Manushaqe Hoxha Laçi

A e ke vënë re në sofrën e shtruar,
të ulur rreth saj…ku fjala ka munguar?
Pranë janë fëmijët, por larg me mendim,
të humbur në botë, në tjetër drejtim.
Në dritë të ekraneve sytë i kanë mbërthyer,
nga zëri i prindit me shpinë të kthyer.
Dhe lind pyetja, e thjeshtë, pa zë:
a s’duan më familjen…apo s’dinë si të jenë më?
Një nënë më tha me shpirt të rënduar:
“Flas me bijën e birin…por s’ndihem e dëgjuar.
Më shohin në sy… por s’më kuptojnë më,
sikur mes nesh ka rënë një hije e ftohtë pa zë.”
A është kjo ftohtësi, apo një revoltë?
Mos është gjuhë e re, që s’e njohim dot?
Jo për të gjykuar sot jemi këtu…aty,
por për të kuptuar atë që s’shihet me sy.
Se ndoshta fëmijët s’janë larguar vërtet,
por ne s’dimë si t’i thërrasim në të rrëmujshmen jetë.
Janë rritur mes nesh, por ndihen veç,
mes botës që u japim…dhe asaj që i tërheq.
Një tjetër nënë, me zë të lodhur tha:
“I rrita me mund…sot s’më pyesin si jam…”
Dhe në atë fjali, ka dhimbje pa fund,
një det sakrifice…një heshtje që tund.
Ndoshta ata s’kanë harruar dashurinë,
veç s’dinë si ta shprehin ndjesinë.
Presin një fjalë më të butë, më pranë,
një zemër që dëgjon…jo vetëm që flet pa anë.
Se familja nuk prishet brenda natës e ditës,
por venitet ngadalë…kur mungojnë rrezet e dritës.
Kur fjala nuk ngroh, kur shpirti s’prek,
…dhe afërsia bëhet një oqean i largët e i thellë.
Fëmijët, mos i thërrit vetëm me zë,
afrohu me zemër…më shumë se çdo gjë.
Se ndonjëherë largimi që duket në sy,
është veç një thirrje: “Më kupto…jam këtu, me ty”!