Roshi Ajdini

Në sistemin e kaluar komunist një nga kriteret për të shkuar në shkollë të lartë ishte biografia familjare, çfarë qëndrimi kishin mbajtur në kohën e luftës.
Personazhi i këtij shkrimi rridhte nga një familje me qëndrim politik të mirë për kohën por kishte një problem pasi ishte mjaft i dobët në mësime. Prindërit i kishte me detyrë drejtuese në fshat ndaj dhe mësuesit ishin të detyruar ti vinin nota të mira.
E njëjta gjë vijoi dhe në shkollë të mesme me notat e mira, pasi influenca e prindërve ishte e fortë.
Dhimbja e kokës për prindërit do fillonte, kur e çuan në shkollë të lartë, pasi aty do e kishin më të vështirë për të ndikuar për punën e notave.
Bëhet fjalë për vitet 80 – të, vite të krizës së madhe, pasi ishim shkëputur dhe nga kinezët.
Pavarësisht varfërisë, kooperativa ishte aq e pasur sa të kishte produkte për ti dhënë shkollën, djalit të pushtetarit.
Me mjaltin, gjalpin, vajin e ullirit e produkte të tjera që do niseshin me tepëri drejt Tiranës, do sigurohej mbarimi i fakultetit.
Mbarimi i shkollës se lartë do e gjente të emëruar në një kooperativë bujqësore në të cilën si specialist duhet të tregonte veten.
Prej faktit që gjithçka në formimin arsimor e kishte të dobët shumë shpejt i doli boja në punën e tij pasi ishte bylmez.
Është fenomen psikologjik që njeriu si krijesë ka aftësinë që të mbijetojë dhe në vështirësitë më të mëdha.
Në fshat vinte një operativ i degës se punëve të brendshme dhe ky u miqësua shpejt me të, pinin raki bashkë por si pa dashur, i jepte ndonjë informacion se si ecnin punët në atë kooperativë. Filloi ti lezetonte me operativin deri sa një ditë të bukur i erdhi propozimi që të bëhej bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit.
Në fillim nguroi përpara kësaj të panjuhure, që i afrohej si propozim.
Po ja i tha operativi i degës, si fillim do të heqim nga fshati dhe do të çojmë në qytet, do të marrësh shtëpi e shumë përfitime të tjera. E si të mos pranonte mediokri, që gjithçka deri tani e kishte siguruar pa meritë.
Kështu ndodhi dhe kështu u bë, kuadri spiun kapi qytetin, privilegjet, raportonte rregullisht dhe ishte i lumtur.
Koha e solli që në fillim të viteve 90 – të të fillonin lëvizjet demokratike. I erdhi sërish fati në derë pasi operativi i sigurimit që e kishte rekrutuar i jep një detyrë të re, ti bashkohej grupit që do themelonin partinë e parë opozitare.
Dëgjo këtu i tha, partia ka shumë besim tek ty, ti duhet të jesh më i flakti dhe më i evidentuari duke qënë sa më afër drejtimit të partisë opozitare.
Mos e merr me frikë pasi aty nuk do jesh vetëm pasi ne komunistët sërish të parët do jemi dhe me erën e re të ndryshimeve.
Kapi pozita të forta drejtuese, hapi biznese, më i flakti të shante komunizmin, bënte sikur i qante zemra për të përndjekurit politikë.
Gjithçka shkonte si në një ëndërr për të, por e vetmja gjë që e mundonte ishin gjurmët që kishte lënë në arkivat e sigurimit të shtetit si bashkëpunëtor.
Në fillim e bluante me veten e tij, si do ta zgjidhte këtë problem, kishte frikë ti besonte njeriu për hallin e madh që e kishte zënë pasi mund ti dilte e vërteta dhe i prishej fasada e madhe e reputacionit.
Gjithë ankth e panik ishte, se si do arrinte të pastronte figurën nga njolla.
Shpeshton rrugët për në Tiranë me shpresën që të gjente dikë ti zhdukte dokumentin kompromentues.
Thoshte shpesh me vete, jam gati ti jap të gjitha çfarë kam fituar në demokraci, vetëm e vetëm të mos më dal e vërteta e të qënit bashkëpunëtor.
E gjeti njerin që ju bë garant kundrejt një shume të majme, për të cilën nuk i erdhi keq fare pasi me punëra të pista i kishte fituar.
Ra në një qetësi të madhe kur mendoi se e kishte fshirë të shkuarën e errët me paratë e pista të korrupsionit, POR sërish bëhet keq herë pas here, pasi dëgjon nën zë lart e poshtë që shumë shpejt do i nxjerrin emrin si bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit.