Drita Rubjeka Zeneli

(T’i bëjmë ballë kohës ashtu si të na vijë. Shekspir)
Mëngjeset më duken përqafime,
Si një pamposhtje e ditëve, sido të jenë,
Shiu mban aromë kujtimesh që rikthehen,
Si dita e pritjes së parë, atëherë…
Larg, një pikë që mua më duket diell,
Në një re të madhe që fsheh horizontin,
Është durim drite fjetur në thellësi,
Në pezullin stinor të luhatjeve si varkë në dallgë.
E çmoj shtrenjtë këtë mëngjes të përqafimtë,
Si poezinë e përjetshme të dritës,
Shkruar butë në renë që mban mbuluar horizontin,
Për të lindur diellin tonë të ri….
Ah, mëngjes ndihmëtar që ngjyrat i fsheh si enigmë e ditës,
Me diellin fshehur në tëndin gji,
Sot do të shkruaj jetëshkrimin e qiellit,
Me bojë horizontesh, atje ku dielli fshehur rri….