VARGJE TË MUZGËTA
Me kërleshje ngjyrash, drithërima hijesh, me heshtje rritjeje, lulëzim dëshirash, me zhveshjen nazike të ditës nga drita, vjen Muzgu…
Në muzg, sa shumë gjëra ndodhin në muzg, kur të shtata ngjyrat treten e bëhen një, kur çdo gjë mbi Dhé nis e humb trajtat, ndërsa drithërima e ajrit, e shpirtit, na kujton, se mbi këtë dhé s’do jemi përgjithnjë. Ndaj ndizemi e ndriçohemi përbrëndshmi, përbrëndshmi gjëmojmë si deti në furtunë, ndërsa muzgu na pushton si qerthull pa dalje me rrathë hijesh, shtrëngim dëshirash…
Unë palat e kindave të tij pres, e bëj një kostum të muzgët, tretem në të, me bëmat e shpirtin të tij këtë natë të loz, ma ka ënda, se në muzg, çdo gjë bëhet në muzg!…
Në muzg, ndërsa shndrimi magjik i botës bëhet qetësisht, unë në një skaj të paarritshëm strukur brënda vetes gjendem, në rrafshe hijesh, mjegullnaja kujtimesh, ndërsa ëndrrat varur në gozhdë dëshirash, era e viseve të mia m’i lëkund … Muzg, as errësirë e plotë, as dritë dritërimi, ti më ringjall të gjitha trishtimet, të gjitha dhimbjet, gjithë shpirtrat e të vrarëve të mi gjithashtu, në tisin tënd të argjënd shoh Çamërinë time, tek rend kohrave e viteve si e marrë, për gjith padrejtësitë e Botës që i janë bërë, për të vrarët e saj që i ka pa varr…
Por në muzg, zënë fill gjithë pabesitë e botës, në muzg zënë e ndërtohen gjithë kuajtë e drunjtë, në muzg shpërvishen mëngët, rrëmbehen kamat, që ngulen në popuj, që ngulen në trup… Në muzg, kur drita zë terret e nata me heshtje ndjell, ndizen dëshirat, pasionet marrin zjarr, rriten e marrin përmasa kozmike, se Toka më si mban. Hënës e yjeve nisin përplasen, sa vjen mëngjesi me dritë e u vë zjarr… Në muzg, sa shumë gjëra ndodhin në muzg…
Hekuran Halili
NJË ANALIZË SHPIRTÉRORE PÊR VARGJET E MREKULLUESHME TË POETIT DHE TREGIMTARIT Hekuran Halili

Kjo poezi mbart një ngarkesë të dendur emocionale dhe historike, të përqendruar në një moment simbolik: Muzgun…. Muzgu nuk bëhet thjesht buza e mbrëmjes nuk bëhet thjesht një çast i ditës, por një gjendje ndërmjetëse midis dritës dhe errësirës që i përshtatet thellësisht temës dhe dhimbjes njerëzore…
“Në muzg malli i Çamërisë” Muzgu bëhet hapësira ku ringjallet malli për Çamërinë.
Malli nuk është vetëm moment i Muzgut Shfaqet si një ndjenjë që nuk humbet me kohën, por përkundrazi, bëhet më i thellë në heshtjen e muzgut….
“Mendimi pse kemi dëshmorë” Poeti nuk afirmon, por pyet. Dëshmorët nuk paraqiten vetëm si figura heroike, por si dëshmi e një padrejtësie..Pyetja “pse” e zhvendos tekstin nga retorika patriotike drejt reflektimit filozofik. “Mendimi pse popujt rrëmbejnë” Këtu kemi një universalizim të dhimbjes.
Nuk është vetëm një histori shqiptare, por një natyrë njerëzore që përsërit cikle dhune dhe grabitjeje. Poeti nuk e kufizon fajin, por e zgjeron në një dimension më të gjerë antropologjik. Atdhe…nuk cileson vetëm dhimbjet per Atdheun e tij por per gjithë të humburit…
“Në muzg e drejta hesht”..bëhet meditim… Ky është kulmi moral i vargjeve. Heshtja e së drejtës sugjeron një botë ku drejtësia nuk funksionon, dhe ku zëri i saj është i mbytur. Është një akuzë e heshtur ndaj historisë, politikës dhe ndërgjegjes njerëzore. Arti poetik në këto vargje Forca e Hekuran Halili qëndron në ekonominë e fjalës dhe në përdorimin e pyetjes si mjet poetik. Ai nuk jpërgjigjet dhe pikërisht kjo e bën poezinë më të fuqishme. Heshtja mes vargjeve flet po aq sa vetë fjalët. Muzgu si metaforë: momenti kur dhimbja që i shpërndahet natës që po vjen.. Pyetjet në fund krijojnë tension dhe kërkim të vazhdueshëm në ndergjegjjen njerëzore.Mall + padrejtësi: dy shtylla emocionale që ndërtojnë gjithë poezinë…
Nga Çamëria drejt fatit të popujve. Poeti arrin të shprehë një tragjedi historike pa rënë në patetizëm të tepruar. Ai e ruan dinjitetin e dhimbjes përmes përmbajtjes dhe reflektimit. Kjo poezi nuk u shkruajt vetëm të kujtojë padrejtësinë Çame…por për të vënë në pah mënyrën si funksionon drejtësia dhe historia në botën njerëzore. Një përshkrim i mrekullueshëm me metafora që therin si kamë ndërgjegjjen e të gjithë atyre që shkelën mbi gjak dëshmorësh dhe padrejtësi popujsh… Ndoshta jam shumë e “vogël “për t,u ndalur në vargje të tilla dhe aq më tepër për ti analiizuar por mendoj se ajo që ma kërkon si domoshmeri kete gjest është dashuria për Çamërinë , rrënjët e mia si dhe ndërgjegjja e krijimtarit i cili duhet të zgjojë botën dhe të vërë në pah problemet e saj sociale…
Migel Flor