
Vullnet Mato
Të flas nëpër erë, duke pëshpëritur:
“Ke hijen time, në trup të ngjitur !...’’
Ti sa herë ndonjë rrugë me diell nis,
ke mua, lidhur me lakun e dashurisë,
Më ke në çdo hap, ku shkel këmba jote,
nën qepalla , ku të njomin pikat e lotëve.
Më ke tek ajri, që të thithin mushkëritë,
te rrezet diellore, ku lan fytyrën me dritë.
Nga të gjithë zërat, që era sjell të dëgjosh,
më ke tingull te veshi, që s’mund ta largosh.
Më ke te magneti tërheqës, të lidhur nyje,
te gjunjët, që të shtynin drejt meje të vije.
Më ke figurë te sytë, imazh që nuk fshihet,
te buzët që pa folur e pa qeshur s’të rrihet.
Sado të mendosh e të thuash, më s’e dua,
në çdo ëndërr nate, ti më ke brenda mua.
Më ke prezent, siç të vjen drita në të gdhirë,
kudo ku shikimin shëtit, në kohë e hapësirë,
Më ke kudo, ku aroma të këndshme ndjen,
në dridhërimat e çdo kënge, që të pëlqen.
Më ke në thërrimet, përtypur çdo kafshate,
në fijet e holla nervore, brenda lëvizjes sate.
Më ke nëpër qeliza, nga flokët, gjer në thua,
nuk më heq dot kurrë, nga mendimet e tua,
Më ke në të gjithë thellësinë e qenies tënde,
jashtë e brenda vetes, ku bredh me mendje...
Më ke në gjak, te rruazat e kuqe ndër vena
derisa gjakun në trup, të ta qarkullojë zemra!...