
Fëmijë engjëll i pastër,
që rritesh mbi maja thikash të padukshme,
mes bullizimesh që godasin si erë e ftohtë,
mes plagësh prindërore që ende kullojnë heshtje,
mes ndarjesh që askush s’i uli ndonjëherë në bisedë.
Botë e ashpër kjo, që çdo ditë lind një dhimbje të re.
Por vjeshta t’i hap krahët, bir i dritës,
që çdo gjethe e artë t’u bëhet shërim,
çdo lindje dielli, një baba që të mbron,
dhe çdo hënë e plotë, një nënë që të rri pranë.
Çdo mirësi t’u kthehet në dituri,
çdo ylber t’u hapë shtigje ngjyrash,
e kur e zeza të të dalë përpara,
mos ia merr peshën, por kapërceje me dritë.
Rritu i fortë, rritu i shëndetshëm,
në një botë që shpesh s’di si të dojë,
e ti bëhu ajo buzëqeshja e pastër
që zbardh fytyrat e të tjerëve.
*************************************************
Gëzuar Ditën e Fëmijëve!
Uroj që çdo fëmijë të rritet në një botë ku dashuria është e para, siguria është e garantuar, dhe ëndrrat nuk kanë kufij.
Uroj që duart e tyre të vogla të prekin vetëm mirësinë, që sytë e tyre të qeshin më shpesh se të lotojnë, dhe që fëmijëria të jetë një vend i shenjtë, i paprekur nga dhimbjet e të rriturve.
Le t’u mësojmë fëmijëve tanë të besojnë në veten, të ndriçojnë botën me dritën e tyre, e t’i mbrojmë me zemër, çdo ditë, jo vetëm sot.
Migel Flor
20.11.2025
“Urime të gjithë fëmijëve që rriten mes stuhive!
Urime për çdo fëmijë, gëzim, dritë dhe mrekulli në çdo hap!