Fajkoi i vetmuar-Vullnet Mato

Vullnet Mato
FAJKOI I VETMUAR
Jam një fajkua, krejt i vetmuar,
vëlla e motër, kam veç pendet e mia.
Jetoj në furrik betoni, nga koha e kaluar,
me dallëndyshen, që më la jetëgjatësia.

Nuk sulem të shpupuloj zogj të tjerë,
si bëjnë zakonisht skifterët grabitqarë,
por me sqepin tim, qëkur kam lerë,
cicërroj, si të gjithë zogjtë këngëtarë.

Ligjërova nëpër dy njëqindvjeçarë,
fillimisht me tinguj të ulët, në surdinë,
nga frika e pelikanëve të kuq sundimtarë
dhe me alto, kur koha ndërroi vranësinë.

Tani fluturoj në largësi, që cicërrimet e mia,
t’i dëgjojnë gjallesat e gjithë botës mbarë.
Cicërroj pareshtur, të përjetojë shpezëria,
muzikën drithëruese, të shpirtit këngëtar

Sa herë dal nga furriku i këngës sime,
i bashkohem korit të madh me cicërima,
të ushtojnë fort, trojet tona me ligjërime,
ku lindin pareshtur, fajkonj, bilbila e kanarina.

Si fajkua i lashtë i tingujve të këngëzimit,
me këngën time, dua të ndjejë gjithësia,
se të gjithë zogjtë, me sqepa cicërrimi,
trokasin në zemra, të mbretërojë dashuria.

Nuk di ç’ështe smira, mes zogjve këngëtarë,
kush cicërron më mirë, më flakëron zemrën,
kush ligjëron më bukur, ma bën shpirtin behar,
të gjithë së bashku, përjetësojmë pranverën.

Ligjëroj çdo ditë të jetës, vdekjen të sfidoj,
duke i hedhur përsipër veladonin e zi.
Se më lindi nënë Thëllëza, të fluturoj e ligjëroj,
në qiellin e shqiponjave, të quajtur Shqipëri…