
Trupi në hapësirë dhe vetëdija në lëvizje: Një lexim kritik i figurës së gruas në narrativën moderne shqiptare në rrëfimin urban të Arjola Zadrimës.”Njerëzit kanë frikë nga gratë e forta”
Në kontekstin e transformimeve të letërsisë shqipe bashkëkohore, vërehet një zhvendosje e qartë nga përfaqësimet tradicionale drejt formave introspektive dhe urbane të rrëfimit, ku subjekti femëror nuk paraqitet më si figurë statike, por si një subjekt në proces të vazhdueshëm vetëformësimi. Në këtë kuadër, rrëfimi urban i Arjola Zadrimës përfaqëson një rast paradigmatik për të analizuar mënyrën se si ndërtohet një subjektivitet i ri femëror në raport me hapësirën, trupin dhe përvojën e frikës.
Ky studimka një qasje ndërdisiplinore midis teorisë letrare, filozofisë dhe teorisë feministe, për të argumentuar se në rrëfimin e Zadrimës, figura e gruas transformohet nga një objekt pasiv në një subjekt aktiv që menaxhon frikën përmes vetëdijes, kujtesës dhe vetëkontrollit, duke prodhuar kështu një model të ri të subjektivitetit femëror në letërsinë urbane shqiptare.
Sipas Roland Barthes, teksti nuk është një strukturë e mbyllur me kuptim të vetëm, por një “fushë shumëzimi kuptimesh”, ku lexuesi bëhet bashkëprodhues i interpretimit. Kjo qasje e çliron analizën nga një lexim linear dhe e hap drejt një interpretimi polifonik.
Në të njëjtën linjë, Tzvetan Todorov e koncepton narrativën si një sistem strukturash dhe transformimesh, ku rëndësi ka jo vetëm “çfarë ndodh”, por “si ndërtohet rrëfimi”. Në këtë kuptim, minimalizmi i ngjarjes në tekstin e Zadrimës nuk është dobësi narrative, por strategji strukturore.
Ngjarja në rrëfimin urban është :
një grua ecën vetëm natën dhe ndjen praninë e dikujt pas vetes. Kjo funksionon si një bërthamë narrative minimale, mbi të cilën ndërtohet një kompleksitet i thellë psikologjik dhe simbolik.
Në filozofinë feministe të Simone de Beauvoir, ideja themelore se “gruaja nuk lind, por bëhet” vendos bazën për të kuptuar identitetin femëror si konstrukt historik dhe social, jo si thelb i pandryshueshëm.
Kjo ide gjen një pasqyrim të drejtpërdrejtë në tekstin e Zadrimës. Rrëfyesja nuk paraqitet si një figurë e dhënë, por si një subjekt në proces formimi përmes përvojës së frikës dhe vetëdijes.
Nga ana tjetër, koncepti i pushtetit tek Michel Foucault është thelbësor për këtë analizë: pushteti nuk është vetëm një forcë e jashtme shtypëse, por një mekanizëm që internalizohet dhe prodhon vetëkontroll.
Kjo shfaqet qartë në momentin kur rrëfyesja i thotë vetes:
“mos e kthe kokën” , një akt që nuk është thjesht reagim ndaj rrezikut, por një formë vetëkontrolli të vetvetes.
Në këtë linjë, qasja e Judith Butler mbi performativitetin e gjinisë ndihmon për të kuptuar se identiteti femëror është një praktikë që ndërtohet në veprim. Gruaja në këtë tekst “performon” forcën e saj pikërisht në momentin e frikës.
Rrëfimi ndërtohet mbi një strukturë ciklike:
ecje -ndjesi – frikë – kujtesë – reflektim – vetëkontroll.
Rrëfyesja ndjen se “dikush është pas meje”, por menjëherë pason urdhri i brendshëm:
“mos e kthe kokën”
Ky moment është thelbësor, sepse frika nuk zhduket. Ajo transformohet në vetëdije dhe subjekti nuk paralizohet, por vepron.
Këtu ndodh kalimi nga objekt pasiv në subjekt i vetkontrolluar.
Kujtesa ,në rrëfimin urban të Zadrimës luan funksionin e një mekanizmi mbrojtës.
Figura e bashkëshortit (Francit) nuk është thjesht një element narrativ, por një strukturë e brendshme orientuese. Kujtesa funksionon si një kod sjelljeje, madje si një “ element mbrojtës”.
