Pilo Zyba

KONKURENCA DHE SELEKSIONIMI I VLERAVE NË ART ËSHTË DOMOSDOSHMËRI..
Shkëputur nga libri “Cilësia dhe vlerat artistike në artin poetik” që përgatitet për shtyp
Nëse do ta mërrnim gjininë muzikore si shkallë në ngjitje, ajo do të fillonte nga kënga, dhe shkallë shkallë do të ngjitej në vlera, në peshë e cilësi deri te opera apo dhe më tej..
Po të njëjtën gjë mund të themi edhe për artin e të shkruarit.Do të fillonim me poezinë dhe shkallë shkallë do të shkonim te romani apo dhe më lart.
Këto gjini dhe të tjera, që lindën si domosdoshmëri të shprehjes së botës së brëndëshme, apo të mendimit, u krijuan nga njeriu dhe u rritën bashkë me të.
Në rastin konkret unë nuk dua të bëj një analizë të arteve, por thjesht po fillojmë nga baza dhe historia e saj, për tu ngjitur në pemët e tyre, dhe degët e veçanta, që kanë hapur krahët në historinë e sejcilës prej tyre.
Unë i përkas një brezi, i cili, ishte mbërthyer në një darë të hekurt propagande përsa i përket artit, qoftë atij muzikor, figurativ apo poetik.
Me rrëzimin e perdes së hekurt, por dhe murit që ndante artin e ndjerë dhe të vërtetë nga ai propogandistik, sot në kushtet e një lirie të gjëre, por dhe të dhjetra mundesive për ti shfaqur ato, shikoj me vëmëndje dhe mendoj se ka ardhur koha të mendojmë më thellë, më kujdesshem për lumin e madh të krijimtarive, por më shumë i drejtohem atij poetik, nisur nga ajo sferë ku dhe vetë bëj pjesë prej shumë dekadash.
Prej disa vitesh në Shqipëri ka një shpërthim në lumin e madh poetik.Ky lumë herë vjen rrëmbyshëm dhe herë i qetë.Herë bie trungje dhe gjethe të shkundura e të mbledhura rrugës, dhe herë vjen i pastër, i cilësishëm dhe i filtruar.
Në fakt jemi një popull art dashës, kjo duket dhe në arenën ndërkombëtare me figurat e njohura si Robert De Niro, Ismail Kadare, Inva Mula,James Belushi, Tedi Papavrami, Dua Lipa, Rita Ora etj.Kjo tregon botën e thellë artistike të një kombi, që edhe pse me pushtime të njëpasnjëshme, copëzime, prapë mbijeton dhe bëhet i njohur në botë.
Por mbi të gjitha këto emra dhe cilësi të vyera të talenteve, po të largohemi nga ajo bërthamë e madhe e të njohurve, shikojmë me keqardhje se, në lumin e rrjedhshëm të përditshmërisë ka probleme që duhen parë me kujdes.
Mbas rënies së komunizmit, bumi krijues u rrit ndjeshëm.Kjo si rezultat i çensurës së mëparshme, por dhe aftësive të sejcilit për tu shprehur në këtë gjini.
Që nga fillimet e tij arti poetik mori pamjen e Drinit, që duke rendur tatëpjetë, dukej se do krijonte një det të tijin me poezi,poema etj.
Si rezultat i kësaj lindi domosdoshmëria e krijimit të dhjetra shtëpive botuese,si rezultat i sasisë.Por në rastin konkret as nuk kishte dhe as nuk ka një ligj mbi krijimtarinë, apo ai nuk zbatohet, ose më mirë të them, janë shumë ata që nuk u intereson të zbatohet.Sot arti është kthyer në një tregëti të rëndomte.
