——————————-

Muzgu ngadalë kudo po struket
Dhe mbrëmjen peng sikur e mban,
Ndërsa mali i Dajtit më s’po duket
As nga kullat binjake në Tiranë.
Në sheshin ku dritat si yje bien,
Mendimet e mija arratisen pa kufi,
Por malli pa mëshirë më rrëmben
Bulevardit më çon drejt “Zogu të zi” .
Në çdo rrugë me kureshtje vështroj
Se ndoshta pak herë kam kaluar,
Dhe ” Njëzetë e një dhjetorin ” kujtoj,
Atë miken e dikurshme, sy shkruar.
Herë-herë zëri i mallit më thërret,
Pranë stadiumit Dinamo kur kaloj,
Një kafe kam pirë me një mike sivjet,
Dhe si një rast të veçantë atë e kujtoj.
Prandaj mendimet të qeta s’më rrinë,
Se më fluturojnë si erë në çdo skaj,
Por Tirana si grua e bukur me sqimë
Më magjeps tmerrësisht me hiret e saj.
Vjeshta si piktore këtë muaj ka pritur,
Duke ia dhënë ngjyrat muajit nëntor,
Me ditët festive, që sapo kanë trokitur,
Dhe me panair libri, si çdo përvjetor.
Kureshtar dhe krijues në çdo vitrinë,
Të parët të heshtur, titujt vështrojnë,
E të dytët krenar, pranë librave rrinë,
Si gjahtarët, që gjahun aty kërkojnë.
Si një udhëtar që rrugën dot se gjen,
Dhe një pikë orientimi kërkon diku,
Kulla e sahatit në ndihmë më vjen
Me heroit legjendar, kryelart gjithashtu.
Në bulevardet e saj këmbët më ranë,
Se një mikeshë desha të takoja sot,
Sa shumë ke ndryshuar, moj Tiranë
Sa” Rrugën e Dibrës ” s’po e gjeja dot.
Nuk e di pse poetët, të kanë harruar
Me bukurinë tënde, i mahnitur ngela,
Ndoshta që nga lart s’të kanë shikuar
Si shqiponjë, ti dukesh nga Petrela.
Këtë mbrëmje të pafund doja të rrija
Me zhurmën tënde, aty gjithashtu,
Por, larg fluturonin mendimet e mija
Ndërsa ashtu i vetëm shëtitja kuturu.
Por diçka tjetër, sonte po më mban,
Që s’po më le ta ndjej, këtu vetminë
Kur shoh vajzat dhe gratë në Tiranë
Merr frymëzim, muza ime për poezinë.
Dhe në vargjet e mija sonte i desha
Si ndriçim hënor përmbi shatrivan,
Magjike, çapkëne dhe si princesha,
Po ashtu edhe ty, e bukura Tiranë.!