Përgatiti: Gladiola Jorbus

Dashuria që sfidoi migrimin: Saga e Klepetanit dhe Malenës që preku Kroacinë dhe botën
Në një fshat të qetë kroat, Brodski Varoš, për më shumë se dy dekada u zhvillua një histori që tejkaloi kufijtë e natyrës dhe u shndërrua në një simbol kombëtar. Dy lejlekë të bardhë, Klepetani dhe Malena u bënë protagonistët e një rrëfimi të jashtëzakonshëm besnikërie, që u ndoq me emocion nga mijëra njerëz brenda dhe jashtë Kroacisë.
Malena u gjet në vitin 1993 nga një punonjës pastrimi, Stjepan Vokić, i cili e gjeti të plagosur rëndë nga gjuetarët. Dëmtimi i krahut e bëri të pamundur fluturimin, duke e privuar nga migrimi, një instinkt i pandashëm i lejlekëve. Vokić, i cili nuk kishte asnjë detyrim ndaj saj, vendosi ta merrte nën kujdes. Ai ndërtoi një strehë të vogël, e ushqeu çdo ditë dhe u kujdes që Malena të kishte një jetë sa më të afërt me natyrën, pavarësisht kufizimeve të saj. Ky akt i thjeshtë humanizmi u bë themeli i një historie që më vonë do të fitonte zemrat e njerëzve në mbarë botën.
Në pranverën e vitit 2001, një lejlek mashkull mbërriti në çatinë ku jetonte Malena. Ai u quajt Klepetan, sipas tingullit karakteristik që prodhojnë lejlekët me sqepin e tyre. Ajo që dukej si një vizitë e rastësishme u shndërrua shpejt në një ritual të përvitshëm: çdo pranverë, Klepetani udhëtonte rreth 13,000 kilometra nga Afrika e Jugut për t’u rikthyer tek Malena. Ky udhëtim i gjatë, i rrezikshëm dhe i lodhshëm u bë simbol i besnikërisë së tij. Çdo vit, ai kthehej në të njëjtën çati, në të njëjtin fshat, tek e njëjta partnere që nuk mund ta ndiqte në migrim.
Pavarësisht kufizimeve të Malenës, çifti solli në jetë rreth 66 zogj gjatë viteve. Stjepan Vokić, i cili tashmë ishte bërë pjesë e pandashme e historisë së tyre, kujdesej për zogjtë e vegjël, i ushqente dhe i mbronte derisa të bëheshin gati për të fluturuar. Ai shpesh thoshte se Malena ishte “si një anëtare e familjes”, dhe se Klepetani ishte “miku që kthehej gjithmonë”. Fotografitë e tij duke ushqyer zogjtë, duke riparuar folenë dhe duke pritur me padurim rikthimin e Klepetanit, u shpërndanë gjerësisht në media, duke e kthyer këtë histori në një fenomen kombëtar.
Ka pasur vite kur Klepetani vonohej. Në disa raste, ai nuk u shfaq për javë të tëra, duke shkaktuar shqetësim në komunitet dhe në mediat kroate. Shpesh menduan se mund të kishte humbur gjatë migrimit, për shkak se rruga e përshkuar ishte një rrugë e mbushur, me rreziqe natyrore dhe njerëzore. Por Klepetani kthehej gjithmonë, duke e bërë historinë e tyre edhe më të jashtëzakonshme. Rikthimet e tij u bënë lajm kombëtar. Shpesh, gazetarët prisnin në fshat për të raportuar momentin kur ai shfaqej në qiell, duke u ulur në çatinë ku Malena e priste.
Saga e Klepetanit dhe Malenës u shndërrua në një fenomen mediatik dhe kulturor sepse u realizuan dokumentarë, u përdor në promovime turistike, u botuan artikuj në gazeta ndërkombëtare dhe u quajt shpesh “historia më e pazakontë e dashurisë në Kroaci”. Çifti i lejlekëve u konsideruan simbol i besnikërisë, i sakrificës dhe i lidhjes së thellë që mund të ekzistojë edhe në botën e kafshëve. Në një epokë kur lajmet vishen me petka të zymta, historia e tyre solli një dritë të ngrohtë, duke vënë theksin mbi dashurinë dhe përkushtimin. Më 7 korrik 2021, Malena u nda nga jeta për shkaqe natyrore. Për 28 vite Stjepan Vokić ishte kujdesur rregullisht për të, ndërsa Klepetani vazhdonte të kthehej pranë saj çdo pranverë, për më shumë se 20 vite.
Sipas raportimeve të mëvonshme, Klepetani vazhdoi jetën dhe u shoqërua me një lejlek tjetër femër, duke pasur edhe pasardhës të tjerë, por historia e tij me Malenën, mbetet një nga rrëfimet më mbresëlënëse në botën e kafshëve.