Kujtim N. Mullai

CIKLI: ” MEDITIME “
( Nga gjashtë)
GJASHTËSHJA-I
* * *
Dashuria e ZOTIT
Krijoi gjithësinë,
Krijoi çdo gjallesë,
Më në fund njerinë.
I dha atij shpirt,
Mendje,të folur;
E urdhëroi:
“LEXO!
Mëso pa u lodhur!”
* * *
Del pa u lagur,
S’të djeg as zjarri,
Vesh,po i vure,
Ç’mëson i pari!
I mbylle veshët,
Ndryshe punon,
T’thon’:
“Koka bën,
Koka pëson!”
* * *
O ZOT!…
LAVDI!…
Me kaq kujdes,
Kaq mirësi,
Askush s’më bën,
Borxhli sa TI !!!
* * *
Në mbjell e mbron DASHURINË,
Ke në krah PERËNDINË!
Urrejtjes në i vë pritë,
DJALLIN ke mërzitë!
* * *
Në gjërat na i dashke barabar,
Në QIELL mund të shkosh të bësh pazar!
Kjo TOKË,siç e sheh,gjith’ gunga-gunga,
Pjellore mbetet veç për hileqar!
