Punë dhe përkushtim për figurën e Dëshmorëve të Atdheut-Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Punë dhe përkushtim për figurën e Dëshmorëve të Atdheut

Për librin e Mjeshtrit të Madh Xhemal Meçi

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Qytetërimi i një kombi matet edhe me mënyrën se si ai nderon historinë e tij dhe ata që u flijuan për të. Në këtë kontekst, studimi i historisë së dëshmorëve nuk është thjesht akt përkujtimor, por një detyrë e ndërgjegjshme kombëtare. Historia e një kombi nuk shkruhet vetëm në akademitë shkencore, në katedrat universitare apo në zyrat e institucioneve shtetërore. Historia e një kombi shpesh vijon të ruhet me besnikëri në shpirtin e njerëzve të thjeshtë, në kujtesën e familjeve dhe në përkushtimin e atyre që e ndjejnë si detyrim moral ta ruajnë të shenjtë emrin e atyre që ranë për Atdheun. Këta janë njerëz që nuk e lejojnë harresën të ngrejë mur mes brezave dhe sakrificës. Një ndër ta është Mjeshtri i Madh Xhemal Meçi.

Kur miku im nga Puka, Zef Cara, më dhuroi librin “Dëshmorët e Atdheut të Pukës” – vëllimi i parë – të autorit Xhemal Meçi, emocionet e para nuk lidhen vetëm me përmbajtjen. Ato nisin me simbolikën e këtij gjesti: një libër që vjen si kujtim, si respekt, si amanet historik. Në faqen e parë të librit, autori kishte lënë shënimin: “Kujtim nga Puka, me respekt për këtë botim të shkruar me shumë përkushtim për Dëshmorët e Atdheut”. Përmes këtij libri, më dukej sikur dëgjohej një zë i brendshëm i kësaj treve krenare: Mos i lini dëshmorët të harrohen!

Vepër që buron nga ndërgjegjja kombëtare

Xhemal Meçi është sot 88 vjeç. Në këtë moshë të nderuar, shumica zgjedhin qetësinë e vitetëve të fundit të jetës, por jo ai. Ai mori penën në dorë, duke dëshmuar se atdhedashuria nuk ka moshë, ashtu siç nuk ka kufij puna për idealin dhe identitetin kombëtar. Libri i tij nuk është një botim thjesht informativ. Ai është përkushtim, besë, mision.

Punën e tij e pata ndjerë edhe më herët, kur mora pjesë në një simpozium të Organizatës së Dëshmorëve në Pukë, së bashku me dr. Gjergji Velon. Aty vura re diçka shumë të veçantë: në Pukë, dëshmorët nuk kujtohen vetëm në përvjetorë. Ata jetojnë në historinë e çdo familjeje, në këngë, në toponime, në kujtime. Diskutimet në atë simpozium treguan nivel kulturor, argument historik dhe ndjenjë të rrallë për lartësimin e figurës së dëshmorëve.

Një libër-dokument, një libër-amanet

Libri i Xhemal Meçit është një strukturë e mirëorganizuar kujtese. Ai përmban: Lista të dokumentuara dëshmorësh të Pukës; Kumtesa shkencore të mbajtura në simpoziume të viteve të fundit; Dëshmi historike dhe jetëshkrime; Portrete të heronjve të pavlerësuar ende; Poezi, fotografi dokumentare dhe shkrime pasqyruese.

Në libër evidentohen edhe emrat e burrave të pushkës dhe të nderit të cilët ende nuk e kanë marrë statusin e “Dëshmorit të Atdheut”, pavarësisht kontributit të tyre evident. Pikërisht këtu autori prek një çështje shumë serioze: detyrimin institucional dhe moral për të rivlerësuar figurat historike.

Ai bazohet në ligjin nr. 109/2018 “Për Statusin e Dëshmorit të Atdheut” dhe hap një dritë drejt procedurave për dokumentimin e atyre që kanë rënë në mbrojtje të Atdheut, por ende nuk janë përfshirë zyrtarisht në nderimin kombëtar. Ky është një apel i fortë për të mos lënë askënd në harresë.

Figura të pavdekshme që ngre ky libër

Ky vëllim sjell figura të shquara si: At Shtjefën Gjeçovi – kolosi i kulturës shqiptare, martiri i kombit, mbrojtësi i Kanunit dhe i gjuhës shqipe; Mic Sokoli, Hero i Popullit, simbol i trimërisë shqiptare; Rustem Kabashi, patrioti shqiptar, simbol i qëndresës së Kosovës;

Dhjetëra dëshmorë të tjerë të njohur e të panjohur që shkrinë jetën për Shqipërinë. Në çdo faqe ndjen praninë e një thesari moral: nderimin për sakrificën.

Përmes dokumenteve arkivore dhe dëshmive gojore, autori sjell në vëmendje emra të pashpallur ende si Dëshmorë të Atdheut, si Zeqir Agë Puka, Ibrahim Kurti, Derman Agë Llakaj, Isuf Agë Malziu e të tjerë, që presin të marrin statusin e merituar sipas Ligjit Nr. 109/2018 “Për statusin e dëshmorit të atdheut”. Me përgjegjësi, autori pasqyron dhe procesin ligjor për përgatitjen e dokumentacionit të tyre, duke bërë apel për bashkëpunimin e familjeve, shoqatave dhe institucioneve shtetërore.

Vepër me mision kombëtar

Libri nuk është vetëm histori. Ai është thirrje veprimi. Autori kërkon që: të ruhen dokumentet familjare historike, të përgatiten dosje për dëshmorët e pashpallur, të angazhohen shoqatat e veteranëve dhe të dëshmorëve, të ndërgjegjësohen institucionet shtetërore për rishikim e verifikim të figurave historike, brezat e rinj të edukohen në dashuri për Atdheun

Ky libër nuk është vetëm histori. Ai ka funksion: Edukativ – për brezat e rinj që duhet të njohin rrënjët e kombit të tyre; Kombëtar – si shembull i ndërgjegjes patriotike; Moral – si thirrje për nderimin e sakrificës; Kulturor – si testament historik që ruan identitetin dhe traditën shqiptare të nderit.

Përfundim: Një vepër që krijon urë midis brezave

Në kohët moderne, kur retorika e vlerave shpesh zbrazet nga përmbajtja, vepra të tilla si kjo e Xhemal Meçit janë dritë rrëfimi e identitetit tonë. Ky libër është zë i ndërgjegjes kombëtare, i cili thotë qartë: “Kush i harron dëshmorët, humbet të ardhmen”.

Vepra “Dëshmorët e Atdheut të Pukës” e Xhemal Meçit është shumë më tepër se një libër. Ajo është një monument i kujtesës kombëtare. Përmes saj, autori ngre një urë midis brezave, ruan amanetin e historisë dhe përforcon bindjen se dëshmorët nuk vdesin kurrë-ata jetojnë në ndërgjegjen e një kombi që nuk harron rrënjët e veta.

Për kontributin e tij, Mjeshtri i Madh Xhemal Meçi meriton mirënjohjen dhe respektin e çdo shqiptari. Ai nuk ka shkruar thjesht një libër-ai ka ngritur një monument të kujtesës historike.

Kontributi i Xhemal Meçit duhet vlerësuar si model për të gjithë ata që punojnë me përkushtim për historinë dhe figurën e dëshmorëve. Kjo vepër është një thirrje për bashkëpunim kombëtar, që asnjë dëshmor i Shqipërisë të mos mbetet i paemër, i panjohur apo i pashpallur.