Puhizë prilli-Bardhyl Sh Ferizi

Puhizë prilli
 
Puhizë prilli mbi petalet e bardha,
Lehtas si pupla mbi barin e gjelbër bien
Aromë lule qershie shpërndarë n’oborr
Dhe mbi qeremidet e mbuluara me myshkun shekullor
Aty nën oxhakun e vatrës se fikur kaherë
Cicërrima zogjësh nuk kanë të ndalë
Hareshëm çift dallëndyshesh në fluturim
Baltën me sqep duke bartë për qerdhe
Nën strehën e vjetër nën traun e kalbur
Ka fillue me ndertu edhe këtë herë
plot zell
Shtigje këmbësorësh në oborr
Mbuluar nga fije bari të gjelbëruara
Stoli i vjetër këmbë kalbur
Skaj derës rezbitur me kot pret
Kapakë dritaresh gjysëm të hapur
Si qerpikë mbi gropa sysh të nxjerrur
Spirra xhami të topitur në këndet e tyre
Kohë pas kohe lehtas era i përplasë
Zukamë bletësh mbi lulet e sapo qelura
Në oborrin e mbetur shkret
Hare as gëzim më aty moti s’ka
Ç’prej se trupin plakut prej aty në arkivol
E nxuarren, e shpirti i tij shkoi në amshim
Trishtimi lotin në qerpik e ngriu
Kujtimet fluturuan atje largë dikund
Duke u këthyer, zëri i plakut më erdhi bashkë me to
Në veshë gumzhitje, e para syve ngjyra pranvere
Në oborr i ulur pranë qershisë mu ba
Veten fëmi unë aty e pashë,
Çanakun plot përshesh mbi gjunjë
Me lugë druri duke ngrënë
Në skajet e buzëve troha buke misri lagur me qumështin rridhnin mbi mjekërr duke pikë
Gjyshja misrin pulave shpërndante
Gjeli mbi pleh këngës me sy mbyllur ia tha
Bardhoshi i shtrirë skaj kolibe pritueshëm shikonte
Babai me lopatë rrotullullonte dheun për kopsht
Zëra fëmijësh plot hare që po loznin në oborrin plot gjelbërim…
Krrokamë sorre nga atje më këtheu
Vetëm në mes të oborrit aty isha shtangë
As zë, as cicërim ma nuk piptin
Më kot shikova por asgjë nuk pashë
Hoqa syzet dhe me dorë flokët e thinjur i rregullova…
Ngadalë nga pragu i derës oborrit po largohem
Nga cepi i syrit një pikë loti rrodhi e u shkëput
Ndeza makinën dhe po këthehem prap me ngadalë
Mbi gropa në xhunglën e asfaltit si më parë…
BF
5 Prill
BF