundësinë e thellësisë që ato paraqesin e parashtrojnë si joshje. Ai i kushton mjaft rëndësi formës dhe abstragimit të fjalës, duke shenjëzuar e definuar kuptime të largëta. Paralelizmat që përdor edhe kontekstet e gjera e të mistershme që u jep situatave poetike në përpjekjen e gjetjes së mënyrave të shprehjes plot paradokse, e bëjnë poezinë e tij interesante dhe e sjellin portretin e këtij poeti në letërsinë tonë të modernitetit, si një poet që spikat me gjithë heshtjen e tij modeste.

Gjithnjë vargu i tij lexohet si një zbulim, si kënaqësi që të jep kontrasti, por edhe aliteracionet e shumta apo shprehja e kulturuar dhe me sens. Vlera mendimore e poezisë së tij shpesh të kujton një thënie të mençur, një përvojë filozofike, gjithnjë i nisur nga natyra dhe njeriu si bir i saj, i cili nuk ngopet me bukuritë e natyrës dhe kërkon të gjejë e të shpjegojë bukuritë e mistershme të saj, në hapsirat e pamata të kohës dhe njeriut.

Vlorë-Tiranë tetor 2025.