Detari që u bë hero dhe ngjarja në anijen “Sami Frashëri” që u mbajt e fshehtë para Kongresit të 7-të-Gëzim Llojdia

Gëzim Llojdia

1.

Në verën e vitit 1976, anija “Sami Frashëri” u bë protagoniste e një ngjarjeje të rëndë. Më 19 korrik, në rimorkiator shpërtheu një zjarr i cili do të linte pasoja tragjike. Sipas rrëfimit të një nenoficeri, shkaku i vërtetë lidhej me një defekt teknik: pompa e mazutit ishte zëvendësuar me një pompë uji. Në atë kohë, anija ishte riparuar në kushte që propagandoheshin si “frymë revolucionare”, por kjo e vërtetë nuk u bë publike në versionin zyrtar.

Oficeri që e rrëfeu ngjarjen e dinte mirë se ku qëndronte gabimi dhe pse zjarri shpërtheu atë verë të vitit 1976, kur marinari Ilia Kici Dashi humbi tragjikisht jetën. Ngjarja u mbajt e fshehtë për shkak të rrethanave politike të kohës: afrohej Kongresi i shtatë i PPSH-së dhe Kina kishte nisur investime në bazat ushtarake shqiptare, përfshirë edhe ato detare.

2.

Por çfarë ndodhi më 18 korrik, një ditë para tragjedisë? Ja si e rrëfen nënoficeri Stefan P. Miho:Detari nga Durrësi nuk kishte vepruar sipas instruksionit për te vaisur kollodokun e makinës me avull. Nga temperatura e larte, shkriu babiri dhe bëri të ndalonte makina me avull e rimorkiatorit detar. Këto gjëra i nxorëm mbrapa në një analize teknike të bërë me inxhinierin Sali Sala, oficer kompetent për zanatin dhe një njeri i mirë që në atë kohë më ndihmoi për të nxjerre përfundimet e nevojshme, ku pak a shumë megjithëse isha komisar, prapë se prapë vija nga sektori teknik silurues dhe kisha njohuri teknike. Kryemekaniku më njoftoi se, situata po bëhej edhe me dramatike. Anija ndodhej në mes te detit dhe kolovitet sa në një drejtim në një tjetër. Tani ndodheshim në mëshirën e fatit, ku të na shpinte era. Kërkova nga shturmanet për të me qartësuar vendndodhjen, por më kot, ata vazhdonin stërvitjen sikur të mos kishte ndodhur gjë. I raportova zëvendës komandantit, por edhe Ferdinandi mbajti qëndrim indiferent.Dikush duhej te komandonte. Atëherë dhashë komandën:

-Bocman hidh spirancën! Bajrami mu drejtua:

-Ka shumë thellë komisar!

-Hidhe.

-Ku të kapë le të kapë.

U lëshua spiranca dhe u siguruam që të mos dilnim në cekinë. Shkova në urën e komandimit, iu afrova radios 105, lëviza dorezën dhe në vënien diku midis 364-365, kapa radistin e Polumbares së Durrësit. Ajo vazhdonte detyrën e saj në bregdetin e Durrësit. Nëpërmjet këtyre rreshtave i shpreh mirënjohjen time më të madhe, atij marinari radist që na ndihmoi për t’i transmetuar Operativit të Flotës, shqetësimin tonë për defektin, që na ndodhi në mes të detit. I them detarit me zë për t’ia sqaruar Operativit ngjarjen tonë dhe defektin e ndodhur në makinën me avull. I raportova se nuk mund ta riparojmë me forcat tona, prandaj kërkojmë rimorkim. Detari radist i anijes, transmetoi urdhrat e mija dhe shqetësimin për ngjarjen. Në orën 15-00 të mesditës Porti na dërgoi rimorkiatorin e vet, i cili u mundua të na rimorkionte, por më kot. Fuqia e tij ishte e vogël.Ora po shkonte 11.00 e natës dhe ne po diskutonim si t’i parandalonim këto ngjarje. Anije të tilla, kur nuk drejtohen në përputhje me kërkesat e disiplinës teknike, bëhen si fuçi baruti, mbasi rimorkiatori ku ne ishim, kishte cisterna të mbushura me mazut, karburant, i cili ka një fuqi të madhe në djegie.

3.

Vijimi i rrëfimit të S. P. Mihos.Në orën 11:15 të datës 19 korrik 1976, në anijen tonë u dëgjua një shpërthim i fuqishëm. Mekaniku Qamil Trimi doli i pari, i ndjekur nga komandant Festimi. Në drejtim të derës ku ndodhesha, u përhap menjëherë një gjuhë e madhe flake, pasi dera e lokalit të kaldajës ishte hapur nga shpërthimi.Komandant Festimi dhe Qamili ishin të veshur, ndërsa unë ndodhesha i zhveshur dhe i shtrirë. Me nxitim mora dokumentet dhe rrobat. Në atë çast, përballë nesh u shfaq Ilia, i përfshirë plotësisht nga flakët. Ai raportoi se në kaldajë kishte shpërthyer zjarr dhe më pas u hodh në det, në përpjekje për të shuar flakët që i kishin mbuluar trupin.

Komandant Festimi e urdhëroi të notonte drejt pjesës së pasme të anijes. Atje, Ilia arriti të kapej pas një vardallaku gome dhe qëndroi për pak çaste, por fuqitë e tij po shuheshin.Për ekuipazhin, ato ishin momente hutimi dhe tronditjeje të madhe. Megjithatë, menjëherë u dha urdhri që disa nga marinarët të shkonin në ndihmë të Ilisë, për ta shpëtuar nga rreziku.

4.

Vijimi i rrëfimit të S. P. Mihos.

-Ngrijeni marinarin! -urdhërova.Dy marinarë e kapën nga duart, ndërsa Ilia bërtiti nga dhimbjet.

-Kapeni nga sqetullat dhe ngrijeni!- përsërita.

Ata vepruan menjëherë. Pasi e ngritën, e shoqëruan drejt zyrës së komandës. Ndërkohë, falë veprimit të shpejtë, të saktë dhe profesional të kryemekanikut Qamil Trimi, flakët kryesore u shuan, edhe pse në lokal vazhdonin ende disa vatra zjarri.

I hoqëm rrobat Ilias, e mbështollëm me një çarçaf dhe e nxorëm në mol. Me mjetin e parë që ndodhej aty, e nisëm të shoqëruar nga nënoficeri Bajram Nebiu drejt spitalit të Durrësit. Paralelisht, spitali njoftoi një mjek specialist për djegiet, i cili ndodhej me pushime. Ai ndërpreu pushimet dhe u paraqit menjëherë në detyrë, duke bërë gjithçka për të shpëtuar Ilian.Ndërkohë, mekaniku i anijes raportoi se zjarri ishte vënë nën kontroll.Ai kishte hapur plotësisht rubinetet e avullit, ndërsa efektivi përdori pajisjet zjarrfikëse për të shuar edhe vatrat e mbetura në kaldajë. Pasi u siguruam se çdo rrezik ishte eliminuar, raportuam te Operativi i Brigadës së nëndetëseve:

“Në orën 11:15 të datës 19 korrik, në rimorkiatorin detar shpërtheu zjarr. U morën masa të menjëhershme dhe zjarri u vu nën kontroll. U eliminuan të gjitha vatrat. Nga ngjarja u plagos rëndë marinari Ilia Dashi, i cili u transportua në spitalin e Durrësit.”Oficeri operativ kërkoi të informohej për gjendjen e tij dhe të njoftohej familja.Menjëherë u nisa për në spital. Kërkova të takoja Ilian, por infermierja më tha se ai nuk mund të komunikonte, pasi kishte rënë në koma dhe ndodhej në reanimacion.Në atë moment, një mjek iu afrua dhe më pyeti për lidhjen time me të. I tregova se isha komisar i repartit dhe i kërkova të më fliste hapur për gjendjen e tij.Mjeku më tha me sinqeritet: Ky djalë është djegur në rreth 70% të trupit. Nga ana mjekësore, shanset janë minimale… por do të bëjmë gjithçka që është e mundur.”Fjalët e tij më tronditën thellë. Megjithatë, ai shtoi:

-Mos u mërzit. Do të luftojmë deri në fund. Ai ka një trup të fortë.”

E përkëdhela Ilian në kokë dhe, duke mbledhur veten, mendova me krenari se kisha pasur në repart një djalë që kishte sakrifikuar gjithçka për shokët dhe për detyrën.

