Amanet, simbolit imagjinar të bukurisë-Vullnet Mato

Vullnet Mato
 
 
 
Bukuria, yll vezullues i pashuar përjetësisht,
trok zemre, i pandalshëm pafundësisht,
melodi, që të fton kurdoherë t’i këndosh,
fuqi magnetike, që nuk mund t’i rezistosh...
Simbolit imagjinar, të bukurisë tokësore,
të shquar në pamjen e bukurisë femërore,
po i lë amanet, të më ndezi qiri mbi varr,
kur të më vijë koha, vdekja të më marrë!…


Se i këndova me patos, bukurisë tokësore,
kudo në natyrë dhe në krijesat njërëzore,
duke i thurur vargje drithërues trupit perri,
të vajzave e grave bukuroshe, në përgjithësi.


Kodi im, si poet i vargjeve të ndjera poetike,
ka qenë: ‘’Bukuria është vet mrekullia kozmike,
është dielli rrezatues, që na ngroh në çdo skaj,
janë njerëzit dhe Toka me rrotullimin e saj…’’


Krijuesit e lashtë, në shpella, në vendbanime,
me pikturat murale, mozaikët plot ngjyrime,
lanë simbolin e ndjesive të veta për bukurinë,
‘’Bukuroshja e Durrësit’’na ndriçon lashtësinë.


Artistët e penelit, daltës, Rilindasit e artit botëror,
bukuri klasike kishin, trupin e zhveshur femëror,
teksa krijuesit e kohës së re, frymëzimin e artistit,
e gjejnë të shkrirë bashkë, me bukurinë e shpirtit.
Tani, kur plejada e krijuesve, bashkëkohës të mi,
ka ikur në amshim, e më mbeti pena në jetëgjatësi,
po lë amanet, për të gjithë të amshuarit e poezisë,
të na ndezi qiri mbi varr, simboli imagjinar i bukurisë...