Shën Nilo.Nga koha drejt Përjetësisë- Përgatiti dhe shqipëroj Anila Dahriu

Shën Nilo. Nga koha drejt Përjetësisë-

 Libri i ri i Gennaro Mercogliano-s

San Nilo. All’Eterno dal tempo

Il nuovo libro di Gennaro Mercogliano

Vepra më e fundit e Gennaro Mercogliano-s, me titull Shën Nilo. Nga koha drejt Përjetësisë, hyn në atë rrymë studimore që kërkon t’i japë kohës sonë madhështinë dhe aktualitetin e figurës së Shën Nilos nga Rossano. Libri, botuar nga ConSenso Publishing, nuk është një biografi e thjeshtë e shenjtorit, por një tekst që bashkon kërkimin historik, reflektimin shpirtëror dhe ndjeshmërinë letrare.

Mercogliano mbledh materiale të ardhura nga dy Kongrese Ndërkombëtare kushtuar Shën Nilos, të mbajtura në Rossano mes viteve tetëdhjetë dhe fillimit të dy mijëshit, duke i pasuruar ato me interpretimet e tij personale dhe me një vizion modern të shpirtërisë niliane. Kjo i jep librit një dyfishtësi vlerash: nga njëra anë rigorozitetin dokumentar, nga ana tjetër fuqinë e një rrëfimi që di të flasë me njeriun bashkëkohor.

Vetë titulli – Nga koha drejt Përjetësisë – nënvizon udhëtimin shpirtëror të Shën Nilos: një rrugë që nis nga atdheu i tij, Kalabria bizantine, për të mbërritur në themelimin e Manastirit të Grottaferrata-s në vitin 1004, vend që edhe sot ruan trashëgiminë kulturore dhe fetare të Lindjes së krishterë në Itali. Mercogliano e paraqet shenjtorin si një figurë të kufirit dhe të sintezës: një njeri i rrënjosur thellë në histori, por që hap horizonte drejt përjetësisë.

Sipas autorit, Shën Nilo nuk është vetëm një eremit apo themelues manastiresh, por një njeri “plotësisht njerëzor dhe qytetar i qiellit”, mjeshtër i shkrimit dhe kulturës, mbrojtës i së vërtetës dhe i drejtësisë. Përmes jetës së tij dalin në pah pyetjet e mëdha që i përkasin edhe kohës sonë: kërkimi për autenticitet, nevoja për jetën e brendshme, etja për një kuptim që shkon përtej të përditshmes.

Një aspekt interesant i librit është kujdesi ndaj gjuhës: Mercogliano propozon dhe përkthen vargje të lashta lutjeje dhe thirrjeje, duke vënë në pah forcën poetike që shpirtëria niliane ruan ende. Në këtë mënyrë, zëri i Shën Nilos bëhet jo vetëm kujtesë historike, por edhe prani e gjallë që flet për sot.

Libri hyn gjithashtu në rrugëtimin kulturor më të gjerë që kremton “kujtesën niliane” në Rossano dhe në Grottaferrata. Nuk është rastësi që vepra u prezantua në kuadër të Ditës Niliane 2025, një ngjarje që çdo vit mbledh studiues, klerikë dhe intelektualë. Botimi synon të japë një kontribut për njohjen më të mirë të trashëgimisë së madhe që Shën Nilo i la Mesdheut dhe Europës.

Në përfundim, Shën Nilo. Nga koha drejt Përjetësisë nuk është vetëm një studim i historisë fetare: është një libër që fton të reflektohet mbi kuptimin e kohës dhe të përjetësisë, mbi marrëdhënien mes kulturës dhe shpirtërisë, mes identitetit lokal dhe hapjes universale. Me prozën e tij të kthjellët dhe të medituar, Gennaro Mercogliano u jep lexuesve një vepër që bashkon rrënjët dhe të ardhmen, fenë dhe njerëzoren, duke e bërë Shën Nilon jo një figurë të largët, por një shoqërues udhëtimi për njeriun e sotëm.

Shën Nilo, urë mes kohës dhe përjetësisë

Libri i Gennaro Mercogliano-s, Shën Nilo. Nga koha drejt Përjetësisë, më bëri të reflektoj mbi një aspekt që i përket thellësisht edhe poezisë: kalimi nga koha drejt përjetësisë.
Shën Nilo shfaqet si një figurë e pragut: i rrënjosur në tokën dhe në shekullin e tij, por i aftë të kapërcejë kufijtë e kohës për t’u hapur drejt pafundësisë. Tek ai, jeta e përditshme shndërrohet në një udhëtim drejt dritës dhe kujtesa kthehet në premtim përjetësie.

Poezia, ashtu si shpirtëria niliane, lind pikërisht në këtë hapësirë: ndalon çastin dhe e bën të tejdukshëm, të aftë të ruajë një jehonë të përjetësisë. Është një urë e brishtë, e bërë prej fjalësh dhe heshtjeje, por e fortë si dëshira që e shtyn shpirtin përtej kufijve të së dukshmes.

Kështu, duke lexuar këto faqe, ndiej se Shën Nilo nuk është vetëm një shenjtor i historisë, por një shoqërues udhëtimi për këdo që kërkon t’i japë kuptim kohës së vet. Ai është dëshmi se njeriu, edhe pse i zhytur në fundësinë e tij, mban brenda nostalgjinë e përjetësisë.

Biografi

Gennaro Mercogliano, zëri i kritikës midis historisë dhe letërsisë

Gennaro Mercogliano, i lindur në Rossano (Cosenza), është një nga kritikët dhe eseistët më të njohur bashkëkohorë kalabrezë. Drejtues shkollash në pension dhe drejtor i Universitetit Popullor të Rossanos, ai i ka kushtuar jetën studimit të letërsisë italiane dhe historisë bizantine, me një vëmendje të veçantë ndaj trashëgimisë kulturore të Kalabrisë greko-bizantine.

Studiues i hollë, Mercogliano ka nënshkruar një numër të madh studimesh dhe monografish që shtrihen nga letërsia e shekullit XIX deri te poezia e shekullit XX, duke trajtuar figura si Giacomo Leopardi, Guido Gozzano, Corrado Alvaro, Mario Luzi dhe Dante Maffìa. Paralelisht, ai ka zhvilluar kërkime me vlerë të madhe historike mbi personalitete dhe tema që lidhen me shpirtërinë dhe kulturën mesjetare, ndër të cilat shquhen Shën Nilo i Rossanos, Giovanni Filagato (papa Gjon XVI) dhe perandoresha Theofano.

Ndër veprat e tij më të rëndësishme përmenden Rruga asketike e Nilos së RossanosKoha e Nilos dhe Perandoresha Theofano dhe Kodi, botuar nga Ferrari Editore, si dhe studimi Corrado Alvaro, që ofron një lexim të thellë të autorit kalabrez në kontekstin e realizmit jugor.

Shkrimi i tij dallohet për aftësinë për të bashkuar rreptësinë filologjike me pasionin humanist, duke krijuar një urë ideale midis kujtesës historike dhe reflektimit mbi të tashmen. Me veprimtarinë e tij kritike dhe kulturore, Gennaro Mercogliano vazhdon të përfaqësojë një zë të rëndësishëm në panoramën letrare italiane, i angazhuar në vlerësimin e rrënjëve identitare të Kalabrisë dhe në dialogun midis Lindjes dhe Perëndimit që përshkon historinë e saj.

 Përgatiti dhe shqipëroj Anila Dahriu