
Vullnet Mato
DRITA QЁ NDRIT SHPIRTRAT
Grua, je më e liga, por më e mira nga të gjitha,
se kur gabimin kam pasur unë, e të drejtën ti,
fajin e kemi ndarë përgjysmë, nga dëshira,
të puthemi, sikur s’ka ndodhur gjë, me ne të dy.
Britmat kemi shuar, mes dhëmbëve të njëri-tjetrit,
të dukemi në lagje, sikur bëjmë pëshpëritje lutjesh.
Shtratin kemi pasur, varkën e vetme, në mes detit,
ku dallgët e jetës kemi përzier, me furtuna puthjesh.
Me ke vështruar shtrembër, pa folur një javë bashkë,
kur ke pikasur, ndonjë buzagaz bukuroshesh të ëmbla.
Të kam përgjuar dy javë, kur dikush të vinte përqark
dhe prapë, si gjethe vjeshte, i kemi fshirë nga mendja.
Kur s’ke dashur kurrsesi, të shtosh fëmijë të tjerë,
kam përdorur padrejtësisht, egërsi në dashuri.
Por ka ndodhur, pas lindjes, së ngjizur me sherr,
beben kemi rritur bashkë, me shumë përkëdheli.
Me ke mallkuar si burrë pa kujdes, në të shpenzuar
por më ke lavdëruar më shumë, nga sa vlej si njeri.
Të kam sharë farefisin, për huqet që ke trashëguar,
dhe të kam ngritur lart, për kujdesin tënd me fëmi.
Grua, je më e liga, por më e mira nga të gjitha,
pa ty jeta e kёsaj bote, sjell trishtim dhe vetmi.
Ti je çelësi qё hap dyert, nga i vjen familjes drita,
ti je dielli qё ndriçon shpirtrat dhe u sjell lumturi…