Kam prej më shumë se 25 vjet që botoj libra në botën e lirë perëndimire, por në asnjërin prej shteteve ku kam punuar dhe botuar, nuk më ka kërkuar njeri qoftë dhe një qindarkë të vetme për botimin.Shtëpitë botuese kanë bëre një pranim të ligjshëm të librit, me një kontrate që, për aq kohë sa libri ndodhet në shtepinë e tyre botuese,autori nuk ka të drejtë ta çojë diku tjetër.Më pas ka dy kushte, njëri është që të kthehet mbrapsh dhe nuk ta botojnë,pa të dhenë arsye për mos botimin e tyre, ose, nëse e botojnë ulesh dhe bën kontratën dhe kushtet mbi të cilat shkruhet kjo kontratë.Pastaj varen nga të tjera kushtet e fitimit të shumtë apo të paktë..kjo varet nga propogandimi që bën shtëpia botuese, tregëtimi etj.Por unë shtoj pyetjen:..” cili nga gjithë këta dhjetra poetë që shikoj se kanë botuar libra, ka një kontratë me qoftë dhe një shtëpi botuese, ASKUSH! Pse? Sepse te ne gjërat funksionojnë si gjithmonë mbrapsht.Një shtëpie botuese i intereson më mire të botojë pesë tituj në vit dhe të shesi mijra libra,se sa të botojë qindra libra në vit dhe të marri çikërrima.
Unë si qytetare dhe jo si artiste shtroj një pyetje:
Kemi 32 vjet që jemi në demokraci.Në këto 32 vjet, cili Dritero ka lindur, cili Ismail Kadare, cili Fator Arapi,cili Xhevahir Spahiu?Po mjaftohem me kaq pa përmëndur më shumë,dhe vazhdoj. Thua se nuk do të ketë në të ardhmen emra të tillë si të para ardhësve?
Unë mendoj se ka, por ata janë të mbytur në detin gjithë llum të krijimtarisë, kush do ti nxjerrë që andej,dhe kush duhet ti nxjerri, kush duhet të siti të tërë miellin artistik për të ndarë miellin e pastër nga krundet, kujt i takon kjo? Kjo i takon shtëpive botuese dhe askujt tjetër.
Në botë shtëpitë botuese kanë libraritë e tyre, të cilat në vite e shekuj kanë botimet e tyre me të cilat mbijetojnë,por kanë dhe vlerat, ndryshe ato nuk luftojnë të përzgjedhin dhe propogandojnë librin,apo të krijojnë traditën.Po te ne?Te ne punojnë për fitimin sot për neser.
Gjithmonë është thënë se lexuesi shqiptar nuk blen libra, pse?
Sepse në këtë lumë te madh lexuesi nuk po orjentohet dot, sepse ai më mirë zgjedh të heshti se sa të marri krunde.Ai nuk ka kohë të lexojë dhe të përzgjedhi mes tyre,sepse e presim dhjetra detyra të tjera familjare shoqërore etj.Arti nuk ëshrë domate qe e shikon në banak nga ngjyra dhe madhesia, ai provohet duke u ulur, duke e lexuar dhe duke pare vlerat.Askush nuk ka kohë për të humbur,prandaj sitat e seleksionimeve të artit nga shtëpitë botuese duhet të bëjnë punën e tyre.Për këtë, një faj të madh ka dhe Ministria e Kulturës, e cila ose emrin e ka gabim,ose është vetëm për të marrë rrogat nën këtë ëmër dhe jo për të dhënë vlera.Kur flas për ta, e kam fjalën për të gjitha gjinitë që u përkasin, jo vetëm për librin.Me po të njëjtat monedha ndahen dhe çmimet kombëtare të artit në Shqipëri, nga rrethi, pozita, dhe jo nga vlerat artistike.
Kur vjen koha e panairit të librit,shikojmë se lexuesit blejnë libra,por blejnë autoret e njohur botërorë,atë që e dine se kanë vlera dhe e dinë që nuk humbasin kohen kot duke i lexuar.
Në botë artisti paguhet për vlerat e artit të tij. Në shqipëri paguan vlerat e tij, mërr librin e tij në dorë dhe vrapon rrugëve duke i recituar dhe publikuar në faqet e internetit, sepse shumë herë “frutet” e punës së tij ose nuk i vlerëson kush, ose janë pa shije, pa vlere, dhe të çala në drejtshkrim, apo të shprehura jo vlefshëm në shqipen e bukur.
