Amarildos

Buzëqeshja jote,
Të linte pafjalë,
Tashmë je bërë engjëll,
Shko pranë Ardenisit,
Flini bashkë të dy,
Tashmë jeta jonë,
Ka mbetur pa sy.
Tashmë dielli lind,
dhe perëndon pa rreze,
Tashmë nuk ka mbrëmje,
Nuk ka as mëngjese.
Tashmë jeni ju,
Mëngjesi i çdo dite,
Si dy zogj të vegjël,
Pas një cicërime.
Do të ju presim gjatë,
Aty në oborr,
Ku koloviten ëndrrat,
Ku jeta shkon me zor.
Do të vini si ëngjëj,
Do të trokisni në derë,
Me vete do të sillni,
Baltë dhe mermer.
Do të ju presë Goni,
Tek dredh një duhan,
Majlinda si nënë,
Vendi nuk e mban.
Eja Amarildo,
Eja Ardenis,
Erdhët porsi gjethe
Ikët si një lis.
Sapo hodhët shtat,
I ikët kësaj jete,
Zoti që ju deshi
Ju mori me vete
Eshtë vendimi I tij,
Askush e kthen dot,
Mbaji në prehërin tënd,
Të lutemi o Zot.
Mbaj në prehërin tënd,
Ishin kaq të vegjël,
Kanë nevojë për prindër,
Për t’u përkëdhelur.
Kanë nevojë për ujë,
Për ajër, për dritën,
Kanë nevojë për Gonin,
Për mami Majlindën.
O Zot si durojnë,
Edhe nuk pëlcasin
O Zot lëru mendjen
O Zot shtoju sabrin.
Tashmë jeta e tyre,
Nuk është si më parë,
Nuk ka diell në bahçe,
Nuk ka prush në zjarr.
Nuk ka buzëqeshje,
S’ka gëzim në jetë
Ikën si dy ëngjëj,
Ikën si dy bletë.