Dhurata Ndoni-Cela

MËRGIMTARËT.
Rrugën me gjurmë gishtash e matëm;
jo me pëllëmbë;
me hap e vrap të shpejtë
nuk e bëmë,
por këmbë -këmbë.
Gishtat pëllëmbën gjakosëm,
grusht i bëmë;
ajrin e tokën grushtuam,
me gjuhë ndër dhëmbë.
Këmbët u lodhën,qendruan;
u ngritën prapë;
nga gurët e gjembat u shpuan;
rrodhën dhe gjak.
Shumë herë ram dhe u ngritëm,
por forcën e rritëm;
me krahët e zemrës përqafuam
diellin dhe dritën.
Mundimet e hallet shtrënguam;
pa dorën e nënës;
gjumin se lamë të flinte,
i’a shitëm ëndërrës.
Gjuhën e huaj mësuam,
punojmë me kurriz të thyer!
qeshim për të mos qarë,
jetojmë me shpresën
për tu kthyer.
Emrat me frikë e turp i ndërruam,
në derën e madhe të botës;
dertet dhe mallin i ngulëm
në pragun e ulët të portës.
Vitet kalojnë,stacione pa emër,
flokët thinjen ,larg varreve tanë.
Ne mbetëm peng midis
dy botësh;
me zemrën e kthimit të gjallë.