Më pas njoftova komandën për gjendjen e tij të rëndë dhe nevojën për të lajmëruar familjen.Të nesërmen, komandanti i repartit, së bashku me babain e Ilias, u nisën drejt Durrësit. Në mëngjes i prita në spital.

Në një moment, Ilia arriti të fliste, edhe pse me vështirësi dhe pa lidhje të plotë për shkak të dhimbjeve. Megjithatë, me të atin komunikoi më shumë dhe arriti të thoshte:

“Për një guarnicion prej amianti… që duhej t’i vihej pompës…”

5.

Analiza teknike e shkakut të zjarrit.Këto shqetësime u sqaruan më vonë, pas analizave teknike që zbuluan defektin që shkaktoi zjarrin në lokalin e kaldajës. Gjatë zbërthimit të pompës që transportonte mazut drejt kaldajës, u konstatua se në kapakun e saj ishte vendosur një guarnicion prej llastiku, i cili nuk mund të përballonte presionin dhe viskozitetin e lartë të mazutit. Ky lloj karburanti kërkon hermetizim të fortë, i cili realizohet vetëm përmes një guarnicioni prej amianti.

Së bashku me inxhinierin Sali Sala dhe mekanikun e anijes, arritëm në përfundimin se ishte shkelur disiplina teknike. Anija ishte riparuar me forcat e vetë efektivit, në atë që quhej atëherë “frymë revolucionare”, por që në këtë rast solli pasoja të rënda.

Nga analiza e detajuar rezultoi se, gjatë riparimit, ishte zëvendësuar pompa e vjetër e mazutit një pompë nafte e prodhimit sovjetik, e cila hermetizohej me guarnicion amianti dhe fiksohej me gjashtë bulona. Në vend të saj ishte vendosur një pompë uji e re, e prodhimit kinez.Kjo pompë kishte vetëm katër bulona dhe përdorte guarnicion prej llastiku, të papërshtatshëm për mazutin. Për më tepër, guarnicioni kishte një formë kryqi në mes, për të parandaluar hapjen e tij.

Nga jashtë, pompa dukej e re dhe në gjendje të mirë, por në të vërtetë ishte e destinuar për ujë dhe jo për mazut. Ky ishte gabimi teknik kryesor që çoi në pasojat tragjike.

Pompa kishte përballuar lundrimin e parë, por gjatë një momenti guarnicioni kishte shpërthyer. Fatmirësisht, në atë rast, spërkatja e mazutit nuk ishte drejtuar nga furrat dhe nuk kishte shkaktuar zjarr. Pas kësaj, efektivi kishte ndërhyrë vetë: ata e hapën pompën dhe vendosën një guarnicion të ri prej llastiku, të punuar në mënyrë artizanale dhe pa strukturën e duhur. Pompa u mbyll me idenë se puna do të vazhdonte normalisht, pa e kuptuar rrezikun që fshihej pas këtij veprimi.

6.

…Sinjali se ishte bërë një gabim njerëzor dhe se ishte shkelur një rregullore teknike ishte dhënë që më parë. Zëvendësimi i gabuar i pompës solli shpërthimin e dyfishtë të guarnicionit prej llastiku. Në rastin e parë, kur nuk pati pasoja, ndërhyrja për riparimin e guarnicionit ishte bërë nga vetë Ilia. Por shpërthimi i dytë ndodhi në drejtim të furrave dhe solli tragjedinë.

Pompa ishte e destinuar për ujë dhe jo për mazut. Nëse do të ishte përdorur një guarnicion prej amianti, shpërthimi mund të ishte shmangur, megjithëse edhe në këtë rast nuk do të kishte garanci për përdorim afatgjatë.

Para se të shkonim në spital, së bashku me komandantin Festimi dhe kryemekanikun zbritëm në lokalin e kaldajës për të parë nga afër çfarë kishte ndodhur. U konstatua se guarnicioni i pompës, që dërgonte mazut në kaldajë përmes sprucatorëve, kishte shpërthyer në drejtim të grykës së furrës së parë. Temperatura e lartë dhe përzierja e gazrave të mazutit shkaktuan një shpërthim të menjëhershëm, duke përfshirë të gjithë lokalin në flakë.