Për të gjitha këto që shkruajta më lart, mund të jap shumë shëmbuj, qoftë për cilësitë e atyre që kanë vlera, po kështu dhe të atyre që, edhe pse janë të mbushura me erza, salca, prapë mbeten pa vlere dhe shije.
Në këtë livadh të madh të artit, shikoj me keqardhje se, shpesh digjet dhe i njomi, i brishti,i gjelbërti me të thatin.Shumica e librave ashtu si vijnë ashtu dhe ikin, pa u vënë re, pa marrë vlerat që u takojnë,për mirë apo për keq.Këto dhe të tjera, kanë arsyet e tyre.E para dhe kryesorja është se ka vdekur kritika dhe interesi i saj për të punuar në seleksionimin dhe rritjen e vlerave në këtë fushe.
Para shumë vitesh kam botuar disa libra të poetëve, të cilët startuan ato vite dhe sot janë me një sëre librash dhe vlerash…Mund të përmend ketu, Angjelina Krasniqi,Bledi Ylli, Dëshira Haxhi,Anila Dahriu,Anita Hoxha,Manjola Brahaj,Veron Hoxha, Sajmir Hide, Belantina Venari etj.
Duke u afruar në vite rrjedha e lumit poetik ka ardhur gjithnjë duke u shtuar, por ajo shpesh herë vjen e rrëmbyer me dëshiren e madhe për të botuar, e turbullt dhe pa sistemuar.Kur i shikon të vjen keq për këto krijesa sakate qoftë kur ti dhurojnë si miq, qoftë kur i blen vetë në rrethet tregëtare të librit.Shumë prej tyre vuajnë nga frymëmarrja e dobët tematike, nga gabime drejtshkrimore, nga mungesa e korrektimeve dhe redaktimeve.Këtu për disa arsye, e para, sepse vetë autoret këmbëngulin të mbeten si e kanë shkruar,pasi vetë nuk kanë njohuri mbi fushën dhe janë kot kokfortë, por dhe nga mungesa e shtëpive botuese që punojnë pa përgjegjësi dhe pa një qëllim të caktuar për të ardhmen.
Shikojmë gjithandej nëpër internet njerëz të pa ndergjegjshem,që gjoja kanë ca shoqata dhe organizohen me ca fletë lavdërimi për të peshkuar autoret për përfitime ekonomike në botimet e tyre.Këto lloj shoqatash, që vetëm shoqata nuk janë, por vetëm ca njerës që nën emrin e tyre veprojnë dhe në të vërtetë minojnë artin.Ato, japin me dhjetra fletë lavdërime me firma dhe vula, që shpesh më kujtojnë dekoratat e gjeneralëve sovjetikë pas luftes së dyte botërore.Për kontributet e tyre të luftes, ata i përdornin duke i varur në kraharorët e tyre nëpër paradat madheshtore të përvjetorëve.Por ata kishin vlera sepse luftuan për një qëllim,dhe u vleresuan për të.Po kështu dhe “poetucët” tanë, i hedhin nëpër profilet e tyre trofetë me vlerat e “mëdha”.Dhe mendojnë e fantazojnë se, në ditët e fundit kur të përcillen për në varreza, këto dekorata të vendosura në korniza të florinjta dhe në jastëkë të bukur të mëndafshtë e mbushur me pupla do ti përcjellin me cermoni.Mirë që nuk është gjallë gjyshja ime, se nuk do kishin të pushuar rromuzet e saj për këto lloj titujsh dhe vlerash.
Si të mos mjaftonte kjo,shpesh shikojmë dhe lexojmë që dalin nga shtypi dhjetra Anthologji poetike, të cilat i përgatisin ca interesaxhinj, që luajnë me dëshirat e ca poetucëve për tu dukur dhe për të kërkuar vlerat që nuk i kanë.Fjala Antho-logji në kuptimin e saj do të thotë…anthos, që është pafajësia e fjalës apo lules së virgjës, dhe loogia…është fjala e kësaj luleje të virgjër.
Por po të shikojmë me kujdes dhe të marrim disa prej këtyre Antho-logjive, cila prej tyre ka kuptimin e atyre që themi më lart..Atë virgjëri dhe atë fjalë të zgjedhur? Asnjë prej tyre nuk ka vlerat e një të tille.Ato janë thasë të mbushura me fjalë boshe, të renditura nëpër faqet e një libri.Në fakt dhe vetë letra që është e detyruar të mbajë këta thasë fjalësh pa vlerë, ndihet e fyer.
