Gjon Dedaj -Një shembull që lëshon dritë-Nga Bashkim Koçi

Nga Bashkim Koçi

Ai lindi në fshatin Dush të Pukës, aty ku natyra, malet dhe njerëzit të mirëpresin me fisnikëri e dashuri, duke të mësuar që në fëmijëri të jesh i pastër në shpirt dhe kryelartë në karakter. Në këtë mjedis u rrit edhe Gjon Dedaj, i cili erdhi në jetë më 10 shtator 1944, vetëm pak javë përpara se Shqipëria të përjetonte një nga ditët më të ndritura të historisë së saj: 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë.

Në një farë mënyre, Gjoni lindi bashkë me lirinë. Por në ditën e lindjes së tij mungonte një njeri i shtrenjtë: babai, Frrok Dedaj. Ai ishte rreshtuar në radhët e Brigadës së IV Sulmuese dhe luftonte me armë në dorë për çlirimin e atdheut. Kjo ishte një krenari që Gjoni e mbajti gjatë gjithë jetës si dekoratën më të çmuar morale, një trashëgimi që e frymëzoi të ecë gjithmonë në rrugën e ndershmërisë, të përkushtimit dhe të shërbimit ndaj shoqërisë.

Në çdo hap të jetës, ai u përpoq të mbetej i denjë për emrin dhe sakrificat e të atit. Edhe gjatë shërbimit ushtarak dyvjeçar, ai u dallua për disiplinë, përkushtim dhe aftësi, duke e përfunduar atë me gradën më të lartë që mund t’i jepej një ushtari në atë kohë.

Megjithëse rrethanat nuk i dhanë mundësinë të ndiqte studimet e larta, Gjon Dedaj e ndërtoi personalitetin dhe karrierën e tij hap pas hapi, me punë të palodhur dhe seriozitet shembullor. Detyrat që mori përsipër nuk ishin të zakonshme; ato kërkonin përgjegjësi, njohuri dhe besueshmëri të plotë. Nuk ishte rastësi që eprorët dhe bashkëpunëtorët e tij shprehnin bindjen: “Mos e kini merak, sepse kjo punë ka kaluar në duart e Gjonit.”

Një nga kontributet më të vyera të jetës së tij lidhet me veprimtarinë në Organizatën e Veteranëve dhe Pasardhësve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ai e konsideroi këtë angazhim jo thjesht një detyrë, por një mision për ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave të LANÇ-it te brezat e rinj.

Për punën dhe përkushtimin e tij, në vitin 2019 u nderua me titullin e lartë “Nderi i OVP të LANÇ ‘Nderi i Kombit’”, të cilin ia dorëzoi Kryetari i Komitetit Kombëtar, i ndjeri Rustem Peçi.

Shembulli i mirë gjithmonë gjen vlerësimin e merituar. Për Gjon Dedajn, një nga vlerësimet më domethënëse ishte besimi që iu dha për të drejtuar Komitetin e OVP të Bashkisë Pukë. Këtë detyrë ai e ushtroi me dinjitet deri në maj të këtij viti, kur u detyrua ta lërë për arsye shëndetësore. Por ai nuk hoqi dorë nga misioni i tij.

Edhe sot mbetet një pasardhës aktiv dhe një këshilltar i çmuar për drejtuesit e rinj të organizatës. Ata e vlerësojnë jo vetëm për respektin që meriton, por edhe për përvojën, urtësinë dhe këshillat që jep me bujari. Përmes shembullit të tij, ai vazhdon të kontribuojë që Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ në Bashkinë e Pukës të mbetet një flamur nderi dhe lavdie në mbrojtje të vlerave, idealeve dhe simboleve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Jeta dhe veprimtaria e Gjon Dedajt dëshmojnë se nderi nuk fitohet me fjalë, por me vepra. Ai mbetet një shembull që lëshon dritë, një njeri që me përkushtimin, modestinë dhe atdhedashurinë e tij ka lënë gjurmë të respektuara në komunitetin e vet dhe më gjerë.