Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Në fshatrat e Qarkut të Vlorës, që gjatë vitit 1942, nisi një punë e gjerë e shumëformëshe me gruan. U ngritën grupe kundër analfabetizmit, kurse për infermiere, për rrobaqepëse e veprimtari të tjera, të cilat jo vetëm përgatisnin gra e vajza për jetën e përditshme, por edhe shërbenin si vatër e përhapjes së ideve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare.
Në këto mbledhje e kurse, luftëtaret e terrenit flisnin për rolin që duhej të kishte gruaja shqiptare në luftë e në shoqëri, duke zgjuar ndër to ndjenjën e përgjegjësisë për lirinë e Atdheut. Kontribut të shquar dhanë Afërdita Thanasi, Qeriba Derri, Jeta Abazi, Zyhra Radhima, Liri Arapi, Jeta Veshi, Fato Zotaj e shumë të tjera. Puna e tyre shtrihej në një kuadër gjithnjë e më të gjerë, duke forcuar organizimin e gruas për qëllime të luftës dhe të lirisë.
Në zonën e Mesaplikut, Qeriba Derri dhe Fato Zotaj punuan me përkushtim të veçantë. Në gusht të vitit 1943, ato formuan për herë të parë organizatat e gruas në Ramicë, Brataj, Tërbaç, Vranisht e në disa fshatra të tjera, dhe u caktuan si përgjegjëse të gruas në zonën e çliruar të Mesaplikut.
Gjatë qëndrimit të Besnikut (Hysni Kapo) në shtëpinë e Zotajve në Ramicë, nënë Safieja dhe xha Zotua u kujdesën me përkushtim të rrallë për të. Në ato ditë, u ndal edhe zëri i vajit për të birin e rënë të Safies, Sadikun, që të mos trazohej plagët e Besnikut. Kur erdhi nëna e Besnikut dhe shpërtheu në lot, Safieja e ndaloi me fjalët: “Mos qaj, se ai ka nevojë për qetësi. Ne të dyja kemi dhimbje, por Atdheu na kërkon forcë”.
Pas dy javësh, Besniku u përmirësua dhe bashkë me 15 partizanë u nis sërish në rrugën e luftës. Fatua ishte në krye të çdo pune, duke kujdesur e shërbyer me dashuri e devotshmëri.
Pas rënies heroike të Qeriba Derrit, nga pranvera e vitit 1944 deri në çlirim, Fato Zotaj vazhdoi me energji të pashtershme punën e saj në organizatën e gruas në krahinën e Mesaplikut.
Kongresi i Parë i Bashkimit të Grave Antifashiste Shqiptare
Kongresi i Parë i Bashkimit të Grave Antifashiste Shqiptare (BGASH) u zhvillua në një periudhë vendimtare të Luftës Nacionalçlirimtare, kur Ushtria e popullit po çlironte një nga një qytetet dhe krahinat e vendit. Nazistët po pësonin disfatë pas disfate dhe fitorja e popullit shqiptar ishte tashmë e afërt.
Ky Kongres hyri në histori si një ngjarje e madhe politike dhe shoqërore, jo vetëm për gruan, por për gjithë kombin. Ai u mbajt në vjeshtën e vitit 1944, në një kohë kur më shumë se tri të katërtat e Shqipërisë ishin çliruar dhe ishin hedhur themelet e shtetit të ri demokratik pas Kongresit të Përmetit.
Berati, kryeqyteti i përkohshëm i shtetit të ri, ishte kthyer në qendër vendimmarrjeje për të ardhmen e vendit. Aty u shpall Deklarata mbi të Drejtat e Qytetarëve, ku u përcaktuan për herë të parë të drejtat e barabarta të gruas me burrin në jetën politike e shoqërore. Në këtë frymë, BGASH vendosi të thërriste Kongresin e Parë, për të përcaktuar detyrat e reja që e prisnin gruan shqiptare në ndërtimin e vendit pas çlirimit.
Në Këshillin Krahinor të Mesaplikut, me qendër në Brataj, u mbajtën mbledhje të gjera dhe u organizuan mitingje në çdo fshat, ku agjitohej për çlirimin e shpejtë të vendit dhe për ndërtimin e jetës së re. Kudo ishte Fato Zotaj, në krah të grave dhe vajzave, duke folur me zjarr për rolin e tyre në luftë dhe në liri.
Mbledhja krahinore zgjodhi delegate Fato Zotajn dhe nënën Duze Bajrami, nënë dëshmorësh, që i kishte dhënë luftës dy bijtë e saj.
