Përse të dua ty?…Vullnet Mato

Vullnet Mato

PËRSE TË DUA TY?…

Unë të dua, moj e shtrenjta grua,

për ndjesitë e ëmbla, që më fal mua,

për atë zemër, me gjerësi të madhe,

për shpirtin engjëllor, si zonjë bujare,

Për duart, ku ti ruan përherë rininë,

për shijet e gatimeve në kuzhinë,

për merakun, të ndrisë kudo shtëpia.

Për vetëdijen, të rritet sa më mirë fëmija,

Për sakrificat shëruese me pagjumësinë,

Për amësinë, ku ke fituar shenjtërinë,

Për mendjen e hollë, që ke si femër,

për dinjitetin, që të lartëson si emër.

Për gabimet, që shpesh më fal mua,

Për durim tënd, të pambaruar.

Për gazin, para zërit tim të fortë,

për qetësinë, kur marr zjarr kot,

Për shembullin, të duroj dhe unë,

Kur ty zemërimi, të bën furtunë.

Për harresë e grindjeve, në mëngjes,

sikur s’ka ndodhur asgjë mes nesh.

Për fjalët, me të cilat zbut dhe gurin,

Për ndarjen e punës shtëpiake me burrin.

Për drejtësinë mes njerëzve të shtëpisë,

si nismëtare e pajtimit dhe harmonisë.

Për të gjithë trupin, ku më fal dashurinë,

Për heshtjen, kur bisedon me perëndinë,

Për ndriçimin familjar, me rreze qiellore,

Për lukun zbukurues, si krijesë parajsore.

Për lule shpirti, të kam zgjedhur ty,

lule të tjera s’dua të shoh me sy,

sepse ty sa globi, të bën njëri sy,

pasi bota, s’ka shenja jete pa ty.

Unë të dua ty, moj e dashur grua,

sepse ti më bën vet, të të dua,

i ruan nderin e vetes, mua besën,

të gëzojmë deri në fund martesën…