Besëprerja e madhe-Spiro Kote 

Spiro Kote 

BESËPRERJA E MADHE

( baladë)

Ç’sheh ashtu e errur , vetmitare hëna,

Qosheve të nxira, fshehur resh të ngrëna..?!

E mërguar këtë natë, nën duhmë gjakrash,

Besëprerje ndien , prerje thike , qafash…

Kukuvajkë e vonë, pse s’pushon me klithma,

Kur si kalë në këmbë, gjumin , bën heshtja.?!

Kur kamën e të pagjumit, tinëz rrëmben nata:

“Zot na ruaj ,ç’mënxyra, ç’gjëma,vijnë prapa!

Pandemi e krimit, me kurthe gjaksorësh,

Ende që pagdhirë , thur gracka frymorësh,

Pret dritën e diellit, që ta zbardhë me vlim,

Ç’ka shkruan në terr , e vulos në zgjim.

Mëngjesit të fundit , gushtit të tridhjetës,

Vjen, Pari e Zgjedhur, në hipodrom të festës,

Karrocë e ngrirë, fshan , rënkon,prej gurësh,

Si kuaj të mbledhur, në besëprerje cubësh.

Në tavolinë të pokerit, luhen koka-krerësh ,

E pabesë gërshëra, pret ftesa mirësjelljejesh

Këlthet thikëmprehura ,në gjuhë-princërish.

Në passhpina kurthesh, me vrasës fiksimesh

Në këtë gdhirje t’ vonë, me orë përgjumjeje,

Me helm-shigjetash,lyerë , mesazhe tinzare

Me dredhi hafijesh , biseda passhpinësh .

Sajuar protokolle , në duar terxhymenësh.

Të mprehtat kama, mëngjesi fsheh nën dorë,

Kurth’ viktimash thur, nëpër rrjeta leqesh:

Krerë , antikrerë , fatmjerësh , të gjorë :

“Fundi vjen me thika, a n’plumba dyfeqesh”

Pesëqind kryezotë , me grada lartësie,

Pesëqind vezirë, në sërë – otomanie,

Vijnë, pas njeri-tjetrit, në karroca princash,

-kuaj pa kokë- shtrirë, hipodrome pritash.

Të ftuar për ofiqe , shpërblesa t’nishanës,

Pabesia hedh lakun , si grackën e radhës:

Nën pritë përgjaken : Libohovë- Vrionët,

Besëprerja, nderimin,ua shënon te ball-ët ,

Klthmë skifterësh therin, qiell të Manastirit,

Mes-pikut, kur luhen akt- vrasjesh, finale,

Mëngjesi, n’ardhtë, mes news-ve të zgjimit ,

Gjurmëfshirë le të vijë, si gdhirje normale :

“Sergjenëve të nxirë, kripuani kokat !

Të damllosurat t’ nisen drejt Padishahut !

Pashallëqet, çifligjet, luginat dhe tokat,

-Sulltanit – teslim , me bekim të Allahut “

Ç’sheh ashtu e errur , vetmitare hëna,

Qosheve të nxira, fshehur resh, të ngrëna..?!

Mërguar në këtë natë,me duhmë gjakrash,

Besëprerje ndien , prerje thike , qafash…

*****

* Një masakër çnjerëzore më 9 gusht 1830. Në Mansstir u thirrën kinse për festë ,krerët e Toskërisë dhe u vranë pabesisht,në kurth,me batare pushkësh, mbi 500 krerë.

* Terxhymen- (trq) përkthyes, shoqërues

* Teslim- ( trq.) dorëzim

******