Nga fundi i tetorit 1944, delegatet e Qarkut të Vlorës, Duze Bajrami, Lejla Myftiu, Fato Zotaj, Jeta Abazaj e të tjera, u mblodhën në qytetin e çliruar të Vlorës për përgatitjet e fundit. Populli i Vlorës i përcolli me duartrokitje e brohoritje të pandërprera drejt Beratit.
Udhëtimi nuk ishte i lehtë: duhej kaluar lumi Osum, përrenj e male, por gëzimi për pjesëmarrjen në këtë ngjarje të madhe ua lehtësonte çdo hap. Kur mbërritën në qytetin e lashtë të Beratit, i gjetën rrugët të stolisura si për festë. Populli i priti me këngë partizane e brohoritje.
Më 4 nëntor 1944, u hap solemnisht Kongresi i Parë i Bashkimit të Grave Antifashiste Shqiptare, me pjesëmarrjen e 311 delegateve nga e gjithë Shqipëria: partizane, gra nga fshati e qyteti, nëna dëshmorësh dhe aktiviste të lëvizjes.
Kongresi analizoi punën e deriatëhershme në kuadër të LANÇ, evidentoi rolin e gruas si forcë e madhe aktive dhe përcaktoi detyrat e reja për rindërtimin e Atdheut të shkatërruar, për luftën kundër analfabetizmit dhe për rritjen e mëtejshme të rolit të gruas në të gjitha fushat e jetës.
Gjatë ditëve të Kongresit, delegatet vizituan familjet e dëshmorëve Margarita Tutulani e Kristaq Cepo, si dhe kalanë muzeale të qytetit. Pritja e popullit të Beratit ishte bujare dhe e paharrueshme.
Kongresi përfundoi me sukses të plotë. Ai u dha delegateve forcë e frymëzim të ri, për t’u kthyer në krahinat e tyre me vendosmërinë për të vazhduar punën e filluar. Në ndarje, tingëllonte urimi i përbashkët: “Mirupafshim në Shqipërinë e lirë!”
Pas Kongresit
Kthimi nga Berati në Vlorë ishte i gëzueshëm. Kongresi i kishte bërë me krahë, u kishte dhënë energji të reja. Pas kalimit të Vjosës dhe kthimit në Mesaplik, Fato Zotaj filloi menjëherë organizimin e mitingjeve e mbledhjeve me banorët e krahinës. Vendimet e Kongresit u përhapën në çdo fshat dhe u bënë frymë udhëheqëse për ditët e fundit të luftës dhe për përgatitjen e jetës në liri.
Më 29 nëntor 1944, Shqipëria u çlirua plotësisht. Dhe bashkë me fitoren, gruaja shqiptare doli më e vetëdijshme, më e fortë dhe më e respektuar se kurrë.
Fato Zotaj – Shembull i Gruas Shqiptare
Për qëndrimin e familjes Zotaj në Luftën Nacionalçlirimtare ekzistojnë shumë dokumente. Fato Zotaj dallohej për aktivitet të dendur e të gjithanshëm: si agjitatore, si organizatore e shkëlqyer, si anëtare e organizatës bazë të Partisë dhe e Frontit, si përgjegjëse e organizatës së gruas në fshat dhe si anëtare e këshillit krahinor të gruas.
Ajo mori pjesë si delegate në Kongresin e Parë të Grave Antifashiste në Berat (4 nëntor 1944) dhe më pas në Kongresin e FDSH. Për veprimtarinë e saj, është dekoruar me medaljet “Kujtimi” dhe “Çlirimi”.
Kongresi i Parë i Bashkimit të Grave Antifashiste shënoi një faqe të ndritur të historisë sonë kombëtare. Ai dëshmoi se pjesëmarrja e grave shqiptare në luftë ishte një akt heroik e emancipues, që i dha fund paragjykimeve të vjetra dhe e vendosi gruan përkrah burrit në çdo fushë të jetës.
Përmes asaj lufte, gruaja shqiptare jo vetëm kontribuoi në çlirimin e Atdheut, por hodhi themelet e emancipimit të vet shoqëror e shpirtëror. Sot, pas më shumë se tetë dekadash, shembulli i Fato Zotajt dhe i grave të LANÇ mbetet frymëzim për brezat e rinj.
Gruaja shqiptare është sot pedagoge, deputete, ministre, diplomate, sipërmarrëse, oficere e police; pjesëmarrëse e barabartë në ndërtimin e Shqipërisë demokratike. Lufta, guximi dhe përkushtimi i saj e kanë renditur përgjithmonë përkrah burrave, me të drejta të plota dhe me dinjitet të lartë njerëzor e shoqëror.