Babagjyshi i Vitit të Ri-Mira Zaho Mëhilli

(Me shumë dashuri për gjithë fëmijët që përjetojnë magjishëm festat e fundvitit)

Babagjyshi i Vitit të Ri

Tak, tak, tak dera trokiti,

fëmijët lojën lanë,

zemrat pulsuan çuditshëm,

njëri-tjetrin në sy panë.

Një erë nga larg zbriti,

derën hapi me ngadalë,

në prag babagjyshi,

mbi shpinë një thes mban.

Mjekra zbardhur prej borës,

prej gëzimit sytë i ndrijnë,

lëshon thesin përtokë,

hap krahët për përqafim.

Rreth tij fëmijët mblidhen,

aromën e pyllit ndiejnë,

pranë oxhakut e ftojnë të ulet,

ku është bredhi dhe një drer.

Nis të tregojë babagjyshi,

për rrugën ku kish kaluar,

maleve mbuluar me borë,

yjet e kishin shoqëruar.

Fëmijët përhumbur tregimit,

ngazëllyer sytë s’ia ndajnë,

për një çast ndalet rrëfimi,

tërheq babagjyshi thesin pranë.

Një nga një gjithë dhuratat,

me gaz prej tij zë të nxjerrë,

tek shikon fëmijët me ëndje,

bekime zemre u përcjell.