Fizarmoniçisti Altin Tomaj, mjeshtri i pagëzuar “Agim Krajka i ri shqiptar”-Nga Ymer Hysa-

Portret artisti.

FIZARMONIÇISTI ALTIN TOMAJ, MJESHTRI I PAGËZUAR “AGIM KRAJKA I RI SHQIPTAR”

Nga Ymer Hysa-

Jo vetëm për ne që e njohim apo miqtë dhe të njohurit e tij, emri i mjeshtrit virtuoz Altin Tomaj është bërë i njohur jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por pothuajse kudo ku ka shqiptarë.

Artistët e mëdhenj nuk lindin vetëm në metropole dhe kryeqytete të artit, ata lindin edhe në zona rurale dhe me kalimin e viteve afirmojnë veten si mjeshtra të mëdhenj. I tillë është edhe fizarmoniçisti Kurbinas Altin Tomaj. Ai ka lindur dhe rritur në Gorre të Njësisë Administrative Fushë- Kuqe të rrethit të Kurbinit në një familje të nderuar me babain mësues i gjuhës dhe i letersisë shqipe dhe mamanë punëtore.

Siç ndodh me artistët që bëhen të famshëm me kalimin e viteve, Altini talentin për muzikën filloi ta shfaqte që në moshën 6- vjeçare. Ai kujton me mall vitet e fëmijërisë kur dëgjonte në gramafon dhe në radio muzikë dhe këngë popullore dhe ashtu i mbushur me dëshirë e pasion do të prirej drejtë muzikës duke marrë mësimet e para në fizarmonikë që në moshën 10 vjeçare. Falë pasionit të madh për këtë instrument ai studioi shumë dhe kujton Profesorin dhe Mjeshtrin e njohur shqiptar të fizarmonikës Kompozitorin Agim Krajka. “Ai ishte mësuesi im ku mora mësimet bazë dhe që luajti një rol determinues në formimin tim si muzikant fizarmoniçist,” do të kujtojë me nostalgji Altini,

Si çdo artist edhe Altini ruan kujtimet e tij për sukseset e para, Ai kujton konkursin që zhvillohej atëherë ku u rendit i pari në shkallë Repuplike duke fituar të drejtën për të filluar studimet për fizarmonikë në Liceun Artistik në Tiranë,

Dashuria dhe pasioni për fizarmonikën e bënë që pasi të mbaronte shkollën e mesme të muzikës (Liceun Artistik) me rezultate të shkëlqyera, dhe i afirmuar si muzikant me klas të lartë, në vitin 1991 të vazhdonte studimet e larta në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku u diplomua në vitin 1995,

Vlen të theksohet se prej periudhës së studimeve të larta e deri në ditët e sotme, Altini ka qëne gjithmonë aktiv si Artist e Instrumentist klasi. Ai ka qenë një profesionist i lirë ku ka marrë pjesë në aktivitete e evente të ndryshme artistike e kulturore brënda dhe jashtë vendit me instrumentin e tij të dashur fizarmonikën duke fituar duartokitjet e zjarrta të spektatorëve. Krahas fizarmonikës ai njeh dhe luan po kaq mjeshtërisht edhe në Organo.

Falë talentit të tij si mjeshtër virtuoz dhe artist i kualifikuar Altini ka tërhequr edhe vëmendjen e Drejtuesit Artistik Gurra e Kurbinit kolegut të tij Vladimir Cara që të angazhohet duke punuar në Pallatin e Kulturës Kurbin si specialist i muzikës dhe folklorit, ku po jep një kontribut të pazëvendësueshëm në ruajtjen dhe konsolidimin e vlerave artistike të kulturës dhe folkut të Kurbinit. Njëkohësisht ai është drejtues i orkestrinës së Ansamblit “Gurra e Kurbinit” që vitet e fundit ka marrë një fizionomi të re duke bërë emër brënda dhe jashtë Shqipërisë,

Modestia ndoshta është më e theksuar se çduhet te Altini, por për ne që e njohim besoj është e pranueshme dhe përgjithësisht e qartë, pasi ai shfaq në çdo mardhënje pune e shoqërore vetëm mirësi dhe talent, duke mos u mburrur si artist i madh, me sa duket për tja lënë në dorë shijeve të spektatorit.