Në ato çaste kritike, Ilia veproi me guxim të jashtëzakonshëm. Ai arriti të bllokonte furrën e parë dhe të dytë, por nuk mundi të ndalte të tretën. Pa humbur qetësinë, në dalje nga lokali, arriti të mbyllte rubinetin kryesor të mazutit, duke shmangur një katastrofë edhe më të madhe. Më pas u përpoq të ngjitej nga shkallët kryesore, dhe jo nga ato të emergjencës në pjesën e pasme, të cilat do të kishin qenë më të sigurta në një situatë të tillë.

Flakët e përfshinë rëndë në pjesën e sipërme të trupit në gjoks, duar dhe pjesërisht në shpinë. Ai ishte i veshur vetëm me një kanotierë, për shkak të temperaturave të larta në ambientin e kaldajës, çka e bëri edhe më të rëndë dëmtimin.

Më vonë, në një kafene, së bashku me babanë e tij, xha Kicin, morëm nga një gotë konjak. Në vend që unë t’i jepja kurajë atij për djalin, ishte ai që më jepte mua forcë. Në bisedat tona, ai më tha:

-Dëgjo, komisar! më tha xha Kici. Kur më njoftoi komanda dhe më kërkuan të hipja në mikrobus për të ardhur këtu, më thanë se djali im ishte aksidentuar në krye të detyrës dhe se, me veprimin e tij, kishte bërë një akt heroik duke shpëtuar shokët dhe anijen.

Unë i pyeta:

-Nëse kjo do t’i kishte ndodhur një djali tjetër, a do të ishte ndonjë prind tjetër në këtë vend?

Ata më thanë:

– Po, do të ishte.

-Atëherë, – vazhdova, – më ka rënë mua të ulem në këtë vend. Jam krenar, sepse djali im nuk më turpëroi, por bëri detyrën, ashtu siç i takon një djali të familjes sonë.”

Qëndrimi i xha Kicit më la një përshtypje të thellë dhe të paharrueshme.

Më pas i thashë Ilisë:

– Do të shkosh në Tiranë për trajtim të specializuar.

E vërteta është se trajtimi që iu bë në Tiranë i zgjati jetën edhe pesë ditë. Në ditën e pestë shkova ta takoj dhe, për çudi, ai dukej më i kthjellët. Më pyeti për shokët.

-Janë mirë, – i thashë, dhe presin të të shohin të shëruar.

Kisha marrë me vete një vazo me komposto dhe e pyeta:

-Ilia, çfarë dëshiron?

Ai u përgjigj:Komisar,dua një gotë komposto me një kokërr kumbull brenda, ashtu si në anije.”

Ia përgatitëm dhe ia dhamë. Piu pak dhe e la, duke thënë se do ta pinte më vonë. Më habiti kthjelltësia e mendimit të tij në ato çaste të fundit. U largova me një fije shprese…

Por, më 24 korrik 1976, në pasdite, Ilia ndërroi jetë. Pas vdekjes, Ilia Dashi u shpall “Hero i Popullit”.

Trupi i tij u përcoll për në Vlorë. Atë natë, shtëpia e familjes së xha Kicit u mbush me njerëz që erdhën për ngushëllim.

Më 25 korrik 1976, Ministri i Mbrojtjes, Mehmet Shehu, i dërgoi familjes këtë telegram:

“Me hidhërim të thellë mësuam për rënien në krye të detyrës të djalit tuaj të dashur dhe bashkëluftëtarit tonë, detarit trim Ilia Dashi. Ndarja e tij e parakohshme është një humbje e madhe dhe e dhimbshme për ju, për ekuipazhin e anijes ‘Sami Frashëri’ dhe për gjithë Flotën Luftarake Detare.

Ilia Dashi punoi pa u lodhur për zbatimin e detyrave, duke mos kursyer asgjë për atdheun dhe popullin. Ai mbeti besnik ndaj idealeve deri në çastet e fundit të jetës. Vepra e tij do të mbetet një shembull frymëzimi për të gjithë detarët dhe kuadrot e flotës.”

Ministri i Mbrojtjes Popullore, Mehmet Shehu

Tiranë, 25 korrik 1976.

Telegrami i Ministrit u lexua para familjes dhe të pranishmëve gjatë ceremonisë mortore, duke përcjellë dhimbjen, por edhe vlerësimin e lartë për aktin heroik të Ilia Dashit.

Në muajin gusht, Ilia Kici Dashi u nderua me dekret të veçantë me titullin më të lartë: “Hero i Popullit”.