Ndërhyrja e zërit të djalit krijon një përmbysje të roleve tradicionale:
më parë ishte burri që mbronte gruan.
Ndërsa tani është djali ai që shfaq kujdes ndaj nënës. Por më e rëndësishme është fakti se gruaja nuk reduktohet në viktimë.Ajo nuk pranon të jetë viktimë.
Kjo e vendos figurën femërore në një pozitë të re: në këtë rrëfim urban femra jepet e vetëdijshme, e fortë dhe autonome.
Duke ndjekur konceptin se hapësira nuk është neutrale, rrëfimi vendoset në një ambient urban (buzëmbrëmje, rrugë, vetmi), i cili prodhon tension dhe pasiguri.
Trupi në këtë rrëfim nuk është vetëm një prani fizike, përkundrazi një tekst që lexon dhe interpreton hapësirën. Ai bëhet vendi ku ndërthuren:frika, kujtesa ,vetëdija dhe pushteti.
Teksti karakterizohet nga fjali të shkurtra,
ritëm i ndërprerë,ndërthurje e ligjëratës së drejtpërdrejtë me mendimin.
Struktura ritmike që ndjek rrëfimi urban i Zadrimës është hap -mendim – kujtim – reflektim.
Përdorimi i dialektit verior krijon një efekt autenticiteti dhe e lidh tekstin me një përvojë konkrete kulturore.
Nga pikëpamja estetike, teksti i afrohet parimit të Ernest Hemingway mbi “teorinë e ajsbergut”, ku kuptimi i plotë nuk shprehet drejtpërdrejt, por mbetet i nënkuptuar dhe kërkon pjesëmarrjen aktive të lexuesit.
Kulmi i tekstit artikulohet në idenë:
“njerëzit kanë frikë nga gratë e forta, çka është një deklaratë narrative, një tezë sociale (raportet gjinore), dhe ekzistenciale (vetëdija e subjektit).
Në përfundim, rrëfimi urban i Arjola Zadrimës përfaqëson një model të ri të subjektivitetit femëror në letërsinë shqipe bashkëkohore. Përmes një strukture narrative minimale, por të ngarkuar me tension psikologjik dhe simbolik, teksti ndërton një figurë gruaje që nuk është më objekt pasiv , por subjekt që e njeh, e menaxhon dhe e transformon atë.
Në këtë mënyrë, trupi, hapësira dhe vetëdija bashkëveprojnë për të prodhuar një identitet femëror që sfidon modelet tradicionale dhe hap një drejtim të ri në narrativën urbane .
Teuta Sadiku
“Njerëzit kanë frikë nga gratë e forta.” Nga Arjola Zadrima
Mu kujtu im shoq, sonte.
Po kthehesha pak ma parë , në kamë. Ma shumë tuj shiju ecjen, freskinë e mramjes, rrugicën e boshatisun. Gjendesha e zhytun në habitatin tem.
Mbas do minutash ndjeva hapa mbas vetes. Ajo ndjesia e sikletit sikur shtohej, por mu kujtu Franci. Kishte net kur kthenim vonë , dhe po kështu ndodhej ndokush mbas nesh. Unë kisha frikë aso kohe, ndërsa ai mundohej me m’qetësu.
-Mos e kthe kryt, thoshte, asht thjesht një njeri si ne por mundet me u transformu në diçka tjetër kur e kupton që ke frikë.
Eca e qetë, drejt dhe me të njëjtin hap. Ai disi u afru dhe kur më parakaloi pak , ktheu kryet. Më pa më habi, por mori mbrapsht një shikim mospërfillës. Isha edhe lodhun.
Iku.
Im bir më telefonoi, e ndjeja që më qortonte, po kthehesh vetëm, nëpër rrugica, po pse s’më the…
-Mamë moj gru, po të ndodhë ndonjë gja…
Qeshja me të. E mbylli dikur telefonin.
Ndjeva sërisht hapa mbas meje. Gjithsesi në mend më sillej një pyetje, pse a ka gja që nuk më ka ndodhë në këtë jetë?
Eca drejt shtëpisë ashtu kryenaltë por hijerandë.
-Mos e kthe kryet Jolë, zakonisht njerëzit kanë frikë nga gratë e forta!