Zogu Ag-Ruzhdi Gole

Përhera, ditënatë, një zog fluturon 

nga Kulla e Sahatit të Tiranës

për në bregdetin port 

me sirena në kokë

dhe me postë 

të kaltër.

Zogu i Agut më i ndjeri më i lumi fat

vëllai i vogël i të gjithë fluturakëve 

kraharon, atypari vrullshëm, 

sheh mëngjesin ciflosur

pas një kontrabande 

me tyta vula frak

sheh mëngjesin 

paqtë buzësh.

Zogu frymor lart pikas gjithçka, ulet

i bien pëndët e i drithërojnë sytë,

qielli me nishane mardhet

vojtja ngjethet ujeve

prej çdo drame

atdheu im 

fal çka s’falet

hajdutët – trima huq.

Për be, për be…asnjë re të kaltër 

Zogu në qiell më nuk e gjen

krahëlehtë, rëndë – rëndë,

re xhufkazeza therrmë

shpejt i afrohen 

ta përpijnë

përzënë.

Ku të fshihet Zogu i zogjve

zogu ynë i gjithë Lutjeve 

hiç eskortë hiç kobure 

hiç helmetë,

ata, që e duan kanë ikur 

tutje prej k’saj aorte

ata që janë afër 

i ledhin pulpat 

qytetthit tim 

tëndin tonin

çalë, atlet.

A e keni parë Zogun të fluturojë 

mbi Amfiteatrin dyrrahas

mbi Torrën veneciane 

këtë mëngjes glob,

ende s’e keni 

parë të vij 

prej asaj 

Tirane

s’ka shpresë… të shpresojmë ?

Sa e gjatë rruga nga Kulla e Sahatit 

të mbërri’ në portin Dyrrah-Durrës,

Oooooooo ….

Zogu ende nuk është ngritur

në ajër, sheshi “Skënderbe”

i dhimbsuri jetëpërflakuri

mban në duar zogun 

me postë të djegur 

(prej çdo gjaksi)

mbuluar 

me kurorë 

puplash ….shurdhët.

Përhera, ditënatë, fluturon Zogu Ag..