Në dekret thuhej:

Dekret për dhënien e titullit

Në mbështetje të nenit 58, pika 8 të Kushtetutës, me propozimin e Byrosë Politike të KQ të PPSH-së, Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi t’i japë titullin “Hero i Popullit”, pas vdekjes, Ilia Kici Dashit, me këtë motivacion:

“I edukuar nga Partia me frymën revolucionare të vetëmohimit për çështjen e popullit dhe të socializmit, i pajisur me ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë, me disiplinë të ndërgjegjshme dhe shpirt iniciative e sakrifice, me vendosmërinë karakteristike të njeriut të ri, për mbrojtjen e pronës socialiste dhe për vendosjen e interesit të përgjithshëm mbi gjithçka, me dashuri të pakufishme për shokët e punës dhe të luftës, më 19 korrik 1976, u përball me flakët e zjarrit që shpërthyen papritur në anijen ku shërbente. Duke u hedhur me trup mbi burimin e zjarrit, ai ra heroikisht në krye të detyrës, duke shpëtuar anijen dhe duke mbrojtur shokët nga rreziku.”

Tiranë, më 14.08.1976.Nr. i dekretit: 54-26.

Në hyrje të lokalit të kaldajës, në anijen rimorkiator, u vendos edhe një pllakë përkujtimore me mbishkrimin:

“Këtu shërbeu dhe dha jetën në moshë të re Ilia Kici Dashi, më 19.07.1976.”

Duke qenë se ngjarja ndodhi në prag të Kongresit të Shtatë, edhe Enver Hoxha e përmendi aktin heroik të Ilia Dashit në raportin e tij, si një shembull frymëzimi për të rinjtë që shërbenin në forcat e armatosura.

Megjithatë, për të vërtetuar se ngjarja nuk ishte rezultat i ndonjë veprimtarie armiqësore, u zhvilluan hetime të gjata dhe të detajuara. U përballa edhe vetë me një proces hetimor që zgjati rreth katër orë. Fillimisht, hetuesit e Degës së Brendshme të Durrësit morën në pyetje një nga një efektivin dhe më pas kuadrin drejtues. Të gjithë kaluan në një filtër të rreptë verifikimi, por shumica e dëshmive tentonin ta lidhnin ngjarjen me veprimtari armiqësore, pa nxjerrë në pah shkakun e vërtetë teknik të shpërthimit.

Shkakun real e dinim vetëm unë dhe inxhinieri Sali Sala. Ai kërkonte kohë dhe një komision të specializuar për t’u provuar plotësisht, prandaj nuk u bë publik menjëherë. Ndërkohë, dhashë urdhër që të rivendosej pompa e vjetër, e cila ishte në gjendje të mirë pune. Rimorkiatori u kthye në bazë me forcat e veta dhe nuk doli më në shërbim.Ngjarja tregoi qartë se shkaku kryesor ishte gabimi njerëzor dhe shkelja e disiplinës teknike.

Hetimet vijuan edhe nga struktura të tjera. Nga reparti erdhi punonjësi i sigurimit, Agron Kapaj, i cili zhvilloi një hetim të hollësishëm, duke vënë në qendër aktin heroik të Ilia Dashit. Po ashtu, hetues nga Tirana hapën një proces të veçantë për kryemekanikun Qamil Trimi, por ai u mbyll më vonë, edhe falë ndërhyrjeve për të shmangur pasoja të mëtejshme.Mbyllja e çështjes i shërbeu situatës së kohës. Vendi ndodhej në një fazë zhvillimi ekonomik, i ndikuar nga investimet e huaja, dhe akti i Ilia Dashit u përdor si një shembull pozitiv në Kongresin e Shtatë, për të theksuar përkushtimin ndaj mbrojtjes së pronës së përbashkët, edhe me sakrificën më të lartë jetën.Jehona e këtij akti nuk mbeti vetëm në dokumente zyrtare. Shkrimtari ushtarak i marinës, Fadil Zeqiri, e përjetësoi në një vepër letrare, ku ndër të tjera theksonte:

“Ai ishte i pranishëm në çdo apel në anijen ‘Sami Frashëri’.”Po ashtu, edhe poeti Anastasi e përjetësoi në vargjet e tij, botuar në gazetën “Drita”, më 5 gusht 1976, duke e ngritur figurën e Ilia Dashit .