Teuta Shaqiraj

Kur shkruaj për ty
Kur e mendoj vetëm një çast
ah një rrahje, një sekondë,
një pulitje e ëmbël sysh,
dashurinë, poezinë,
zemra rreh si e marrosur
retë përhumben në ekstazë,
e vetja me duket më e bukur,
e tjetërsuar,
edhe pse bota është e mbrapshtë.
Kur muza flirton natës vonë,
gjumi xhelozon,
e rëndon peshën e tij të ëmbël mbi qepalla,
e tretem e vrapoj me të nëpër kohëra.
Kur fjalës i vesh emocionin,
në zgjim
në shpërthim,
ndjesitë e virgjëra,
në përjetime ngjyrash prekin,
atë botën time të fshehur,
si zbulesë parakohe për ditët që ikin.
Copëza vjeshte
Erdhi dhe iku vjeshta, si grua e pjekur,
me fjolla trishtimi veshur syve tretur.
Herë, si ftua me krimbin fshehur brenda
duke qarë pa fjalë, dashuritë e humbura.
E nxehtë iku vjeshta, si grua epshndjellëse
shkund e tund dy shegë me vështrimin ndezur.
Pikon lëng i shegës buzëve hoje mjaltë,
verdhuar bie ftoi, durimi iu sos, vallë?
Gjysmë zhveshur udhëve, iku me nxitim,
thërrime dashurie shkundi me trishtim.
E la dhe filxhanin me fatin e zbrazët
dimrit t’i afrohet me afshin e vakët…
Prekje shpirti
( e risjelle)
Ti je aq larg e afër, sa të shoh, të ndjej.
Prekja jote kushedi ç’formë ka marrë.
Një prekje malli më vjen nga larg
se malli lind nga mosprekja e gjatë.
Prekja jote..
Një prekje e hyjit zbritur në tokë,
nje prekje e tultë,
e butë,
një mornice derdhur me drithërimë
fshehur diku, nën lëkurë.
valë valë bredh shtigjeve të kujtesës
shpluhuros e ndez vatrën e harresës.
Është ngërçi yt që ngjitet
e ndalet në grykë.
Të prekësh shpirtin tënd,
jo s’qenka e lehtë.
Sikur ke prekur universin,
e universi pranveron aty brenda,
është erë e lehtë
është aroma jote,
që ikën e vjen pa adresë,
pa kuptuar.
Është shpresë e agut që nxiton,
një batice dashurie në pritje,
një melankoni në ikje,
që lë mallin në buzët e mia, të fajshme.
Mbetem një liman ku pres të zgjohem nga ëndërra e tejshpuar.
Mos më prek pra i dashur, po vuaj
nga malli i viseve të largëta, mbuluar
Vallëzim bluz
( e përpunuar)
Ishin dashur shumë ata të dy,
atë verë të nxehtë zagushi.
Në pistën e rralluar disi, tani
hapat rrokullisen ngrohtë
nën tinguj bluz,
pa zhurmë ,
nëpër gjurmë të së shkuarës trokasin,
e nisin rrëfenjat e dashurise pa fund.
Strukur te njeri tjetri, si dy pëllumba,
gushë më gushë
e sytë prush.
Perëndimi bie ngadalë,
dhe ai me diskun rrudhur,
pa fjalë,
portreti i tyre një imazh i rrallë.
Ai ,si nje lis i rrahur nga era,
rrathë rrathë lexohej vetë jeta.
Ajo kruspull përqafur pas tij ,
dallëndyshe krahëkëputur
që e ndjell vetë foleja.
Mbi gjoksin e rreshkur harrohet një
çast,
aroma e njohur e përmend e përmall.
Regëtin ai zjarr i vogël,
si atëhere,
fiket e ndizet,
si semafor vjeshte.
Hutimi i mbërthen në heshtje të lumtur,
rizgjohen sërish nga një dehje e harruar,
që vjen kaq afër e ikën larg
si një gënjeshtër e bardhë ,
pa i rrëmbyer, pa i marrë ….
Në kujtesën time ka zënë rrënjë,
ky imazh që ëndërroj çdo natë me ty.
Një mbrëmje vere zagushi dhe unë
dallëndyshe krahëkëputur të jem aty.
(Duke parë dy të moshuar ,ajo e semure përqafur pas tij duke vallzuar muzikë blues..)
Fustani da stilistja Elida, mbesa ime