
Zemra e Fitores!
Fitoren e ndjeva thellë, në shpirt më buçiti,
si këngë e dritës mbi plagët e mia.
S’vesha flamur për sy e për faqe,
po për shpirtin që di të ngjitet në qiell,
kur trupi rrëzohet prej lodhjes e dhimbjes.
Në çdo rruazë gjaku, luftë e heshtur frymon,
me zemrën që s’di të dorëzohet kurrë.
Krenaria s’ka shkëlqim metalesh e steme,
por ndriçon në buzëqeshjen që lind pas stuhisë.
E di-fitorja s’është vetëm podium e duartrokitje,
është frymë që ringjallet në çdo humbje të vogël,
është forcë që zgjon shpirtin në mëngjes të vështirë,
kur shpresa të thotë: “Provoje edhe sot!”
Laura, o zemra e fitores!
Ti s’e njeh dorëzimin, as frikën që mpin.
Në çdo hap mbart dritën e jetës,
dhe fiton me dashuri, jo me zhurmë.