Hasan Kurti – Normalitet i shtirur. Përgatiti: Irma Kurti

Hasan Kurti – Normalitet i shtirur. Përgatiti: Irma Kurti

Ime shoqe është bërë e heshtur, e menduar, më e ndjeshme. E ka humbur interesin për lajmet, për çfarë ndodh në botë. Ato kanë vlerë vetëm kur je mirë me shëndet.

*****

I anashkalojmë disa tema në bisedat tona sepse nuk dimë ç’të themi, nuk duam ta lëndojmë, ta mërzisim. Apo sepse duam të ruajmë veten, për të mos u zhytur më tepër në dëshpërim.

Por ndoshta ajo pikërisht për këtë ka nevojë, të ndajë me ne dhembjen, frikërat, pasiguritë për atë që e pret dhe jo për këtë normalitet të shtirur, këtë qetësi që vetëm në pamje është e tillë, sepse gjithsecili nga ne vuan dhe po humbet një pjesë të rëndësishme nga vetja.

*****

Ka gjëra që s’mund t’i pohojmë me zë të lartë, është e vështirë, e dhimbshme. Kjo vlen edhe për mua që, në karrierën time të gjatë si mjek, u kam pohuar diagnozat mijëra pacientëve, edhe më të rëndat, duke u munduar, sidoqoftë, t’u përcjell një fije shprese. Por këtë radhë është ndryshe… ajo fije po këputet.

*****

Kisha menduar se do të jetonim plot vite të tjera së bashku, se do të ndanim gëzimet dhe shqetësimet e vajzave tona, por fati i mbrapshtë është i pandjeshëm ndaj ndjenjave dhe ëndrrave njerëzore.

HASAN KURTI

Marrë nga libri “Prozë poetike dhe Aforizma”, Lena         Grafik, 2022, Prishtinë

                     Përgatiti për botim: IRMA KURTI