Duhet thënë se, këto botime kanë qillime të tjera fitimi,pa marrë parasysh vlerat artistike.Unë po jap një shëmbull domethënës për botimin e tyre.Një antologji e botuar nga këta lloj Batakçinjsh” ka dy qëllime.Qëllimi i parë është se, duke mbledhur 20 poetë, të cilëve, “poetë u thënçin”, u marrin nga dy tre poezi,dhe bashkë me to 50 euro apo më shumë.Pra 20 herë 50 bëjnë 1000 euro…dhe këto ANTOLOGJI botohen në 100 kopje…ku kostua e tyre është e barabartë me 100 euro, ndërsa 900 të tjerat u takojnë organizatorëve, domethënë,batakçinjve.
E dyta është për të afruar rreth vetes këta lloj artistësh, që tu japin dhe vlera vetes, për të treguar se punojnë dhe bëjnë një punë të lavderushme për përzgjedhjen e vlerave të artit, bythë e plasur,do thoshte e ndjera gjyshja ime.
Dhe e treta, pasi i mbajnë të afruar në “Shkërdhatat e tyre” më falni, shoqatat e tyre këta grupe autoresh, i përdorin për ti mjelur apo për ti vjelur me botimet që mund tu bëjnë.
Pas viteve 2010 unë u largova edhe më shumë nga atdheu për një emigracion të dytë, i cili kërkonte luftë dhe përkushtim, kështu që u distancuam dhe nga krijuesit, mbeti vetëm interneti si urë lidhese dhe bashkëpunimi shoqëror dhe jo botues.
Pas asaj vale të parë në lidhje me krijuesit u mundova dhe mundohem që të mbledh dhe këtu larg në bibliotekën time librat e tyre.Para dy tre vitesh pata në duart e mia disa libra dhe autorë,që vërtet vlejnë për tu përmëndur për punën e tyre cilësore si Mimoza Osmani, Diamanta Zallta,Anila Kodra,Alma Memeti, Ardita Lajçi,Lindita Kurti,Rudina Muharremi,Bruna Softa, Suela Cenolli Armata,për të cilat dhe pak a shumë kam shkruar për artin dhe vlerat e tyre.
Duke u afruar në kohë u takova me krijimet e Valbona Kolaverit, Mirela Lame, Brunilda Ramollari etj.
Përgjithësisht kam një mendim timin të cilin dhe më duhet ta shkruaj.Pema e madhe e artit, tashmë është e bleruar,degë shumë dhe me lastarë që pritet të lindin e rriten,por, nëse kurora e saj duket e gjelbër nga larg,po të shikosh nga afër degët kanë marrë përpjetë duke ja prishur bukurinë, por mbi të gjitha degët janë ndërthurur mes tyre dhe e kanë bërë që prodhimi të jetë i pakët në të, dhe ato që janë, kanë mbetur të vogla nga mungesa e hapësirës dhe frymëmarrjes.Prandaj kërkohet krasitje,kërkohet përkujdesje, për të dalë në dritë dhe për ti kapur rrezet e diellit…
Ndërmjet kësaj ligjërate të gjatë dua të bëj dhe një përqasje shëmbullore për një apo më shumë botime të fundit, të cilët ndonse janë cilësore në brëndesinë e tyre, kanë kaluar pa u vënë re, dhe pa marrë vlerat që u takon.
Dua të përmënd këtu autoren Lindita Kurti me librat, “Melodi shpirti”,”Rilinda për të jetuar”.Mimoza Osmani, “Kurorë hënash” apo Brunilda Ramollari, “Brënda fjalës”
Dua ta mbyll këtë shkrim këtu, por jo të mbyll kapitullin e botimeve,dhe luftën për cilësine e artit.Në këtë lufte do jem gjithnjë një ushtare e pa epur, për të cilen do luftoj pa u pajtuar me rrjedhen e turbullt që duan ti japin lumit krijues kombëtar.